Kreditimi i ekonomisë u ngadalësua në janar të këtij viti
2026-02-26 - 11:34
Kredia për ekonominë e nisi me rënie vitin 2026. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për muajin janar sektori bankar dha gjithsej 28.3 miliardë lekë kredi të reja, në rënie me 11% krahasuar me janarin e vitit të kaluar. Pasi arriti nivelet më të larta historike për periudhën vitin e kaluar, kredia ka pësuar një frenim në muajin e parë të vitit 2026. Gjithsesi, shifra e janarit është vlera e dytë më e lartë historike për këtë periudhë të vitit. Rënia e kredisë u përcaktua kryesisht nga segmenti i individëve. Kredia e re për individët kishte vlerën e 8.7 miliardë lekëve, në rënie me 8% krahasuar me janarin e vitit të kaluar. Ngadalësimi i kredisë erdhi kryesisht nga kredia në Euro, që ishte në vlera ndjeshëm më të ulëta krahasuar me një vit më parë. Rënia e kredisë në Euro preku si huatë për blerje banesash, ashtu edhe ato për konsum. Por, ndërkohë kreditimi vazhdoi rritjen në monedhën vendase, në të dyja produktet kryesore, kreditë për shtëpi dhe ato konsumatore. Ndërkohë, kredia për bizneset kishte vlera të përafërta me janarin e vitit të kaluar, me 19.5 miliardë lekë të disbursuara. Ecuria e kredisë sipas monedhave ishte e ngjashme, e karakterizuar nga rritja e kredisë në Lekë dhe rënia e asaj në Euro. Portofoli i kredisë për ekonominë, i matur si tepricë, në fund të janarit arriti vlerën e 939.3 miliardë lekëve. Portofoli i kredisë u tkurr me 4.4 miliardë lekë krahasuar me fundin e vitit 2025. Me bazë vjetore, portofoli total i kredisë ngelet në rritje dyshifrore, me 11.6% më shumë krahasuar me janarin e vitit 2025. Rritja vjetore e portofolit total për bizneset ishte 7.9%, ndërsa për individët 18.3%. Kreditimi i ekonomisë u rrit me ritme të shpejta edhe gjatë vitit 2025, pavarësisht masave të Bankës së Shqipërisë, që tentuan ta ngadalësonin këtë rritje, sidomos në segmentin e kredisë për pasuri të paluajtshme. Në mesin e vitit të kaluar, hynë në fuqi masat kufizuese për kredinë për blerje banesash nga individët. Në gjysmën e dytë të vitit 2025, këto masa nuk dhanë ndonjë efekt të rëndësishëm dhe kredia për shtëpi vazhdoi të rritej me ritme të shpejta. Efekti i tyre pritet të kuptohet më qartë gjatë vitit 2026. Oferta për kredi në tregun bankar ngelet e lartë, e mbështetur nga nivelet e mira të kapitalizimit dhe përfitueshmërisë së shumicës së bankave gjatë viteve të fundit. Raporti i kredive me probleme ndërkohë, vijoi rënien edhe gjatë vitit 2025, megjithëse kjo rënie u ngadalësua krahasuar me vitet e mëparshme. Burimi: BSH