Kredia për SME-të u rrit me 11% në vitin 2025
2026-03-06 - 21:14
Statistikat tregojnë se në fund të vitit 2025, portofoli i kredisë për bizneset mikro, të vogla dhe të mesme arriti në 241.8 miliardë lekë, në rritje me 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo normë rritje ishte lehtësisht më e lartë se rritja mesatare e kredisë për bizneset në total për të njëjtën periudhë. Gjithashtu, norma e rritjes së kredisë për SME-të u përmirësua ndjeshëm krahasuar me vitin 2024, që ishte mbyllur afërsisht në të njëjtën vlerë me një vit më parë. E ndarë sipas segmenteve, rritja më e lartë u shënua në segmentin e biznesit mikro, me 28.1%. Kredia për biznesin e vogël u rrit me 13.1%, ndërsa kredia për biznesin e mesëm, me 6.6%. Burimi: Banka e Shqipërisë Megjithatë, në një këndvështrim krahasues, kreditimi i biznesit të mesëm dhe të vogël në Shqipëri është në nivelet më të ulëta në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) tregojnë se në fund të vitit 2024, kredia për këtë segment të biznesit në Shqipëri përbënte afërsisht 8.6% të PBB-së. Vendi me nivelin më të lartë të kreditimit të SME-ve në rajon, Kosova, e ka këtë raport thuajse katër herë më të lartë, në 33.1% të PBB-së. E ndjekin Bosnjë-Hercegovina, me 20.5%, Maqedonia e Veriut, me 13.7% dhe Serbia 10.8% (statistikat e FMN-së nuk janë të disponueshme për Malin e Zi. Burimi: FMN SME-të përbëjnë 99.8% të bizneseve Mbështetur në të dhënat nga Instituti i Statistikave, Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme përbëjnë shumicën dërrmuese të njësive ekonomike në vend. Statistikat më të fundit të disponueshme, që i takojnë vitit 2023, treguan se në vend ishin aktive 115,838 Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme, që përbënin 98.7% të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve. Kriteri bazë i përdorur nga INSTAT për klasifikimin është numri i punonjësve, ku si SME klasifikohen njësitë me më pak se 250 të punësuar. Peshën dërrmuese në strukturën tërësore të bizneseve në vend e zënë mikrondërmarrjet (1-9 të punësuar), që përbëjnë 93.5% të totalit, të ndjekura nga ndërmarrjet e vogla (10-49 të punësuar), që përbëjnë 5.3% të numrit total dhe ndërmarrjet e mesme (50-249 të punësuar), që përbëjnë 1.2% të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve. SME-të janë dominuese në strukturën e ekonomisë shqiptare, edhe sipas treguesve kryesorë në nivel makroekonomik. Ato kontribuojnë me 82.1% të numrit të përgjithshëm të të punësuarve në ekonominë shqiptare, ku mikrondërmarrjet zënë 37.9%, ndërmarrjet e vogla 21.5% dhe ndërmarrjet e mesme 23.4% të numrit të përgjithshëm të të punësuarve. Në strukturën e përgjithshme të shitjeve në ekonomi, SME-të kontribuojnë me 80.1% të vlerës totale, nga të cilat mikrondërmarrjet me 22.3%, ndërmarrjet e vogla me 30.3% dhe ndërmarrjet e mesme, me 27.5%. Për sa i përket vlerës së shtuar, 78.4% e kontributit total në ekonominë shqiptare vjen nga Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, nga të cilat 25.6% mikrondërmarrjet, 25.7% ndërmarrjet e vogla dhe 27.1% ndërmarrjet e mesme. SME-të kanë një pjesë dominuese edhe në totalin e investimeve të kryera, me 75.6% të totalit, nga të cilat 16.4% u takojnë mikrondërmarrjeve, 34.6% ndërmarrjeve të vogla dhe 24.6% atyre të mesme. Burimi: INSTAT Në përgjithësi, shifrat tregojnë se pesha e SME-ve në ekonomi ka ardhur madje në rritje për të gjithë treguesit, për shtatë vitet e fundit deri në 2022. Në periudhën 2016-2022, kontributi i tyre në punësim është rritur nga 81 në 82.1%, kontributi në shitjet neto nga 77.8% në 80.1%, kontributi në vlerën e shtuar nga 66.9% në 78.4%, ndërsa kontributi në investime është rritur nga 66.9% në 75.6%. Klasifikimi i Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme zakonisht mbështetet në disa pragje të vendosura në lidhje me numrin e të punësuarve dhe me qarkullimin vjetor të biznesit. Në rastin e Shqipërisë, klasifikimi mbështetet në përcaktimet e ligjit “Për zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme”, të vitit 2022. Të tilla klasifikohen ndërmarrjet në të cilat punësohen më pak se 250 persona dhe realizojnë një shifër afarizmi (xhiro) vjetor jo më të madh se 250 milionë lekë. Në mënyrë më të detajuar, ndërmarrje e vogël konsiderohet një ndërmarrje me më pak se 50 persona të punësuar, e cila ka një shifër afarizmi ose bilanc total vjetor jo më të madh se 50 milionë lekë. Mikrondërmarrje konsiderohet një ndërmarrje me më pak se 10 persona të punësuar, e cila ka një shifër afarizmi ose bilanc total vjetor jo më të madh se 10 milionë lekë. Ndërmarrje e mesme konsiderohet një ndërmarrje me 50 persona të punësuar deri në 249 persona të punësuar, e cila ka një shifër afarizmi ose një bilanc total vjetor nga 50 milionë lekë deri në 250 milionë lekë. Nëse një ndërmarrje nuk përmbush njëkohësisht kriteret e vendosura për kategoritë përkatëse, kategorizimi bëhet mbi bazën e numrit të personelit. Pra, për qëllime statistikore, ndërmarrjet klasifikohen në mikrondërmarrje kur punësojnë deri në 9 persona, në ndërmarrje të vogla kur punësojnë 10 deri në 49 persona dhe ndërmarrje të mesme kur punësojnë 50 deri në 249 persona.