Kredia në Euro u rrit për të dytin vit radhazi në 2025
2026-03-05 - 10:04
Kredia në Euro u rrit për të dytin vit radhazi në 2025. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vitin e kaluar sektori bankar dha kredi të reja në Euro për një vlerë të barazvlefshme me 169.9 miliardë lekë. Kredia në Euro u rrit me 10.5% krahasuar me vitin 2024, por shifrat nuk janë të rregulluara me efektin e kursit të këmbimit. Nëse mbajmë parasysh se kursi mesatar i këmbimit Euro-Lek ra me 2.8% vitin e kaluar, rritja e kredisë në Euro, e pastruar nga efekti i kursit të këmbimit, do të ishte afërsisht 13.3%. Gjithsesi, rritja e kredisë në Euro ishte ndjeshëm më e ulët krahasuar me vitin 2024, kur, e rregulluar me lëvizjen mesatare të kursit të këmbimit, rritja kishte qenë rreth 21%. Megjithatë, gjatë vitit 2025, rritja e kredisë në Euro ishte më e balancuar mes dy segmenteve kryesore të tregut, bizneseve dhe individëve. Shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kompanitë private morën hua në Euro për një shumë të përgjithshme prej 138.3 miliardë lekësh, në rritje me 6% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, kredia për individë në Euro u rrit në 24.3 miliardë lekë, 19.4% më shumë krahasuar me një vit më parë. Kredia në Euro pësoi një frenim në vitin 2023, për shkak të rritjes së shpejtë të normave të interesit, përveç efektit statistikor të rënies së kursit të këmbimit të Euros me Lekun. Madje, një pjesë e huamarrësve vendosën të konvertonin kreditë ekzistuese nga Euro në Lek, duke shfrytëzuar kursin e favorshëm të këmbimit, por edhe faktin se për herë të parë normat e interesit në Lekë zbritën në nivele më të ulëta se ato në Euro. Leku ngelet gjithsesi dominuese në flukset e reja të kredisë, sidomos në segmentin e individëve. Por, pas vitit 2024, ulja e normave të interesit të Euros në tregjet financiare, duke përfshirë treguesin benchmark që përdoret për indeksimin e huave në monedhën europiane, Euriborin, kanë ndikuar në një rikthim të interesit për të marrë hua në Euro. Ndërkohë, edhe depozitat në Euro të sektorit bankar kanë vazhduar rritjen, ndonëse me ritme më të ngadalësuara. Depozitat e sektorit bankar në monedhën europiane në fund të 2025 arritën në 8.75 miliardë euro, në rritje me afërsisht 9% krahasuar me një vit më parë. Vitin e kaluar, kredia për ekonominë u rrit me ritmet më të larta që prej vitit 2009. Me bazë vjetore portofoli total i kredisë u rrit me 12.9%. Rritja e portofolit u përshpejtua më tej, krahasuar me rritjen prej 12.3% të vitit 2024. Në afat të shkurtër, as masat e marra nga Banka e Shqipërisë nëpërmjet rritjes së kërkesave minimale për kapital ndaj bankave dhe as kufizimet direkte të vendosura mbi kriteret e kredisë për blerjen e banesave nga individët kanë sjellë një ndikim të rëndësishëm në frenimin e kreditimit./ E.Shehu Burimi: Banka e Shqipërisë