TheAlbaniaTime

Kostot e prodhimit në vendnumëro, nuk ka presion mbi çmimet

2026-03-05 - 10:44

Çmimet e prodhimit po rriten e ritme shumë të ulëta duke lajmëruar presion të ulët mbi çmimet e pakicës në vijim. Indeksi i Çmimeve të Prodhimit (IÇP) për tremujorin e katërt të vitit 2025 ka shënuar rritje 0,2%. Ky tregues, i cili shërben si një barometër i rëndësishëm për kostot me të cilat përballen bizneset përpara se produktet të mbërrijnë te konsumatori, arriti në vlerën 129,6 kundrejt vitit bazë 2021. Mirëpo ka disa degë të ekonomisë që kanë ndjerë një presion më të fortë rritës mbi kostot e tyre të prodhimit. Sektori që ka udhëhequr këtë tendencë rritëse është “Industria përpunuese”, e cila shënoi një shtrenjtim vjetor prej 0,5%. Brenda kësaj kategorie, rritja më e lartë e kostove u vërejt në aktivitetin e prodhimit të mobileve, ku çmimet u rritën me 1,5%, e ndjekur nga përpunimi i produkteve dhe preparateve farmaceutikë me një rritje prej 1,4%. Të dhënat tregojnë se këta dy nën-sektorë kanë pasur barrën më të madhe të rritjes së kostove gjatë vitit të kaluar. Një tjetër sektor ku u vu re rritje ishte furnizimi me ujë dhe aktivitetet e menaxhimit të mbetjeve, me një rritje prej 0,2%. Nëse analizojmë tregun vendas në mënyrë të veçantë, vihet re se prodhuesit që furnizojnë tregun e brendshëm janë përballur me një rritje prej 0,3% në nivel vjetor. Këtu dominon sërish industria përpunuese, ku çmimet për konsumatorët vendas u rritën me 0,8%. Nga ana tjetër, tregu i eksportit ka pasur një ecuri krejtësisht të kundërt, duke shënuar një ulje vjetore të çmimeve prej 0,4%. Kjo rënie në eksport u nxit kryesisht nga sektori i energjisë elektrike, gazit dhe avullit, i cili u lirua me 1,8%, si dhe industria nxjerrëse dhe ajo përpunuese që patën ulje të lehta. Për sa i përket ndryshimeve afatshkurtra, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2025, indeksi total shënoi një rritje pothuajse të papërfillshme prej 0,05%. Edhe në këtë periudhë tremujore, rritja më e madhe u vërejt sërish në industrinë përpunuese me 0,2%. Ndërkohë, sektorë si ai i metalurgjisë apo prodhimit të pajisjeve elektrike kanë shënuar ulje të çmimeve përkatësisht me 0,6% dhe 0,5%.

Share this post: