Kosova shteti më i lumtur në Europën Juglindore
2026-03-19 - 11:31
Sipas edicionit më të fundit të World Happiness Report, tri vendet më të lumtura në botë janë: Finlanda, Islanda dhe Danimarka. Nga vendet e rajonit të Evropës Juglindore, Kosova renditet më së larti, në vendin e 16-të. Nëse lumturia do të ishte një garë olimpike, vendet nordike do të kishin garantuar të tri vendet në podium. Sipas edicionit më të fundit të World Happiness Report, tri vendet më të lumtura në botë janë: Finlanda, Islanda dhe Danimarka. Finlanda u shpall vendi më i lumtur në botë për herë të 9-të radhazi, me Islandën në vendin e dytë dhe Danimarkën në vendin e tretë, në renditjen që përpilohet nga Qendra për Kërkime mbi Mirëqenien në Universitetin e Oksfordit dhe përfshihet në raportin vjetor mbi lumturinë globale. Kosta Rika pati një paraqitje shumë të mirë, duke u renditur në vendin e katërt-renditja më e lartë ndonjëherë për një vend nga Amerika Latine, por më pas renditja i kthehet sërish vendeve nordike, me Suedinë dhe Norvegjinë që zënë përkatësisht vendin e 5-të dhe të 6-të. Tri vende të tjera evropiane shfaqen në top 10: Holanda në vendin e 7-të, Luksemburgu në vendin e 9-të dhe Zvicra në vendin e 10-të. Izraeli, i vetmi vend nga Lindja e Mesme në top 20, zuri vendin e 8-të. Kosova renditet e 16-ta në listë, duke lënë pas vendet si Gjermania, Austria, Sllovenia, Emiratet e Bashkuara Arabe, etj. SHBA-ja renditet në vendin e 23-të këtë vit, ndërsa Kanadaja në vendin e 25-të dhe Mbretëria e Bashkuar në vendin e 29-të. Ky është viti i dytë radhazi që asnjë nga vendet anglishtfolëse-SHBA-ja, Zelanda e Re, Irlanda, Australia, Kanadaja apo Mbretëria e Bashkuar, nuk shfaqet në top 10. Për të përcaktuar renditjen, sondazhi global i Gallup-it u kërkon të anketuarve në 147 vende të vlerësojnë jetën e tyre duke përdorur imazhin e një shkalle, ku jeta më e mirë e mundshme është 10 dhe më e keqja është 0. Çdo i anketuar jep një përgjigje numerike në këtë shkallë, e njohur si Shkalla Cantril. Studiuesit marrin në konsideratë gjashtë faktorë, përfshirë PBB-në për frymë, jetëgjatësinë, bujarinë dhe perceptimet për lirinë dhe korrupsionin, për të shpjeguar dallimet midis vendeve. Këto janë dhjetë vendet më të lumtura në botë: Finlanda Islanda Danimarka Kosta Rika Suedia Norvegjia Holanda Izraeli Luksemburgu Zvicra.