TheAlbaniaTime

Kosova nuk përfiton asgjë nga 171 milionët e BE, paralajmërohen edhe humbje të tjera

2026-01-28 - 13:12

Kosova nuk ka përfituar asnjë cent nga mbështetja prej 171 milionë eurosh sa Komisioni Evropian ka ndarë për zhvillimin e infrastrukturës dhe forcimin e sektorit privat në Ballkanin Perëndimor. Njohësit e ekonomisë paralajmërojnë se mund të ketë edhe humbe të tjera. Komisioni Europian ka njoftuar për mbështetje prej 171 milionë eurosh për nxitjen e zhvillimit të infrastrukturës dhe rritjes së sektorit privat në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, nga këto fonde nuk do të përfitojë Kosova. “Sa i përket Kosovës, ajo ende nuk ka përmbushur kushtet ligjore për të pranuar pagesa, pasi që ende nuk ka ratifikuar Marrëveshjen e Kredisë dhe Fondeve në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor. Prandaj, Kosova nuk mund të përfitojë nga fondet e këtij instrumenti. Ne shpresojmë se kjo çështje të zgjidhet shpejt”. Nga kjo shumë e ndarë për nxitje të zhvillimit në Ballkanin Perëndimor, 94.7 milionë euro janë të dedikuara për investime infrastrukturore, 76.3 milionë euro për mbështetjen e sektorit privat, ndërsa 2.9 milionë euro janë ndarë për katër projekte të asistencës teknike në Shqipëri dhe Bosnje e Hercegovinë. Këto projekte janë të orientuara drejt përgatitjes së investimeve të ardhshme në sektorët e energjisë, furnizimit me ujë, inovacionit dhe kërkimit. Sipas njoftimit të KE-së, fondet e ndara për projektet infrastrukturore pritet të mobilizojnë gjithsej 263 milionë euro investime përmes shtatë projekteve në sektorë me prioritet, përfshirë digjitalizimin, energjinë e pastër, kapitalin njerëzor, transportin dhe mbrojtjen e mjedisit. Projektet përfshijnë vendosjen e infrastrukturës së internetit me brez të gjerë në Shqipëri, përmirësimin e sistemit të transmisionit të energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut, si dhe ndërtimin dhe rinovimin efikas energjetik të objekteve arsimore në Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi. Sipas KE-së, projektet do të zbatohen nga partnerët e Ballkanit Perëndimor në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare. “Investimi te partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor është thelbësor për afrimin e tyre me Bashkimin Evropian. Më shumë se dy vjet pas miratimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, kemi punuar – përfshirë edhe përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor – për t’i shndërruar zotimet në veprime konkrete. Nga përmirësimi i infrastrukturës deri te forcimi i zhvillimit të biznesit, këto investime krijojnë mundësi reale për qytetarët dhe e bëjnë BE-në një realitet të prekshëm në mbarë rajonin”. Paketa e re e mbështetjes përfshin kontribute investuese nga disa burime financimi të BE-së, përfshirë Instrumentin për Ndihmë të Para-Anëtarësimit (IPA), donatorët bilateralë përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, si dhe Instrumentin për Reforma dhe Rritje. “Paketa e sotme e financimit përfshin projekte investimi dhe projekte të asistencës teknike që u miratuan sot, duke forcuar më shumë përkushtimin e BE-së ndaj rritjes së qëndrueshme dhe ndërlidhjes rajonale në Ballkanin Perëndimor”. Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës dhe njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka theksuar për Monitor se mungesa e këtyre fondeve përbën një goditje serioze për vendin. Sipas tij, kjo situatë ka ardhur si pasojë e mosplotësimit të kritereve të nevojshme nga Kosova, si dhe faktit që disa nga masat ende nuk janë hequr plotësisht. “Mosfunksionimi i institucioneve dhe mungesa e qeverisë po vazhdojnë ta godasin ekonominë e vendit. Kjo është një sinjal i qartë se Kosova nuk është duke ecur në rrugën e duhur. Po përballemi me pasoja sepse nuk kemi institucione funksionale, nuk kemi stabilitet dhe nuk po ofrojmë asgjë konkrete për bashkësinë evropiane,” ka deklaruar Gërxhaliu. Ai ka shtuar se është koha që politikanët e Kosovës të zgjohen dhe të shohin realisht çfarë po ndodh me vendin. “Nëse vazhdohet me këtë avaz të lënies anash, Kosova rrezikon të humbasë edhe miliona euro të tjera nga fondet që mund të ndihmonin zhvillimin ekonomik”. Pas miratimit nga Bordi Operativ i Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, projektet mund të kalojnë në fazën e zbatimit. Kjo nënkupton finalizimin e marrëveshjeve të nevojshme me institucionet partnere dhe përfituesit, nisjen e studimeve përgatitore për aktivitetet e asistencës teknike dhe përfundimin e procedurave të domosdoshme për realizimin e projekteve të sektorit privat. Pas përmbylljes së këtyre proceseve, mund të fillojë zbatimi i investimeve që mbështeten nga blloku. Kosova akoma nuk i ka përmbushur kushtet ligjore, pasi që nuk i ka ratifikuar Marrëveshjen e Kredisë dhe Fondeve në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje. Kosova ka mbajtur në 12 muajt e fundit dy herë zgjedhje parlamentare, por pas zgjedhjeve të para partitë ishin të zëna me bllokimin e njëra-tjetrës. Sidoqoftë, nga fondet e miratuara deri tani, 94.7 milionë euro janë ndarë për projekte infrastrukturore, ndërsa 76.3 milionë euro për sektorin privat, e një pjesë më e vogël ndahet edhe për asistencë teknike. Projektet kryesore përfshijnë: zgjerimin e infrastrukturës në Shqipëri; përmirësimin e sistemit të transmetimit të energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut; ndërtimi dhe rinovimi energjitikisht efikas i objektivave arsimore në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi; elektrifikimin e linjës hekurudhore Durrës-Tiranë në Shqipëri; dhe projektin e ujit të pijshëm dhe trajtimit të ujërave të zeza në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Share this post: