TheAlbaniaTime

Kosova bëhet me Qeveri,  Kurti merr kompetencat e plota sërish si kryeministër

2026-02-12 - 09:06

Pas më shumë se një viti, Kosova tashmë ka ekzekutivin e ri me kompetenca të plota. Kjo pasi që, Albin Kurti është zgjedhur sërish kryeministër i vendit. Kuvendi i Kosovës në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur të mërkurën ka votuar për formimin e Qeverisë Kurti 3. Për formimin e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, me një kabinet me 19 ministri, kanë votuar 66 deputetë, 49 kanë votuar kundër dhe asnjë nuk ka abstenuar. Seanca për formimin e Qeverisë është mbajtur pas seancës konstituive ku është inauguruar legjislatura e X-të e dalë nga zgjedhjet e mbajtura më 28 dhjetor Para votimit, mandatar i Qeverisë, Albin Kurti, mbajti fjalën e tij, ekspozenë, para deputetëve, ku paraqiti prioritetet dhe drejtimet kryesore të qeverisjes në mandatin e ri. Ai theksoi të arriturat, sipas tij, të mandatit të kaluar, veçanërisht në aspektin ekonomik, duke përmendur rritjen ekonomike, masat sociale dhe mbështetjen për sektorë të ndryshëm. “Në katër vitet e ardhshme do të forcojmë aleancat, do të investojmë 1 miliard euro në mbrojtje, do të rekrutojmë ushtarë të rinj, do të shumëfishopjmë numrin e oficerëve, do ta funksionalizojmë fabrikën e municionit, do ta zhvillojmë industrinë ushtarake të Kosovës dhe do të prodhojmë dronët luftarakë Made in Kosova”, ka premtuar Kurti. Kurti ka folur edhe për procesin e dialogut duke thënë se normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë do ta ndjekim përmes dialogut konstruktiv e kreativ. “Normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin tonë verior, Serbinë do ta ndjekim përmes dialogut konstruktiv e kreativ, përmes marrëveshjes sonë bazike të Brukselit dhe ankesit të zbatimit të Ohrit. Por siç kemi vepruar në katër vitet e kaluara, normalizimi është çështje e rregullimit të marrëdhënieve në mes dy shteteve, pra si raport bilateral i jashtëm e jo ndërhyrje apo përzierje në çështje të brendshme. Qeveria do të mbrojë dhe zbatojë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në çdo cep të vendit tonë” .Ai ka thënë se do të vazhdojnë të mbështesin Procesin e Berlinit. “Do të vazhdojmë të mbështesim fuqishëm Procesin e Berlint dhe tregun e përbashkët rajonal mbi bazën e barazisë dhe të përfaqësimit të barabartë sepse besojmë që fqinjësia e mirë evropiane dhe bashkëpunimi rajonal i kontribuojnë si paqes ashtu edhe sigurisë. Do të punojmë me këdo që shtrin dorën e bashkëpunimit mbi bazën e respektit të ndërsjellët”, ka theksuar Kurti. Ai ka premtuar se në mandatin e ardhshëm do të nisin projektin superpuna. “E për gjithë progresin e bërë në zvogëlimin e pabarazisë përmes shtesave për lehona. Do të fillojë projekti superpuna për gratë. Që kur punësohet një grua qeveria mbështet në lartësi pagës minimale 500 euro për 6 muaj. Gjyshërit që kujdesen për fëmijët marrin nga 100 euro shtesë muaj mbi pensionin bazë. Jo vetëm ndihmojmë prindërit gjyshërit por edhe familjen e ekonominë”. Kabineti qeveritar: Zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër i Jashtëm – Glauk Konjufca Zëvendëskryeministër i dytë dhe Ministre e Drejtësisë – Donika Gërvalla Zëvendësministër i tretë për çështje të pakicave – Fikrim Damka Ministër i Financave – Hekuran Murati Ministër për Punë, Familje dhe Mirëqenie Sociale – Andin Hoti Ministër i Mbrojtjes – Ejup Maqedonci Ministër i Punëve të Brendshme – Xhelal Sveçla Ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit – Lulzon Jaxhiu Ministër i Shëndetësisë – Arben Vitia Ministër i Arsimit dhe Shkencës– Hajrullah Çeku Ministër i Kulturës – Saranda Bogujevci Ministër i Sportit – Blerim Gashani Ministër Administrimit të Pushtetit Lokal –Elbert Krasniqi Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor – Fitore Pacolli Ministër i Bujqësisë – Armend Muja Ministër i Infrastrukturës – Dimal Basha Ministre e Tregtisë – Mimoza Kusari Ministre e Ekonoimisë – Artane Rizvanolli Ministër për Komunitete dhe Kthim – Nenad Rashiq Ministër për Zhvillim Rajonal – Rasim Demiri.

Share this post: