TheAlbaniaTime

Konsumi final i popullatës u rrit vetëm 2.7% në 2025, niveli më i ulët që nga pandemia

2026-03-26 - 12:52

Të dhënat e sotshme të INSTAT mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto treguan se konsumi final i popullatës u rrit me 2.77 për qind vitin e kaluar, niveli më i ulët i regjistruar që viti i pandemisë 2020 (shiko grafikun e mëposhtëm ). Konsumi final i popullatës është i lidhur ngushtë me zhvillimet demografike. Në 1 janar 2025 popullsia e vendit ra me 27 mijë persona ose -1.2% ne raport me vitin paraardhës, ndërsa grup-mosha e re 0-29 vjeç u tkurr me trefishin, -3.7 për qind. Tregtarët pohojnë se pakësimi i të rinjve ka ndikim të fortë të shitjet, pasi ata janë konsumator të mëdhenj të pijeve, brumërave, por edhe veshjeve, ndryshe nga moshat më të vjetra që kanë një strukturë krejt tjetër blerjeve. Të dhënat mbi konsumin e familjeve kanë një lidhje të fortë edhe me faktorët demografike, po aq edhe me ciklet ekonomisë. Në periudhën e artë të rritjes 2000-2008 konsumi i popullatës u rrit shumë herë më tepër se ekonomia, i nxitur nga rritja e pagave, pensioneve dhe kredisë bankare. Popullsia e vendit ende ruante bazamentin e fortë të grup-moshat e reja të cilat janë sot janë pakicë në raport me popullsinë e përgjithshme. Bashkë me rënien e popullsisë inflacioni i lartë i ushqimeve duket se po gërryen fuqinë blerëse. Ndonëse pagat mund të kenë pësuar rritje nominale, kostoja e jetesës, veçanërisht ushqimet dhe qiratë po përpijnë pjesën dërrmuese të buxhetit familjar, duke lënë pak hapësirë për konsum shtesë. Ekonomia shqiptare ka vuajtur nga një lidhje e dobët e rritjes ekonomike me punësimin dhe rritjen e konsumit. Të dhënat historike tregojnë se ekonomia është rritur në vijimësi po punësimi shpesh ka pësuar rënie, teksa konsumi në vitet e fundit ka qenë më i ulët se sa rritja ekonomike. Në frenimin e rritjes se konsumit ka ndikuar edhe kursi i këmbimit. Shumë familje shqiptare varen nga remitancat, paratë që dërgojnë emigrantët) ose punojnë në sektorë që paguhen në Euro. Me rënien e fortë të Euros përballë Lekut, këto familje kanë sot më pak fuqi blerëse se dy vite më parë. Edhe pse hyjnë shumë Euro nga turizmi, vlerësimi i Lekut ka bërë që ato Euro të blejnë më pak produkte në tregun vendas. Burimi: INSTAT

Share this post: