TheAlbaniaTime

Kartat e kreditit iu kthyen rritjes vitin e kaluar

2026-03-03 - 09:14

Numri i kartave të kreditit iu kthye rritjes vitin e kaluar. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit 2025, sektori bankar raportonte 119,592 karta krediti aktive, në rritje me 5.6% krahasuar me një vit më parë. Që nga viti 2019 e në vazhdim, kartat e kreditit kanë shfaqur një ecuri të luhatshme, por tendenca e kësaj periudhe ka shfaqur kryesisht tipare stanjacioni. Në fund të vitit 2025, numri i kartave të kreditit i është afruar përsëri nivelit më të lartë historik (në fund të vitit) që ishte shënuar në 2019, por pa e kaluar atë. Pagesat me kartë po shënojnë një rritje të shpejtë në vitet e fundit, të nxitura nga turizmi, por edhe një rritje e përdorimit të tyre nga konsumatorët vendas. Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2025 pagesat me kartë në terminalet POS (pikat elektronike të shitjes) arritën në 27.2 milionë, me një rritje prej 38.7% krahasuar me një vit më parë. Në vlerë transaksionesh, pagesat me kartë vitin e kaluar arritën në 105.75 miliardë lekë, 27% më shumë krahasuar me vitin 2024. Megjithatë, edhe në vijim të një rritjeje të shpejtë të pagesave elektronike, karta e kreditit është një produkt që ende nuk po arrin të masivizohet shumë në tregun shqiptar. Shqipëria është ekonomia e rajonit të Ballkanit Perëndimor me numrin më të vogël të kartave të kreditit kundrejt popullsisë. Sipas statistikave krahasuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), në vitin 2024 në Shqipëri ishin aktive 50.18 karta krediti për 1000 banorë. Shqipëria është dukshëm mbrapa vendeve fqinje të rajonit në shkallën e depërtimit të këtij produkti pagesash. Para Shqipërisë ndodhet Mali i Zi, me 71.72 karta krediti për 1000 banorë, Bosnje-Hercegovina, me 156.29 karta krediti për 1000 banorë, Serbia, me 159.11 karta krediti për 1000 banorë, Kosova, me 160.75 karta krediti për 1000 banorë dhe Maqedonia e Veriut, me 185.18 karta krediti për 1000 banorë. Sipas ekspertëve, depërtimi i dobët i kartave të kreditit mund të lidhet me nivelin e të lartë të informalitetit dhe me faktin se ekonomia shqiptare ka një përqindje të lartë të përdorimit të parasë fizike si instrument për transaksionet ekonomike, ndërkohë që karta e kreditit është një produkt i dedikuar kryesisht për pagesat jo cash. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare efektive e interesit e kartave të kreditit për 6-mujorin e dytë 2025 (për shumat e deri në 200 mijë lekë) ishte 20.01% për kartat në Lekë dhe 16.92% për kartat në Euro. Krahasuar me 6-mujorin e parë, normat mesatare të interesit kanë pësuar rënie të lehtë, si për lekun, ashtu edhe për Euron. Në terma mesatarë, megjithatë, normat e interesit të kartave ngelen relativisht të larta në raport me produktet e ngjashme të kredisë konsumatore bankare (për shembull, overdraftet). Kjo ndodh për shkak të një shkalle relativisht të lartë të rrezikut që kartat e kreditit bartin si produkte kreditore, por edhe me ekzistencën e një periudhë faljeje, brenda të cilës klienti mund ta paguajë detyrimin pa interesa./ E. Shehu Burimi: BSH

Share this post: