TheAlbaniaTime

Karburantet dhe mallrat industriale udhëheqin tregtinë me pakicë në fund të vitit 2025

2026-03-18 - 11:33

Tregtia me pakicë e ka mbyllur vitin 2025 me një performancë pozitive, e nxitur kryesisht nga rritja e kërkesës për karburante dhe produkte jo-ushqimore. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT për tremujorin e katërt të vitit 2025, indeksi i volumit të shitjeve arriti në 137,5, duke shënuar një zgjerim prej 6,2% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Sektori i hidrokarbureve shënoi rritjen me fortë të shitjeve. Grupi i tregtisë me pakicë të karburanteve në njësi të specializuara shënoi një rritje prej 7,2% të volumit të shitjeve krahasuar me fundin e vitit 2024. Ky grup ka qenë një nga shtyllat kryesore të rritjes totale të tregtisë, duke dhënë një kontribut prej 1,9 pikë përqindjeje në rritjen e përgjithshme prej 6,2%. Kjo rritje e volumit të shitjes së naftës dhe benzinës tregon për aktivitet të shtuar të transportit gjatë muajve të fundit të vitit. Nga ana tjetër, pjesë e rëndësishme e rritjes mbeten edhe artikujt jo-ushqimorë, ku përfshihen mallrat e qëndrueshme si pajisjet elektroshtëpiake, veshjet dhe produktet industriale. Ky grup rezultoi me ndikimin më të lartë në treguesin e përgjithshëm, me një kontribut prej 2,5 pikë përqindjeje. Ndërkohë, sektori i ushqimeve, pijeve dhe duhanit, megjithëse mbetet një komponent bazë i shportës së konsumit, pati një ndikim më të moderuar prej 1,8 pikë përqindjeje në ndryshimin vjetor. Edhe dinamika afatshkurtër brenda vitit 2025 tregon se tregu ka pasur gjallëri të vazhdueshme. Duke përjashtuar tregtinë e hidrokarbureve, volumi i shitjeve në grupet e tjera u rrit me 1,6% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit, ndërsa vetë karburantet panë një rritje prej 1,1% në bazë tremujore. Tregtia me pakicë është treguesi me i hershëm i konsumit dhe rritjes ekonomike. Këto të dhëna sugjerojnë se edhe në tremujorin e fundit të vitit 2025 aktiviteti ekonomik në vend ka shënuar rritje.

Share this post: