Kamerat e sigurisë drejt shtrenjtimit; prodhuesit paralajmërojnë rritje deri 30% nga 1 prilli
2026-03-13 - 11:54
Vala e rritjes së çmimeve të karburanteve dhe tarifave të transportit, pas nisjes së sulmeve në Lindjen e Mesme, pritet të prekë edhe sektorin e teknologjisë në furnizimet ndërkombëtare. Një nga kompanitë vendase të tregtimit të sistemeve të alarmit dhe kamerave të sigurisë ka njoftuar se pritet të rrisë çmimet në tregun vendas, për shkak të njoftimeve të marra nga prodhuesit në tregjet e huaja për rritje deri në 30% të çmimeve. Në njoftimin e operatorit “SSD-Dahua Distribution Albania” thuhet se “Prodhuesit njoftojnë se çmimet e këtyre produkteve do të rriten midis 10% – 30%, me hyrje në fuqi nga data 01 Prill 2026.” Kompania argumenton se rritja e çmimeve në tregun vendas do të ndikohet nga shtrenjtimi i furnizimeve në tregjet e huaja, si dhe nga kërkesa e lartë për teknologjitë e Inteligjencës Artificiale (AI). Sipas kompanisë, rritja globale e çmimeve të komponentëve elektronikë, veçanërisht të memories RAM, është ndikuar edhe nga kalimi i industrisë nga DDR4 në DDR5. “Produktet që pritet të preken më shumë nga kjo rritje janë pajisjet e sigurisë dhe monitorimit, si: IPC, NVR, XVR, PTZ dhe monitorë whiteboard, ndër të tjera”, thuhet në njoftim. Ndërkohë, kompania thekson se po bashkëpunon ngushtë me prodhuesit për të minimizuar sa më shumë ndikimin e rritjes së çmimeve në tregun vendas. Një nga impaktet e para negative të nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme ishte rritja e çmimeve të karburanteve në bursat ndërkombëtare, e cila pritet të reflektohet edhe në koston e transportit dhe furnizimeve për sektorë të ndryshëm të ekonomisë. “Ju njoftojmë se: për shkak të rritjes globale të çmimeve të komponentëve elektronikë, veçanërisht të memories RAM, e ndikuar nga kalimi i industrisë nga DDR4 në DDR5 dhe kërkesa shumë e lartë nga teknologjitë e Inteligjencës Artificiale (AI), pritet një rritje çmimesh për disa produkte sigurie, si kamera vëzhgimi dhe sisteme alarmi. Produktet që përfshihen më shumë janë: IPC, NVR, XVR, PTZ, Whiteboard Monitorë, etj... Prodhuesit njoftojnë se çmimet e këtyre produkteve do të rriten midis 10% – 30%, me hyrje në fuqi nga data 01 Prill 2026. SSD po bashkëpunon ngushtë me prodhuesit për të minimizuar sa më shumë rritjen e çmimeve në tregun tonë”.