Kalimi i taksës së qarkullimit nga nafta te mjetet: Rama: Askush s’do pranojë të paguajë 4-fishin
2026-03-18 - 13:21
Në takimin e zhvilluar me drejtues të kompanive të furnizimit të naftës, Kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur edhe propozimit të shoqatës së hidrokarbureve për heqjen e taksës së qarkullimit nga nafta për ta kaluar në një taksë fikse te mjetet. “Një kërkesë që përsëritet, është të ulet taksa e qarkullimit. Taksa e qarkullimit e vendosur në strukturën e çmimit të karburantit. Për ata që e dëgjojnë këtë dhe nuk janë të informuar, nuk është problemi se ulet, po iku nga këtu, do shkojë diku tjetër, aty ku e kanë vendet që nuk e kanë në strukturën e çmimit. Nëse shkon diku tjetër, do shkojë tek përdoruesi i mjetit, në formën e taksës për mjetin. Nuk besoj se ka përdorues mjeti që do preferonte se në vend që ta paguante në strukturën e çmimit për aq sa harxhon, të paguajë 4-fishin e asaj që paguan sot për makinën. Dhe sipas kategorive të makinave të paguajë në ndonjë rast edhe 10-fishin”, tha Rama. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, u shpreh se qeveria nuk e sheh të arsyeshme ndryshimin e sistemit të taksave në kushtet aktuale. “Ne kemi analizuar gjerësisht, siç bëjmë në raste krizash, por edhe në punën tonë normale nëse do të ishte më vend të dilnim me një ndryshim të strukturës së taksave. Propozimet e ndryshme të shoqatave kanë qenë të lidhura me taksën e qarkullimit, e cila në modelin shqiptar aplikohet për litër, aplikohet në pompë në karburante. Arsyeja kryesore që ne kemi vendosur që kjo taksë të aplikohet për litër, është që ato makina që qarkullojnë më shumë, që përdorin më shumë karburant, përdorin më shumë rrugë, ato janë edhe konsumatorët që paguajnë më shumë. Një makinë që përdoret më pak paguan më pak. Kjo mendojmë që është një politikë e drejtë. Në kushtet kur ka një rritje të çmimeve, individët mund të zgjedhin të konsumojnë më pak. Deri në këto momente analizat na çojnë të mos jemi në vendimmarrje në ndryshimin e sistemit të taksave.” Në një propozim të detajuar, Shoqata e Hidrokarbureve sugjeroi që taksa aktuale prej rreth 32.4 lekë për litër të hiqet nga karburanti dhe të zëvendësohet me një tarifë vjetore të drejtpërdrejtë mbi automjetet, e diferencuar sipas kategorive dhe ndikimit në infrastrukturë. Importuesit: Reformoni taksën e qarkullimit, ulim menjëherë çmimin e naftës