TheAlbaniaTime

Ka një profesion që dëshmon se AI nuk po zhduk vende pune

2026-02-16 - 10:36

Radiologjia po kthehet në një nga shembujt më domethënës të debatit global mbi ndikimin e inteligjencës artificiale në tregun e punës. Një analizë e publikuar nga CNN tregon se, ndonëse frika për zëvendësimin e vendeve të punës nga teknologjia mbetet e fortë, realiteti në këtë profesion po shkon në një drejtim tjetër. Radiologjia është një nga fushat më të ekspozuara ndaj përdorimit të inteligjencës artificiale, për shkak të volumit të madh të të dhënave dixhitale dhe imazheve mjekësore që prodhon çdo ditë. Algoritmet e AI përdoren gjithnjë e më shumë për të analizuar skanime, për të identifikuar më shpejt rastet urgjente dhe për të ndihmuar mjekët të fokusohen te pacientët që kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se roli i radiologut po zhduket. Sidoqoftë, artikulli thekson qartë se punonjësit njerëzorë mbeten thelbësorë. CNN citon Jack Karsten, studiues në Qendrën për Teknologjitë e Sigurisë dhe Zhvillimit, i cili thotë se “(AI) jo vetëm që nuk po i zëvendëson këta punonjës, por në fakt po rrit sasinë e punës që ata mund të bëjnë dhe po rrit kërkesën për shërbimet e tyre”. Kjo perspektivë tregohet si “një të ardhme e ndritshme që industria e teknologjisë mund ta përdorë si shembull të asaj se si AI po bën mirë për ekonominë”. Sipas ekspertëve të cituar nga CNN, inteligjenca artificiale po vepron më shumë si një mjet ndihmës sesa si një zëvendësues. Vendimmarrja përfundimtare, interpretimi klinik, komunikimi me mjekët e tjerë dhe me pacientët, si edhe përgjegjësia profesionale mbeten detyrë e njeriut. AI mund të sinjalizojë një anomali të mundshme në një imazh, por nuk merr përgjegjësi për diagnozën përfundimtare dhe as për pasojat e saj. Të dhënat e tregut të punës tregojnë se profesionet e lidhura me radiologjinë pritet të rriten edhe në vitet në vijim, pjesërisht për shkak të plakjes së popullsisë dhe rritjes së kërkesës për shërbime shëndetësore. Në këtë kontekst, inteligjenca artificiale po shihet si një faktor që rrit produktivitetin dhe cilësinë e shërbimit, duke lejuar radiologët të analizojnë më shumë raste në më pak kohë dhe me më pak gabime./ CNN

Share this post: