TheAlbaniaTime

Janar-shkurt, tregu i sigurimeve shfaq përsëri rritje të dobët

2026-03-26 - 14:01

Tregu i sigurimeve ka shfaqur një rritje modeste edhe në muajin shkurt. Sipas statistikave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), për dy muajt e parë të vitit primet e shkruara bruto u rritën me 3.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja më e lartë po shënohet në segmentin e sigurimeve të Jo-Jetës, me 3.3%. Ndërkohë, tregu i jetës ka shënuar një rritje të vogël, me 1.1%. Ecuria e tregut paraqitet edhe më e dobët sipas numrit të kontratave, me një rritje vjetore prej vetëm 0.2%. Në veçanti, numri i kontratave ka ngelur pothuajse i pandryshuar në tregun e Jo-Jetës, ndërsa tregu i sigurimit të jetës shfaq një rritje të vogël me 1.5%. Tregu i sigurimeve ngelet i plogësht dhe kryesisht i përcaktuar nga e produktet e detyrueshme. Në tregun e Jo-Jetës, sigurimet motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta vazhdojnë të jenë dominuese, me pothuajse 67% të primeve të shkruara bruto. Pesha e tyre është në rritje të lehtë krahasuar me një vit më parë dhe ka ardhur nga zgjerimi në produktin e sigurimit të brendshëm për përgjegjësitë motorike ndaj palëve të treta. Primet e shkruara bruto nga ky produkt janë zgjeruar me 5.3% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, Kartoni Jeshil dhe Polica Kufitare paraqiten të dyja në rënie krahasuar me 2-mujorin e vitit të kaluar, çka sinjalizon më pak lëvizje ndërkufitare dalëse dhe hyrëse nga drejtues të mjeteve. Ndër produktet vullnetare, ecuri pozitive në këtë fillim viti ka shfaqur sigurimi i pronës nga zjarri dhe forcat e natyrës, me 18.6% më shumë krahasuar me janarin e vitit të kaluar. Në përgjithësi, luhatjet e këtij produkti lidhen me sigurime të rëndësishme në bizneseve. Sidoqoftë, ky produkt zë vetëm 8.8% të primeve të shkruara bruto të tregut. Ndërkohë, ky vit ka nisur me ecuri të dobët edhe për tregun e sigurimit të jetës, që në dy vitet e fundit kishte shfaqur ecuri më të mirë dhe norma më të larta të rritjes. Ky treg është thellësisht i varur nga produkti i sigurimit të jetës së debitorit, i lidhur kryesisht me kreditë bankare. Produkti në fjalë përbën pothuajse 81% të primeve të shkruara bruto dhe është në rritje edhe për muajt e parë të këtij viti. Por, rënia në disa prej produkteve të tjera me ndikim, si Jeta në Grup apo Jeta me Kursim, e ka frenuar ndjeshëm rritjen e tregut. Shkurti, ndërkohë, ka sjellë rritje të ndjeshme të dëmeve të paguara nga kompanitë e sigurimit. 2-mujori është mbyllur me një rritje të dëmeve në masën 8.5%, ndërsa për janarin dëmet kishin qenë në rënie me afërsisht 7%. Rritja e dëmeve ka ardhur kryesisht nga tregu i sigurimeve të Jo-Jetës, ku dëmet për dy muajt e parë të vitit janë rritur me pothuajse 16%.

Share this post: