TheAlbaniaTime

Italia ul akcizën e karburanteve deri më 7 prill, vë në dispozicion 417 mln euro

2026-03-19 - 12:51

Qeveria italiane, e drejtuar nga kryeministrja Giorgia Meloni, ka miratuar një dekret për uljen e përkohshme të akcizës së karburanteve, në përpjekje për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve të energjisë pas konfliktit me Iranin. Sipas dekretit të publikuar në Fletoren Zyrtare, Italia ka vënë në dispozicion rreth 417.4 milionë euro për të ulur akcizën e benzinës dhe naftës deri më 7 prill. Akciza është reduktuar nga 672.9 euro në 472.90 euro për 1,000 litra. Qeveria ka bërë të ditur se kostoja e kësaj mase do të mbulohet përmes shkurtimeve të shpenzimeve publike, ndërsa autoritetet po kërkojnë mënyra për të ndihmuar familjet dhe bizneset të përballojnë kostot e larta të energjisë. Paralelisht, dekreti parashikon masa kundër spekulimeve në tregun e karburanteve, përfshirë monitorim të shtuar të zinxhirit të furnizimit dhe mundësi për veprime ligjore ndaj rritjeve abuzive të çmimeve, me përfshirjen e policisë financiare dhe autoriteteve të konkurrencës. Masat janë të përkohshme, por qeveria ka sinjalizuar se mund të zgjaten nëse kriza energjetike vazhdon. Megjithatë, vendimi ka nxitur kritika nga analistët dhe opozita, të cilët e shohin si një lëvizje politike për të siguruar mbështetje përpara një referendumi të rëndësishëm javën e ardhshme mbi reformën e sistemit gjyqësor. “Një manovër politike e paguar nga taksapaguesit. Asgjë më shumë,” u shpreh analisti Wolfango Piccoli nga kompania londineze Teneo./ Reuters

Share this post: