TheAlbaniaTime

Çipa në shkretëtirë

2026-01-31 - 21:17

Arabia Saudite synon të ndërtojë qendrat e të dhënave më të lira në botë. Me tokë dhe energji të mjaftueshme në dispozicion, mbretëria mendon se ka gjetur avantazhin e saj, shkruan The Economist Dy orë në jug të Xhedahut, në bregun e Detit të Kuq të Arabisë Saudite, parku diellor Al Shuaiba mbulon 50 kilometra katrorë shkretëtirë. Faza e parë e projektit, e nisur në vitin 2024, prodhon 600 megavat energji elektrike me vetëm 3.9 halala saudite, pak më shumë se një cent, për kilovat/orë, gati një e njëzeta e kostos së prodhimit të energjisë në centralin bërthamor Hinkley Point C që po planifikohet në Britani. Plani i Arabisë Saudite për gjithë këtë energji të lirë është ta përdorë për të furnizuar qendra gjigante të të dhënave për Inteligjencën Artificiale (IA). Procesi i bërjes së pyetjeve dhe marrjes së përgjigjeve nga një sistem IA, përbëhet nga dy elemente: kostoja fikse e pajisjeve kompjuterike dhe kostoja e vazhdueshme e energjisë elektrike për t’i operuar ato. Kursimi te pajisjet është një ekonomi e rreme, pasi çipat më të rinj dhe më të shtrenjtë janë zakonisht edhe më efikasë në ekzekutimin e algoritmeve më të mira. Ofrimi i sistemeve IA më të lira, për rrjedhojë, varet nga përdorimi i energjisë më të lirë. Pikërisht këtu, Arabia Saudite beson se ka epërsinë. Kjo strategji u kthye në përparësi kombëtare në maj të vitit 2024 dhe mbështetet nga sundimtari de facto i shtetit, Muhammad bin Salman, i njohur si MBS. Një kompani e re, Humain, ka centralizuar përpjekjet nën drejtimin e Tareq Amin, kreut të Aramco Digital, krahu teknologjik i kompanisë shtetërore të energjisë. “Ne nisëm me vrap, jo thjesht duke ecur”, thotë Amin. Misioni i Humain lidhet ngushtë me strategjinë më të gjerë “Vision 2030” të Arabisë Saudite, që synon ta shkëpusë vendin nga varësia ndaj nxjerrjes së lëndëve fosile. Zbatimi i këtij vizioni, brenda kufizimeve ekzistuese, është “rreziku numër një”, thotë Amin. “Nuk kemi zgjedhje. Duhet ta bëjmë këtë, nuk ka plan B”. I lindur në Jordani, Amin ka përballuar më parë sfida të mëdha, duke punuar në projekte infrastrukturore për Reliance Jio, një kompani indiane e telekomunikacionit, dhe për Rakuten, një konglomerat japonez. Avantazhi saudit Kushtet duken të favorshme. Qendrat e të dhënave kanë nevojë për energji për të funksionuar, tokë ku të ndërtohen dhe çipa për t’i mbushur. E para është pika e fortë e Arabisë Saudite. Edhe e dyta sigurohet lehtë. Vendi është i madh dhe pak i populluar dhe, me mbështetje qeveritare, lejet e ndërtimit merren pa vështirësi. Në dy javët e para, thotë Amin, Humain identifikoi mbi 200 vende potenciale me akses në një furnizim energjie të kombinuar prej 15.6 gigavatësh, përfshirë katër parcela të mëdha të vendosura pranë burimeve të mjaftueshme të energjisë diellore. Çipat kanë qenë më problematikë. Udhëtimi i shtetit drejt qendrave të të dhënave për IA nisi me një marrëveshje mes Aramco Digital dhe Groq, një kompani prodhuese çipash për IA, jo modeli xAI me emër të ngjashëm, për blerjen e gjysmëpërçuesve me vlerë 1.5 miliardë dollarë në shkurt. Këta çipa janë të përshtatshëm për uljen e kostos së përdorimit të modeleve, duke e bërë më të lirë prodhimin e tokenëve, njësia bazë e përdorimit të IA. Një token është një copëz teksti që përdorin modelet e Inteligjencës Artificiale për të përpunuar gjuhën. Shumica e produkteve komerciale të IA aplikojnë një tarifë për çdo token të përdorur në një pyetje, për shembull 1.25 dollarë për milion për GPT-5 të OpenAI, dhe një tarifë të veçantë për çdo token të prodhuar në përgjigje, rreth 10 dollarë për milion. Oferta e Humain për kompanitë e IA është e thjeshtë: ekzekutoni modelet tuaja mbi energjinë saudite dhe prodhoni tokenët e daljes me një kosto shumë më të ulët se ajo që u faturohet klientëve. Me energji të lirë dhe çipa efikasë, Humain arriti t’i shesë tokenët e daljes me rreth gjysmën e çmimit të tregut, thotë Amin. Në nëntor, Humain siguroi çipat më të avancuar në treg. Një vizitë e MBS në SHBA, gjithashtu kryetar i Humain dhe fytyra e të cilit ndodhet në krye të faqes së saj të internetit, përfshiu një takim miqësor me Donald Trump, që hapi rrugën për një licencë importi prej 35 mijë çipash të nivelit më të lartë nga Nvidia, me një kosto rreth 1 miliard dollarë. Kjo nuk mjafton për të mbushur më shumë se një qendër të vetme të të dhënave për llojin e kompanive të mëdha të IA që Humain synon të operojë, por përfaqëson një kthesë të fortë nga përpjekjet e mëparshme amerikane për ta mbajtur harduerin më të vlefshëm të llogaritjes për IA vetëm për aleatët më të afërt. Pak më herët, AirTrunk, një ndërtues qendrash të të dhënave, kishte nënshkruar një marrëveshje prej 3 miliardë dollarësh me Humain për ndërtimin e një kampusi qendrash të të dhënave në vend. Arabia Saudite nuk po ndërton vetëm qendra të të dhënave, por edhe po i përdor ato. ALLAM, një model IA në gjuhën arabe i ndërtuar me Autoritetin Saudit për të Dhëna dhe IA, një tjetër strukturë shtetërore, u është vënë në dispozicion nëpunësve civilë. Humain ka nënshkruar gjithashtu marrëveshje me kompani si Adobe për ta integruar këtë model në aplikacionet e tyre. Ambiciet që vijnë më pas Partneritete të tilla sugjerojnë se Arabia Saudite është në rrugën e duhur për të ndërtuar themelet e një sektori të qëndrueshëm të IA, thotë Derar Saifan, partner në firmën e konsulencës PwC. Ai pret që vendi të hyjë në pesëshen e parë të qendrave globale të IA brenda pesë deri në shtatë vjetësh. Sukseset e hershme e kanë rritur më tej ambicien e Humain. Amin tani flet jo vetëm për eksportimin e tokenëve ose trajnimin e modeleve, por për ndërtimin e një “sistemi operativ të IA për ndërmarrjet, i pari në botë”, një konkurrent i drejtpërdrejtë i Microsoft Windows, ku departamentet e burimeve njerëzore, financave dhe ligjore zëvendësohen nga agjentë IA dhe ndërfaqja ndërtohet rreth komandave për chatbotë, në vend të klikimit mbi ikona. Është një vizion i guximshëm, ndoshta edhe utopik. “Nuk mund të anashkaloj afatet dhe kjo është ajo që më mban zgjuar”, thotë Amin. “Nuk po e nënvlerësoj aspak detyrën.”

Share this post: