Investitorët shqiptarë ndjekin diellin, biznesi 1.5 miliardë euro
2026-02-28 - 21:15
Energjia fotovoltaike po tërheq kapital me ritme të përshpejtuara, duke u kthyer në bosht të ri investimesh për bizneset tradicionale për aktorë të rinj që po diversifikojnë portofolin në këtë drejtim. Rritja e kapaciteteve të instaluara në centrale diellore, ku janë dhënë licenca për 980 MW, po shtyn transformimin e tregut energjetik drejt një strukture më të diversifikuar dhe më pak të varur nga hidroenergjia. Investimet private në sektor llogariten rreth 1.5 miliardë euro, duke përfshirë projekte diellore, eolike dhe hidroenergjetike. Megjithatë, zgjerimi i shpejtë i këtij segmenti po vë në provë infrastrukturën ekzistuese, duke kthyer vëmendjen drejt nevojës për më shumë investime për të përballuar këtë potencial që po zhvillohet. Pa investime paralele në rrjet, ritmi i rritjes së fotovoltaikëve rrezikon të tejkalojë aftësinë e sistemit për të përballuar këtë prodhim. Edhe këtë herë, në “maratonë” biznesi duket se është përpara institucioneve. Nertila Maho Në vitin 2017, kur Shqipëria miratoi për herë të parë kuadrin ligjor “Për burimet e rinovueshme të energjisë”, pakkush mund të imagjinonte transformimin që do të pasonte thuajse një dekadë më vonë. Energjia diellore është shndërruar në një magnet për kapitalin, duke tërhequr jo vetëm sipërmarrje tradicionalisht të orientuara drejt sektorit energjetik, por edhe biznese nga industri të tjera që po diversifikojnë portofolin e tyre të investimeve. Fillimi për burimet e rinovueshme, dhe veçanërisht për energjinë diellore, ishte i ngadaltë dhe kompleks. Procedurat burokratike, mungesa e eksperiencës institucionale dhe një treg energjetik në reformim e mbajtën sektorin në ritme të kufizuara. Përshpejtimi real erdhi nga dy zhvillime kyçe. Së pari, liberalizimi i tregut energjetik krijoi hapësirë për vetëprodhuesit — një segment në rritje që ka të drejtë të instalojë kapacitete deri në 500 MWp. Së dyti, dhe me efektin më të thellë, ishte kriza globale e energjisë që nisi në tetor 2021. Kombinimi i rritjes së kostove të lëndëve të para në periudhën post-pandemike, kërkesës së përshpejtuar për energji, si pasojë e rimëkëmbjes ekonomike dhe luftës në Ukrainë, që çoi në ndërprerjen e furnizimeve me gaz rus, solli një goditje të paprecedentë në tregjet energjetike. Në vitin 2022, çmimet arritën nivele rekord. Shqipëria nuk ishte përjashtim: vendi shpenzoi afro gjysmë miliard euro për të plotësuar nevojat e importit, ndërsa në bursën hungareze, një pikë reference për rajonin, çmimi rekord i energjisë arriti 1,037 euro për MWh. Edhe pse çmimet më pas hynë në trajektore rënëse, paqëndrueshmëria mbeti e lartë dhe vazhdon të jetë e pranishme edhe sot, megjithëse jo në të njëjtat nivele ekstreme. Pikërisht kjo klimë pasigurie u kthye në nxitësin kryesor të projekteve të reja energjetike. Investimet private në sektor llogariten rreth 1.5 miliardë euro, duke përfshirë projekte diellore, eolike dhe hidroenergjetike. Autoritetet raportojnë se gjatë viteve të fundit në sektorin energjetik shqiptar janë angazhuar mbi 2 miliardë euro investime. “Aktualisht operojnë mbi 700 MW kapacitete të reja fotovoltaike private, ndërsa rreth 400 MW kapacitete shtesë u përkasin vetëprodhuesve. Portofoli në zhvillim pritet t’i çojë kapacitetet totale në rreth 1,500 MW me teknologji fotovoltaike dhe eolike, ndërsa mbi 1,600 MW kapacitete depozituese janë në fazë studimi dhe në procese lehtësimi financiar”, do të nënvizonin përfaqësues të qeverisë në janar. Licencat e dhëna dhe kapacitetet në operim Pavarësisht numrit të madh të projekteve në faza të ndryshme të procesit administrativ, vetëm një pjesë e tyre kanë arritur të marrin licencë prodhimi. Enti Rregullator i Energjisë ka dhënë deri më sot 71 licenca për prodhim energjie nga impiante fotovoltaike, me kapacitet total të instaluar rreth 980 MW. Pjesa dërrmuese e projekteve të licencuara i përkasin kategorisë së impianteve deri në 2 MW, një segment që përfitoi disa vite më parë nga një kuadër i lehtësuar rregullator. Për këtë kategori, miratimi mund të realizohej përmes një procedure të përshpejtuar, ndërsa energjia e prodhuar përfiton nga mekanizma mbështetës, përfshirë çmime referencë të përcaktuara periodikisht nga rregullatori. Energjia blihet nga OSHEE Group në një skemë të ngjashme me atë të prodhuesve me përparësi në hidroenergji. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre subjekteve operojnë si prodhues të pavarur në tregun e lirë. Liberalizimi i furnizimit me energji ka shtyrë mijëra biznese të sigurojnë energjinë përmes kontratave me furnizues privatë, duke krijuar një bazë të qëndrueshme kërkese për prodhuesit e rinj. Projektet fotovoltaike kanë edhe një avantazh, pasi përfitojnë nga fleksibiliteti teknik, pra mund të hyjnë në operim në faza, duke prodhuar energji edhe para përfundimit të plotë të investimit. Kjo panoramë, e karakterizuar nga kërkesa në rritje dhe hyrje të vazhdueshme kapacitetesh të reja, pritet të ndryshojë në mënyrë të ndjeshme strukturën e prodhimit të energjisë në vend në afatmesëm. Projektet e mëdha dhe rritja e peshës së fotovoltaikëve Prodhimi i energjisë nga impiantet fotovoltaike ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë vitit 2025. Edhe pse të dhënat përfundimtare vjetore nuk janë publikuar ende, treguesit paraprakë sinjalizojnë ecuri pozitive. Sipas publikimit të INSTAT në Bilancin e Energjisë për periudhën janar–shtator, grupi “Të tjerë prodhues”, ku përfshihen impiantet fotovoltaike, prodhoi 775 GWh, me dyfishim nga e njëjta periudhë e një viti më parë. Edhe në krahasim me gjithë vitin 2024, kur u prodhua gjithsej nga 506 GWh, vetëm për 9 mujorin 2025, prodhimi ishte 53% më i lartë. Burimi: INSTAT Energjia fotovoltaike përbën rreth 15.3% të prodhimit neto të energjisë në vend për të njëjtën periudhë, më shumë se dyfish krahasuar me vitin 2024. Pritshmëria është që kjo peshë të vazhdojë të rritet progresivisht, ndërsa numri i centraleve që hyjnë në operim mbetet në rritje të vazhdueshme. Ndër projektet më të mëdha në prodhim është parku diellor i Karavastasë, i zhvilluar nga Voltalia, me kapacitet 140 MW. Në operim janë gjithashtu projektet Blue, me kapacitet të kombinuar 130 MW, Nova Solar System me 50 MW, si dhe impiante në Ersekë, me kapacitet 20 MW secili. Në faza të ndryshme zhvillimi janë projekte si GreeNNat Solar Park Ballsh me 100 MW, Faethon me 78.6 MW, Sunny Side Energy me 50 MW i grupit Kastrati dhe Spitalla Solar me 100 MW, po në pronësi të Voltalia. Rritja e shpejtë e kapaciteteve fotovoltaike po riformaton gradualisht tregun energjetik të Shqipërisë. Sektori po kalon nga një strukturë, ku historikisht ka mbizotëruar nga hidroenergjia, drejt një modeli më të diversifikuar, me varësi më të ulët nga importet dhe me ekspozim më të kufizuar ndaj luhatjeve ekstreme të tregjeve ndërkombëtare të energjisë. Burimi: INSTAT BERZH: Shqipëria ka potencial të lartë, por sfidë akomodimi i kapaciteteve Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është një nga institucionet që ka nxitur që në fillim të herës orientimin drejt burimeve të rinovueshme të energjisë duke u bërë një nga bashkëpunëtorët kryesorë në ankandet e para të fotovoltaikëve për qeverinë. Në atë kohë, me ndihmën e BERZH, qeveria do të konsultohej për termat dhe hapat që duhet të hidheshin për garën e Karavastasë që ishte edhe impianti i parë me shkallë të lartë në vend. Ekaterina Solovova, Përfaqësuese Rezidente e BERZH-it në Shqipëri, tha për “Monitor” më herët se potenciali i energjisë së rinovueshme mbetet i konsiderueshëm në vend. “Shqipëria ka një potencial shumë të mirë për zhvillimin e energjisë diellore, falë pozicionit të favorshëm gjeografik dhe nivelit të lartë të rrezatimit diellor, faktorë që vijojnë të tërheqin interes të fortë dhe në rritje nga investitorët. BERZH ka qenë një partner zhvillimi afatgjatë i Shqipërisë në sektorin e energjisë dhe ka luajtur një rol kyç në forcimin e sigurisë energjetike të vendit, si përmes asistencës në politika, ashtu edhe përmes investimeve të synuara” tha znj. Solovova. Por përtej këtij potenciali duket se ajo që do të përbërë sfidë është akomodimi i këtij potenciali me infrastrukturën e nevojshme të transmetimit. Pikërisht në këtë drejtim duket se do të angazhohet edhe qasja e BERZH në vazhdim. “Megjithëse potenciali është i konsiderueshëm, integrimi në shkallë të gjerë i burimeve të rinovueshme kërkon infrastrukturë të përshtatshme. Pavarësisht përparimit të dukshëm të viteve të fundit, kapaciteti i rrjetit dhe fleksibiliteti i sistemit mbeten sfida kryesore. Për këtë arsye, qasja jonë kombinon financimin e projekteve të prodhimit nga burimet e rinovueshme me investime në infrastrukturën kritike mbështetëse, përfshirë mbështetjen për operatorët kombëtarë të shpërndarjes dhe transmetimit të energjisë. Një shembull konkret është paketa e financimit të lidhur me qëndrueshmërinë që BERZH i ka ofruar këtë vit OSHEE-së. Duke ristrukturuar detyrimet afatshkurtra në financim më të qëndrueshëm afatgjatë, kjo paketë ndihmoi në çlirimin e investimeve për përmirësime thelbësore të rrjetit të shpërndarjes, duke rritur qëndrueshmërinë e sistemit dhe duke lehtësuar integrimin e niveleve më të larta të energjisë së rinovueshme. Paralelisht, kemi punuar ngushtë me operatorin e sistemit të transmetimit, OST, përmes dy projekteve të bashkëpunimit teknik të financuara me grante të Bashkimit Europian: (i) projekti i parë synon mbylljen e unazës së rrjetit kombëtar të transmetimit dhe modernizimin e nënstacionit të Fierit, aktualisht një nga zonat më të mbingarkuara për energjinë fotovoltaike në vend; dhe (ii) projekti i dytë mbështet zhvillimin e një linje të re ndërkufitare transmetimi me Kosovën, duke forcuar lidhjet rajonale dhe duke rritur fleksibilitetin për flukset e energjisë së rinovueshme. Përtej investimeve në infrastrukturën fizike, ne vijojmë të mbështesim zhvillimin e kuadrit politik dhe të tregut që mundëson këtë tranzicion. Përmes nismave si Programi për Përshpejtimin e Tregut të Energjisë së Rinovueshme (REMA), Banka ka ndihmuar tashmë autoritetet në dhënien e rreth 800 MW kapacitet të ri nga burimet e rinovueshme, përmes skemës së kontratave që kompensojnë diferencën (CfD). Shqipëria ndodhet në një pikë kritike: e pasur me potencial të lartë të energjisë së rinovueshme, por njëkohësisht përballë kufizimeve infrastrukturore që kërkojnë investime të konsiderueshme në kapacitetin e rrjetit dhe stabilitetin e sistemit. Është e rëndësishme të ruhet momentumi dhe të sigurohet që, me kombinimin e duhur të reformave të politikave, të investimeve strategjike dhe të partneriteteve të forta, Shqipëria të arrijë të shfrytëzojë plotësisht potencialin e saj energjetik të rinovueshëm dhe të pozicionohet si një qendër rajonale e energjisë” nënvizon znj. Solovova. BEI: Në vitin 2030, energjia diellore mund të arrijë 1 GW, si po e nxit strategjia Alessandro De Concini, përfaqësues i Bankës Europianë të Investimeve (BEI) në Shqipëri do të nënvizonte për “Monitor” se kredencialet e gjelbra të Shqipërisë janë mbresëlënëse, por të brishta. Sipas tij, varësia nga hidroenergjia e bën atë të ekspozuar nga paqëndrueshmëria e reshjeve dhe goditjet klimatike. Por në këtë kontekst duket se kjo nevojë për diversifikim dhe rritje të sigurisë po udhëheq rritjen e energjisë diellore dhe asaj të erës. “Energjia diellore mund të arrijë 1 GW dhe ajo e erës 600 MW deri në vitin 2030, me reformat e fundit që zbutin pengesat e licencimit dhe ankandit. Por rreziku klimatik është i madh: vlerësohet se përmbytjet, zjarret dhe rrëshqitjet e tokës mund të kushtojnë deri në 7% të PBB-së deri në mesin e shekullit. Strategjia energjetike e Shqipërisë i jep përparësi sigurisë së furnizimit, diversifikimit, konkurrencës dhe mbrojtjes së mjedisit, të mbështetura nga masat e harmonizimit ligjor dhe efikasitetit në linjë me BE-në” do të nënvizonte z. De Concini. Sa i takon kësaj duket se në vijim, planet e BEI-t për Shqipërinë do të orientohen edhe në modernizimin e infrastrukturës, ku janë hartuar projekte të reja të energjisë së rinovueshme dhe janë bërë përmirësime në rrjet, me qëllim sigurimin e furnizimit gjatë gjithë vitit dhe stabilizimin e çmimeve. Pse investitorët po preferojnë energjinë, planet për zgjerim Nxitja e projekteve të mëdha përmes ankandeve, ku qeveria ka luajtur rolin lehtësues ose përmes vënies në dispozicion të tokës ose përmes lehtësimit të procedurave, ishte hapi i parë për investimet në fotovoltaikë që nisi në kohën e pandemisë. Por një pjesë tjetër e investitorëve kanë guxuar të shkojnë drejt këtij segmenti pa skema mbështetje, pa sigurim të tokës, por vetëm me plane të qarta biznesi në një treg që e njihnin mirë. Në një intervistë për “Monitor”, Besnik Leskaj, Themelues dhe President i Grupit Blessed Investment, thotë pse energjia ishte fusha ku do të orientoheshin viteve të fundit. “Duke njohur mirë sektorin, realizova një sërë analizash mbi evolucionin e kostos së teknologjisë fotovoltaike, eficiencën e saj, si dhe mbi çmimet e energjisë elektrike në tregjet rajonale dhe europiane. Konkluzioni ishte i qartë: investimi kishte një rikthim pozitiv dhe një profil risku të menaxhueshëm në afat të gjatë. Këtë konkluzion e ndava edhe me vëllain tim, i cili prej mbi 30 vitesh operon në sektorin e ndërtimit me kompaninë Matriks Konstruksion, dhe së bashku vendosëm të investojmë. Paralelisht, unë kisha identifikuar zonat dhe terrenet e përshtatshme për zhvillimin e projekteve fotovoltaike. Që në fillim, ideja jonë ishte e qartë: të ndërtonim dhe të operonim projekte tërësisht private, pa subvencione shtetërore, në tokë private, me shitje të energjisë përmes kontratave private dhe jo publike. Ky model na lejonte fleksibilitet, disiplinë financiare dhe një lidhje direkte me tregun real të energjisë”, pohon z. Leskaj. Energjia diellore ku kapaciteti i instaluar është rritur ndjeshëm, nuk është i vetmi segment me interes për kompaninë. Energjia eolike është gjithashtu pjesë e planeve duke mos përjashtuar edhe hidron. Z.Leskaj nënvizon se janë dy projekte me kapacitet të instaluar 25 MW për energjinë eolike. Njëkohësisht kompania po investon në teknologjinë e ruajtjes së energjisë, sistemet me bateri. “Parqet Blue, që mbulojnë një sipërfaqe totale prej 230 hektarësh në pronësi të vetë shoqërive dhe përbëhen nga 263,000 panele diellore me teknologji smart, synojnë të ndërtojnë një portofol projektesh prej rreth 1 GW në afatin e mesëm. Aktualisht, një plan strategjik prej 400 MW është në zhvillim, duke krijuar një bazë të fortë për zgjerim të mëtejshëm dhe për pozicionim konkurrues në tregun e energjisë së rinovueshme” nënvizon z. Leskaj. Rritja e fotovoltaikëve nxit zinxhirin mbështetës në vend Rritja e investimeve në fotovoltaikë ka nxitur një seri efektesh zinxhir në vend, që nga rritja dhe trajnimi i burimeve njerëzore të posaçme për këtë profil, si dhe zgjerimin e tregut të instilatorëve, e deri te prodhimi i elementeve plotësuese të lidhura me të. Një shembull i tillë është Emante sh.p.k që ka zgjeruar aktivitetin edhe në prodhimin e strukturave që instalohen në tokë, të realizuara me çelik Magnelis. “Kërkesa për struktura mbajtëse të impianteve fotovoltaike ka shënuar rritje të vazhdueshme vitet e fundit, e nxitur nga zgjerimi i investimeve në energji të rinovueshme në Shqipëri dhe eksportet drejt tregjeve të jashtme. Fillimisht, projektet ishin kryesisht pilot ose të vogla, ndërsa vitet e fundit dominon ndërtimi i impianteve më të mëdha. Kjo ka rritur jo vetëm volumet e kërkesës, por edhe standardet teknike për struktura më të forta, të certifikuara dhe të përshtatshme përkushte klimatike të ndryshme”, pohon Anxhela Brahimaj, Menaxhere e Përgjithshme e Emante sh.p.k. Disa nga projektet ku kompania ka qenë bashkëpunëtore në sigurimin e materialeve janë nga Nova Solar 74 MW në Seman të Fierit dhe Info-Telecom, 101.5 MW, në Ballsh të Fierit, tek të tjera projekte më të vogla nga 2.4 MW, 1 MW, 500 kWp dhe 200 kWp për kompani të ndryshme. Znj. Brahimaj nënvizon se rritja e shpejtë e këtij sektori paraqet potencial për tregun që kompanitë të kenë integrim vertikal duke zgjeruar gamën e prodhimeve të tyre. “Ekziston gjithashtu një potencial i konsiderueshëm për integrim vertikal, duke zgjeruar ofertën me aksesorë montimi, sisteme fiksimi dhe struktura speciale për aplikime të veçanta, gjë që rrit vlerën e shtuar dhe plotëson më shumë shërbimin që ofrojmë për klientët” nënvizon ajo. Sfida e menaxhimit të mbetjeve në fund të ciklit të jetës së paneleve Shqipëria, ashtu si shumë vende në botë nën efektin e post krizës së energjisë, po investon ndjeshëm në impiante fotovoltaike. Në dekadat që do të vijnë, pyetja që do të ketë është si do të trajtohen mbetjet që gjenerohen nga kjo industri në fund të ciklit të jetës. Rritja e shpejtë e paneleve fotovoltaike po krijon një valë të re mbetjesh industriale që po shtron para sfida menaxhimi për vende të ndryshme që e kanë nisur më herët këtë rrugëtim. Panelet kanë jetë mesatare 25–30 vjet, çka do të thotë se vala e parë e instalimeve masive po afrohet me fundin e ciklit. Sipas vlerësimeve të International Energy Agency, mbetjet e paneleve mund të arrijnë dhjetëra milionë tonë deri në vitin 2050. Rreziku kryesor lidhet me përmbajtjen e materialeve si qelqi i trajtuar, silikon, metale të rralla dhe në disa raste, substanca toksike. Riciklimi aktual është teknikisht i mundur, por shpesh ekonomikisht jo konkurrues me prodhimin e paneleve të reja. Në mungesë të infrastrukturës së riciklimit, panelet e vjetra rrezikojnë të përfundojnë në landfill ose të eksportohen si mbetje. Bashkimi Europian ka vendosur detyrime ligjore për mbledhjen dhe riciklimin e paneleve në fund të jetës. Prodhuesit në Europë mbajnë përgjegjësi të zgjeruar për produktin, duke financuar trajtimin e mbetjeve. Kina, prodhuesi më i madh global, po investon në impiante riciklimi në shkallë industriale. ShBA dhe Japonia po eksperimentojnë me modele ekonomike që rikuperojnë materiale me vlerë të lartë. Teknologjitë e reja synojnë ndarjen më efikase të silikonit dhe metaleve për ripërdorim në prodhim. Një treg sekondar për panele të përdorura po shfaqet në vendet në zhvillim, duke zgjatur ciklin e jetës. Megjithatë, analistët paralajmërojnë për një hendek mes ritmit të instalimeve dhe kapaciteteve të riciklimit. Sfida kryesore mbetet financimi i infrastrukturës përpara se vala e mbetjeve të arrijë kulmin. Energjia e pastër mbetet përparësi globale, por menaxhimi i mbetjeve fotovoltaike po bëhet testi i radhës për qëndrueshmërinë reale. Burimi: ERE Stoku i kredisë tek energjia u rrit me 19% Dy nga sektorët që kanë pasur një dinamikë më të madhe në vend në vitet e fundit janë turizmi dhe energjia, diçka e reflektuar edhe në kërkesën e biznesit për t’u kredituar. Nëse ndalemi vetëm tek energjia, të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se stoku i kredisë për energjinë është rritur me 19% duke arritur në 47 miliardë lekë, apo 470 milionë euro në dhjetor 2025. Kredia për këtë sektor përbën 9% të stokut total dhënë për bizneset private. Lista e “Monitor 200” sipas fitimit, energjia rrit praninë Investimi në centrale diellore ka tërhequr pranë vetes viteve të fundit kompani që tradicionalisht janë angazhuar në sektorë të tjerë si ndërtim, tregti me shumicë dhe import-eksport. Në specialen e revistës “Monitor 200” sipas fitimeve 2024, publikuar në nëntor 2025, rezulton që energjia po përfshin gjithmonë e më shumë emra në hallka të ndryshme të saj ku janë 3 tregtues, 11 prodhues të energjisë nga uji dhe 3 fotovoltaikë, ose të lidhur me ciklin e energjisë diellore. Normat e fitimit të tyre variojnë dukshëm nga një segment tek tjetri. Rezultatet më të larta i kanë hidrocentralet e vogla që janë gjithnjë në listën sipas fitimeve, me norma prej 50-70%. Centralet fotovoltaikë që kanë hyrë në vitin 2024 në listë kishin norma midis 12 dhe 50%, ndërsa tregtuesit kanë nivele njëshifrore kthimi për shkak të volumit të lartë të parave që qarkullojnë. Por cilat janë në fakt këto kompani? “Karavasta Solar”, që është pjesë e shoqërisë franceze të energjisë së rinovueshme “Voltalia” dhe ka nën menaxhim impiantin e Karavastasë me kapacitet 140 MW, po rritet me shpejtësi, që nga viti 2023, kur filloi prodhimin e energjisë. Të ardhurat e shoqërisë ishin rreth 3.5 miliardë lekë në vitin 2024, sipas të dhënave nga kompania. Fitimi ishte rreth 2 miliardë lekë, po sipas Tatimeve, me një normë prej rreth 57%. “Voltalia” fitoi ankandin e parë të qeverisë për Karavastanë, ku ofroi një çmim 24,89 euro për megavat. Sipas marrëveshjes, 70 megavat janë të ndara për prodhim dhe shitje në treg të lirë dhe 70 megavat me çmim të rregulluar. Çmimi i rregulluar zgjat për 15 vjet dhe do të blihet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë. Impianti i Karavastasë prodhoi vitin e shkuar 258.3 GWH dhe përbënte 3.2% të prodhimit neto vendas dhe më shumë se gjysmën e gjithë energjisë nga dielli, sipas ERE. Një tjetër projekt i “Voltalia” është Parku Fotovoltaik i Spitallës, që do të ketë kapacitet të instaluar 100 MW, nga të cilat 70 MW do të blihen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, nëpërmjet një kontrate për blerjen e energjisë me çmim të paracaktuar dhe 30 MW do të tregtohen në treg të lirë. Por ky projekt nuk ka avancuar me ritmet e pritshme. Ndryshe nga Karavastaja, për ankandin e Spitallës, gara u mbyll me çmim 29.89 euro/MWh, për 70% të kapacitetit të fiksuar për 15 vjet, ndërsa pjesa tjetër do të shitet në treg të lirë. “SPV Blue 1”, një subjekt i regjistruar në vitin 2021, pikërisht në periudhën kur kriza e energjisë po dukej në horizont, mori lejen për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar prej 50 MW, të pagëzuar me emrin “Blue 1”. Ndërtimi i parkut solar nisi në korrik 2022, në kulmin e krizës që kishte përfshirë tregjet globale dhe kishte tronditur sistemet energjetike të vendeve të BE-së. Pas gati dy vitesh punime, impianti u komisionua në maj 2024, duke i dhënë kompanisë mundësinë të niste zyrtarisht prodhimin e energjisë elektrike. Kompania ka deklaruar të ardhura prej 680 milionë lekësh në 2024-n dhe deklaroi fitime 380 milionë lekë, me një normë gati 56%. Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, prodhimi i energjisë nga dielli nga ky operator ishte rreth 72 mijë MWH, ose rreth 15% e totalit të energjisë së diellit. Energjia e përfituar nga impianti shitet në tregun e lirë duke e bërë “Blue 1” një nga projektet e para që funksionon jashtë skemave mbështetëse, teksa është një nga më të mëdhenjtë në kapacitet pas Karavastasë që ka hyrë gjithashtu në prodhim në fund të vitit 2023. Impianti është i vendosur në Sheq Marinas, Fier, në një sipërfaqe 78 hektarë. Kompania zotërohet në 51% nga “Blessed Investment”, një kompani që vepron kryesisht në fushën e zhvillimit të pasurive të paluajtshme, ndërsa 49% e aksioneve janë në pronësi të “Matrix Konstruksion”, që operon kryesisht në fushën e ndërtimit dhe infrastrukturës. Ndërtimi i “Blue 1” shënoi pak vite më parë prirjen në rritje të grupeve të ndërtimit për të diversifikuar investimet e tyre drejt sektorit të energjisë së rinovueshme, diçka që vazhdon ende. “EZ5 Energy”, që ofron një zgjidhje të plotë për ciklin e energjisë diellore, është një hyrje e re në listën e më fitimprurësve. Kompania deklaroi rritje të shpejtë të të ardhurave, me 245%, në 1.4 miliardë lekë. Edhe fitimet u më se katërfishuan në 265 milionë lekë. Norma ishte 19%. Sipas burimeve zyrtare, kompania e themeluar në vitin 2019, nisi veprimtarinë si tregtare e energjisë diellore në tregun e lirë shqiptar. Në vitin 2021, kompania ndërtoi parkun e saj fotovoltaik prej 10 MW në Fier, duke kontribuar në tranzicionin drejt energjisë së pastër. Sot, “EZ5 Energy” operon një nga fabrikat më moderne të strukturave për panele diellore në rajon, në Vrrina të Durrësit, me kapacitet prodhimi deri në 3 MW struktura mbështetëse në ditë. Kompania përdor çelik të veshur me Magnelis® me performancë të lartë dhe ndjek standarde ndërkombëtare të certifikuara. Kompania ka mbi 50 punonjës, mbi 144+ MWp kapacitet të instaluar dhe prodhon rreth 20,000 MWh energji të pastër çdo vit. “Nova Solar System” ishte prodhuesi i tretë më i madh i energjisë nga dielli në vend, me kapacitet të instaluar 50 MW. Në vitin 2024 prodhoi sipas ERE-s gati 30 mijë MW. Të ardhurat sipas bilancit ishin gati 200 milionë lekë dhe fitimet gati 100 milionë lekë, me normë prej 50%, por kompania nuk është ende pjesë e “Monitor 200”, sipas fitimeve. Lexoni edhe: Besnik Leskaj: Synojmë një portofol projektesh rreth 1 GW brenda dekadës Anxhela Brahimaj: Investimet në fotovoltaikë kanë rritur kërkesën për mbajtëse, ja avantazhi përballë importit