TheAlbaniaTime

Investimet e huaja direkte u rritën përsëri në 2025, bashkë me varësinë nga pasuritë e paluajtshme

2026-03-25 - 11:41

Investimet e huaja direkte u rritën për të pestin vit radhazi në 2025 dhe arritën një rekord të ri historik. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë ato shënuan vlerën e 1.64 miliardë eurove, në rritje me 3.5% krahasuar me një vit më parë. Edhe për vitin e kaluar pjesa më e madhe e investimeve të huaja direkte konsistoi në fitime të riinvestuara të investitorëve ekzistues, por megjithatë kontributin kryesor në rritjen vjetore e dhanë investimet e reja. Sipas Bankës së Shqipërisë, për vitin 2025 investimet e reja arritën në 798 milionë euro, në rritje me 13.5% krahasuar me një vit më parë. Ndërsa fitimi i riinvestuar kishte vlerën e 837 milionë eurove, në rënie me 1.9% krahasuar me vitin 2024. Fitimet e riinvestuara kishin sidoqoftë peshën më të madhe në strukturën e investimeve të huaja direkte edhe vitin e kaluar, me më shumë se 51% të vlerës vjetore të investimeve të huaja. Edhe tremujori i fundit i vitit 2025 shënoi rritje të investimeve të huaja. Ato u vlerësuan nga Banka e Shqipërisë në 427 milionë euro, me rritje vjetore prej 1%. Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë tremujorit të katërt 2024, flukset valutore hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme, në masën 37%, sektorin e ndërmjetësimit financiar, në masën 17%, në sektorin e energjetikës, në masën 9%, në sektorin e hidrokarbureve, në masën 6% si dhe komunikacionit, në masën 5%. Këto të dhëna konfirmojnë edhe njëherë peshën e qëndrueshme që ka fituar sektori i pasurive të paluajtshme në strukturën e investimeve të huaja. Për të gjithë vitin 2025, pasuritë e paluajtshme sollën më shumë se një të tretën e investimeve të huaja direkte. Kërkesa nga jorezidentët vlerësohet se ka mbështetur në një masë të madhe rritjen e çmimeve të pasurive të paluajtshme, veçanërisht në zonat bregdetare. Investimet e huaja direkte luajnë një rol të rëndësishëm në bilancin e pagesave, duke kompensuar deficitin e llogarisë korrente dhe nevojat e ekonomisë për valutë të huaj në importin e mallrave. Sipas Bankës ë Shqipërisë, investimet e huaja direkte kanë qenë një ndër faktorët kryesorë në forcimin e vazhdueshëm të Lekut në kursin e këmbimit valutor në vitet e fundit. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye mesatarisht vitin e kaluar me 97.85 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Kursi mesatar zyrtar i këmbimit Euro-Lek pësoi një rënie me 2.8% krahasuar me vitin 2024. Kursi mesatar i këmbimit të Euros me Lekun ka ardhur vazhdimisht në rënie pas vitit 2013, duke përjashtuar vitin e pandemisë, 2020, vit në të cilin shumica e treguesve ekonomikë pësuan shmangie të konsiderueshme, për shkak të ndikimit të masave kufizuese. Burimi: Banka e Shqipërisë

Share this post: