TheAlbaniaTime

Integrim pa transformim? Shqipëria nuk duhet të pranojë një periferi të përhershme

2026-02-28 - 13:14

Nga Jorida Tabaku Propozimi i fundit për një integrim të përshpejtuar ekonomik të Ballkanit Perëndimor në Tregun e Përbashkët dhe në zonën Schengen, duke shtyrë anëtarësimin e plotë institucional për më vonë, po paraqitet si zgjidhje pragmatike në kohë tensionesh gjeopolitike — nga dy vende që nuk shquhen për rezultate në demokraci dhe zbatim të ligjit. Në sipërfaqe tingëllon racional: Europa përballet me sfida të brendshme, vendimmarrja është e komplikuar, rajoni ka nevojë për rezultate konkrete. Pse të mos marrim përfitimet ekonomike tani dhe të diskutojmë anëtarësimin e plotë më vonë? Por problemi nuk është teknik. Problemi është themelor. Bashkimi Europian nuk është thjesht një treg pa tarifa doganore. Është një rend demokratik i ndërtuar mbi institucione të forta, barazi para ligjit dhe kufizim të pushtetit. Ky rend nuk funksionon i ndarë në pjesë. Historia e zgjerimit pas vitit 1989 e ka provuar qartë: integrimi ekonomik ka qenë gjithmonë pasojë e transformimit institucional, jo zëvendësim i tij. Vendet që u anëtarësuan ndërtuan shtet funksional, drejtësi të pavarur dhe rregulla të qëndrueshme. Nga ky mjedis operues lindi rritja ekonomike dhe prosperiteti për qytetarët e tyre. Baza e këtij prosperiteti ishte demokracia funksionale dhe sundimi i ligjit. Sot, kërkesa për të marrë përfitimet ekonomike përpara se të përfundojë transformimi demokratik përmbys këtë logjikë. Përfitimet vijnë përpara standardeve. Kjo është një kthesë e rrezikshme, që në afatgjatë nuk i shërben askujt — as vendeve kandidate, as vetë Bashkimit Europian. Nuk mund të përthithësh fonde europiane pa garantuar standarde europiane në institucione. Fondet e BE-së janë të lidhura me shtetin e së drejtës, me konkurrencën e ndershme dhe me transparencën. Nëse ndërtojmë integrimin mbi premisën e marrjes së fondeve përpara ndryshimeve rrënjësore demokratike, rrezikojmë të humbasim thelbin e procesit transformues që e ka bërë zgjerimin një histori suksesi. Qytetarët shqiptarë nuk janë të lodhur nga Brukseli. Ata janë të lodhur nga mungesa e drejtësisë dhe barazisë në shtëpinë e tyre. Të dhënat e Barometrit të Ballkanit, publikuar nga RCC, tregojnë prej vitesh një paradoks domethënës: mbështetja për BE mbetet ndër më të lartat në rajon, ndërkohë që besimi tek institucionet vendase mbetet i ulët. Integrimi shihet si garanci standardesh, jo thjesht si lehtësi lëvizjeje. Nëse sot u japim qeverive akses të zgjeruar ekonomik pa garantuar institucione të forta, rrezikojmë të forcojmë pikërisht deformimet që qytetarët duan të kapërcejnë. Kjo do të ishte një lojë me humbës të dyfishtë: humbet procesi integrues i BE-së dhe humbet procesi transformues që vendet kandidate duhet të përmbushin. Shembujt janë konkretë. Bujqësia shqiptare vazhdon të përballet me braktisje dhe mungesë mbështetjeje reale, pavarësisht retorikës për rritje dhe integrim. Shqipëria ende nuk ka ngritur një Bankë Zhvillimi funksionale sipas modeleve europiane për të mbështetur prodhuesit dhe sipërmarrjen e ndershme. Në një ekonomi ku konkurrenca deformohet nga klientelizmi dhe përqendrimi i vendimmarrjes, hapja drejt tregut europian pa korrigjuar këto deformime rrezikon të zgjerojë pabarazitë. Një treg i lirë kërkon rregulla të forta. Një ekonomi e hapur kërkon drejtësi të pavarur. Një shtet që shmang llogaridhënien kërkon gjithmonë rrugë të shkurtra. Thuhet se integrimi ekonomik i përshpejtuar do të mbrojë rajonin nga influencat malinje. Por realiteti është i kundërt: influencat malinje depërtojnë aty ku institucionet janë të dobëta dhe ligji zbatohet në mënyrë selektive. Rasti i ligjit për “screening”-un e investimeve është ilustrues. Një instrument që duhet të mbrojë sigurinë kombëtare, nëse hartohet dhe zbatohet pa transparencë dhe pa kontroll institucional, mund të shndërrohet në mjet selektiv. Ligjet me porosi nuk forcojnë sovranitetin; e dobësojnë atë. Prandaj procesi transformues i BE-së — ai që kërkon reforma reale në shtetin e së drejtës dhe ndërtimin e një rendi kushtetues funksional — nuk është pengesë për stabilitetin. Është garanci për të. Ekziston edhe një rrezik tjetër, më i heshtur: institucionalizimi i një periferie të përhershme. Një model ku vendet marrin fonde dhe akses tregtar, por mbeten me status të paqartë politik dhe me llogaridhënie të dobët. Po, kjo do të ishte një formë e re “ballkanizimi” — jo territorial, por normativ. Një ndarje brenda vetë projektit europian, ku barazia e standardeve zëvendësohet nga menaxhimi i diferencave. Shqipëria nuk duhet të synojë minimumin e rehatshëm. Duhet të synojë standardin e plotë. Integrimi i pjesshëm pa demokraci të plotë nuk është përshpejtim. Është institucionalizim i mangësive. Europa është rend rregullash dhe vlerash dhe Shqipëria duhet të jetë pjesë e atij rendi. Jo si kompromis, por si e barabartë. Kushdo që dështon në këtë sipërmarrje nuk ka pse kërkon alibi për dështimin dhe as të sajojë marifete për ti ikur përgjegjësisë, mjafton të largohet pasi qartësisht është kundër aspiratë sonë mbarëkombëtare.

Share this post: