TheAlbaniaTime

Instituti i Bashkive: Bashkitë të papërgatitura për indeksim, 50% e kostos të mbulohet nga qeveria

2026-01-27 - 15:11

Instituti për Bashkitë e Shqipërisë vlerëson pozitivisht projektvendimin për indeksimin e pagave të administratës të pushtetit vendor, por rekomandon që 50% e kostos financiare që do të rrjedhë për politikën e rritjes së pagave të mbulohet nga buxheti i shtetit. Nga Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin ka hartuar projektvendimin për indeksimin e pagave të punonjësve për pushtetin vendor. Projektvendimi llogarit një efekt prej 143 mln lekë në muaj për rritjen e pagës minimale dhe për punonjësit mbështetës. Sipas projektvendimit ky efekt, për vitin 2026, do të përballohet nga transferta e akorduar për njësitë e vetëqeverisjes vendore, miratuar në ligjin 87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, si dhe nga të ardhurat e veta të njësive të vetëqeverisjes vendore. Në reagimin Institutit të Bashkive të Shqipërisë theksohet se bashkitë janë të papërgatitura financiarisht për zbatimin e këtij vendimi. “Instituti vëren se këto ndryshime i gjejnë bashkitë të papërgatitura në kuadër të buxheteve afatmesme dhe përballë nevojave të larta financiare për garantimin e shërbimeve publike dhe realizimin e investimeve vendore. Në këtë kuadër, Instituti u bën thirrje bashkive të kryejnë llogaritjet përkatëse financiare dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm për zbatimin e menjëhershëm të vendimit. Njëkohësisht, Instituti për Bashkitë e Shqipërisë rekomandon që Qeveria Shqiptare të shqyrtojë mbulimin e të paktën 50% të kostos financiare që rrjedh nga indeksimi i pagave, përmes transfertave shtesë ose mekanizmave të posaçëm mbështetës. “Një qasje e tillë do të siguronte zbatim të njëtrajtshëm të vendimit në të gjitha bashkitë, do të mbronte qëndrueshmërinë financiare vendore dhe do të shmangte ndikimin negativ në cilësinë e shërbimeve dhe investimeve publike. Instituti mbetet i angazhuar të mbështesë bashkitë dhe institucionet qendrore përmes dialogut, asistencës teknike dhe advokimit institucional, me qëllim që rritja e pagës minimale të shndërrohet në një përfitim real dhe të qëndrueshëm për punonjësit dhe për komunitetet vendore”, thuhet në reagim. https://monitor.al/indeksimi-i-pagave-te-administrates-me-2-5-ne-2026-per-pushtetin-vendor-rritje-deri-10-mije-leke/

Share this post: