Institucionet ua nxijnë bizneseve, me sisteme të çakorduara që po sjellin sorollatje e kosto shtesë
2026-03-25 - 05:11
Dhe telashet nuk kanë të sosur për bizneset... Sapo mbaruan hallet e mosfunksionimit normal për javë të tëra të sistemit SelfCare dhe problemi për 1 javë i ngadalësimit të punës në platformën e-Albania, që nuk arrinte të ngarkonte as dokumentacionin me të thjeshtë nga certifikatat deri te raportet për punonjësit, këtë fillim jave nisën problemet e vjetra me administrimin fiskal për detyrimet vendore dhe unifikimi i sistemeve pas miratimit të ligjit të ri “Për tatimin mbi të ardhurat”. Ngec sërish e-Albania, bizneset detyrohen të bëjnë “rojë nate” Konkretisht më 24 Mars, shumë biznese me status pasiv në aktivitet u ankuan se kanë marrë njoftim nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore për llogaritjet e detyrimeve për të paguar për 2025. Po kjo situatë po shkakton sërish sorollatje dhe humbje kohe te bizneset që bëjnë xhiro sa te njëri institucion sa te tjetri për t’u pajisur me vërtetime, për të dhëna që mund të shkëmbehen automatikisht mes sistemeve. Subjektet pasive ankohen për gjoba, Bashkia e Tiranës: Dorëzoni vërtetimin e statusit, përndryshe... Për shqetësimin e bizneseve, Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore (DPTTV) në Bashkinë e Tiranës e kontaktuar nga “Monitor” sqaroi se bizneset që kanë kaluar në status pasiv, duhet të sjellin pranë kësaj drejtorie vërtetimin e ndryshimit të statusit, në të kundërt llogaritja e detyrimeve do të vijojë normalisht. DPTVV shtoi se bizneset kanë kohë të vetëdeklarojnë çdo ndryshim të situatës së tyre, përfshirë xhiron, adresën e biznesit, statusin e tyre në formularin e vetëdeklarimit nëpërmjet e-Albania. Për çdo ndryshim të padeklaruar bizneset rezultojnë të penalizohen, ndërsa deri më 31 Maj është afati për pagesën e detyrimeve të taksave dhe tarifave vendore. Brenda 20 prillit është afati për pagesën e këstit të parë për taksën e ndërtesës. Për rastin e statusit pasiv, bizneset pohuan se kërkesa e Bashkisë për t’i njoftuar me dorëzimin e një vërtetimi, në fakt nuk janë në përputhje me ligjin. Ligji nr. 9723, datë 03.05.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit” (tashmë i integruar në legjislacionin për regjistrimin e biznesit) në nenin 21 përcakton se të dhënat e regjistruara dhe të publikuara në regjistrin tregtar kanë vlerë ligjore dhe konsiderohen të njohura për të tretët që nga momenti i publikimit. “Bashkia të zbatojë ligjin. Pasi regjistrimet apo çdo ndryshim tjetër në regjistrin tregtar, është i njohur për të gjitha palët e interesuara”, thotë A.P, kontabilist. Ai thotë që edhe kur Bashkia është njoftuar, ka gjetur rastin tu bëjë subjekteve presion për të ridepozituar dokumentet e pronësisë të objektit që është ushtruar aktiviteti. “Ka dhe shumë raste, që kanë sjellë detyrime të dublikuara. Unë kam 3 javë, me kërkesa, vetëm sorollatje”, shton ai. “Pra na kanë ardhur detyrime për adresa që i kemi mbyllur, duke na dublikuar detyrimet, për adresën aktuale dhe adresën e mbyllur. Pra ka pasur gjenerim detyrimesh për adresa të mbyllura sipas QKB.” Një situatë e ngjashme për taksat vendore u krijua edhe vjet, ku rreth 2 mijë biznese u gjobitën nga Drejtoria e Tarifave dhe Taksave Vendore të Bashkisë Tiranë, për shkak të mosdeklarimit në afat të ndryshimeve në xhiron vjetore. Kaos në vetëdeklarimet e xhiros në Tiranë, nuk ka sistem dixhital, procedurat me email ose fizikisht DPTTV në atë kohë sqaroi se detyrimin e bizneseve për vetëdeklarimin e ndryshimeve të xhiros e mbështeste te neni 43 i ligjit për procedurat tatimore. Bizneset pohonin se nuk kanë një adresë apo formular ku të bënin ndryshimet, ndërsa ekspertët insistonin se ligji nuk përcakton qartë detyrimin për vetëdeklarim të ndryshimeve të xhiros në nivelin vendor. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve më herët sqaroi për “Monitor” se të dhënat e xhiros prej disa vitesh regjistrohen online në sistemin qendror me zbatimin e fiskalizimit, nëpërmjet të cilave çdo muaj bëhet ndarja e biznesit në të vogël apo të madh, proces që më përpara përfundonte në fund të vitit. Por të dhënat nuk arrijnë të kalojnë automatikisht te bashkitë. Administrata Tatimore shtoi se kjo ndodh pasi nuk ka një sistem të unifikuar legjislacioni tatimor dhe teknik, pra bashki të ndryshme, përfshirë edhe Tiranën, detyrimin për taksat e llogarisin mbi ndarje të ndryshme të fashës së xhiros, të miratuar me vendimet e Këshillave Bashkiakë. Për shkak të mungesës së një sistemi të unifikuar , bashkitë, përfshirë atë të Tiranës, mbështeten në marrëveshje të veçanta për marrjen periodike të informacionit nga administrata tatimore. Pra në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara për të dhënat e xhiros së biznesit, administrata e tatimeve vendore merr 1 deri në 2 herë vit informacion nga tatimet qendrore, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar. Bizneset me teprica kreditore nga 2024-a nuk po i përdorin dot Por nga mosunifikimi i sistemeve, një tjetër problem lindi në këtë fillim jave. Konkretisht bizneset që kanë teprica kreditore nga “Tatimi mbi Fitimin” për vitin 2024 nuk po arrijnë t’i përdorin ato për të kompensuar detyrimet e vitit 2025. Kjo vjen pasi, me ndryshimin ligjor në “Tatimi mbi të Ardhurat e Korporatave”, tepricat kanë mbetur në llogarinë e vjetër dhe nuk janë transferuar në sistemin e ri (e-filing). Si pasojë, bizneset përballen me pagesa të panevojshme dhe rritje të barrës administrative. Ndryshon termi i tatim fitimit, bizneseve nuk u “njihet” teprica e paguar në 2024, kërkojnë zgjidhje Pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri “Për tatimin mbi të ardhurat” ka ndryshuar terminologjia nga “Tatimi mbi Fitimin” në “Tatimi mbi të Ardhurat e Korporatave”, duke filluar nga viti fiskal 2025. Ky ndryshim ka sjellë një problematikë praktike në funksionimin e sistemit elektronik të deklarimit (e-filing) në këtë sezon. Pasi subjektet që rezultojnë me tepricë kreditore në llogarinë “Tatimi mbi Fitimin” në datën 31 dhjetor 2024, po përballen me vështirësi, pasi këto teprica, nuk janë transferuar; dhe/ose nuk janë të lidhura funksionalisht me llogarinë e re “Tatimi mbi të Ardhurat e Korporatave” në sistemin tatimor. Si pasojë, tepricat kreditore mbeten të regjistruara në llogarinë e vjetër, nuk mund të përdoren për kompensimin e detyrimeve aktuale për vitin 2025 dhe në këtë mënyrë tatimpaguesit pengohen të ushtrojnë të drejtën e tyre për kompensim të detyrimeve tatimore. E gjithë kjo situatë po krijon sërish shtim të kostove për bizneset të cilat kërkojnë prej institucioneve vetëm zbatim korrekt të ligjit. Për rastin në fjalë bizneset i kërkojnë administratës tatimore, që kjo tepricë kreditore të transferohet automatikisht nga sistemi i mëparshmi në atë aktual. Pra nga llogaria e “Tatimi mbi Fitimin” në llogarinë “Tatimi mbi të Ardhurat e Korporatave”. Po ashtu gjatë ditëve të pushimit shumë biznese u penalizuan me gjoba për vonesa në deklarim të listëpagesës së sigurimeve për punonjësit që është brenda datës 20 të muajit. Pavarësisht se afati i lejuar ishte ditë pushimi (data 20 Mars ishte festë zyrtare e Fiter Bajramit) në sistemin e çakorduar u shfaqën gjoba dhe kamatëvonesa, por të cilat nisën të fshihen ditën e martë më 24 Mars. Fillon puna, hiqen gjobat që u vunë për vonesë deklarimi në ditët e pushimit!