Inflacioni në Kosovë arrin 5.8%: Biletat e avionëve, energjia dhe ushqimi me rritjen më të madhe
2026-02-18 - 15:24
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat për çmimet e konsumit për muajin janar 2026, duke bërë të ditur se norma vjetore e inflacionit ka arritur në 5,8 për qind. Çmimet në Kosovë vazhdojnë të rriten edhe në muajt e parë të këtij viti. Në janar 2026, inflacioni vjetor arriti 5.8%, ndërsa ai mujor 1.2%, duke reflektuar një valë të re rritjesh që prekin pothuajse çdo sektor. Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), shkalla vjetore e inflacionit në muajin janar 2026 ka arritur në 5.8%, krahasuar me janarin e vitit 2025, ndërsa inflacioni mujor (krahasuar me dhjetorin 2025) ishte 1.2%. Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit (IHÇK) shënoi rritje për shkak të ngritjes së ndjeshme të çmimeve në disa grupe të konsumit sipas klasifikimit COICOP. Në periudhën janar 2026 / janar 2025, rritja më e madhe e çmimeve është regjistruar te: Biletat e fluturimeve – +50.4% Furnizimi me ujë dhe shërbimet komunale – +44.4% Lëndët djegëse të ngurta (dru zjarri, pelet etj.) – +17.2% Energjia elektrike – +16.7% Pemat – +15.5% Mirëmbajtja e automjeteve – +15.1% Shërbimet e transportit personal – +14.5% Pushimet e organizuara – +13.5% Mishi – +13.1% Kafe, çaj dhe kakao – +10.3% Rritje më të moderuar kanë shënuar edhe: Qumështi, djathi dhe vezët (+8.7%) Shërbimet hoteliere (+8.6%) Pijet alkoolike (+6.5%) Peshku (+6.1%) Bukë dhe drithëra (+4.9%) Veshjet dhe këpucët (+2.7%) Në total, ndikimi i këtyre ngritjeve në IHÇK vlerësohet në +6.2 për qind. Nga ana tjetër, rënia më e theksuar e çmimeve është regjistruar te karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal, me -7.3%, që ka ndikuar negativisht në IHÇK me rreth -0.4 për qind. Në aspektin mujor (janar 2026 / dhjetor 2025), rritja e çmimeve është ndikuar kryesisht nga: Biletat e fluturimeve – +42.1% Uji dhe shërbimet komunale – +41.4% Druri dhe peletet – +4.6% Perimet – +4.2% Energjia elektrike – +1.5% Pijet alkoolike – +1.0% Mishi – +0.7% Ndërsa, karburantet përsëri kanë shënuar rënie prej -3.4%, duke ndikuar me rreth -0.2% në inflacionin total mujor. ASK ka theksuar se ndryshimet e çmimeve janë reflektuar pothuajse në të gjitha grupet e konsumit, por më së shumti në transport, ushqim dhe energji, kategori që kanë ndikimin më të madh në buxhetin e familjeve.