Industria estetike, treg fitimprurës, me norma dyshifrore kthimi
2026-03-14 - 21:14
Në tregun e estetikës dhe ndërhyrjeve kirurgjikale në Shqipëri, disa emra janë konsoliduar prej vitesh si lojtarët më të dukshëm, qoftë për nga ekspozimi publik, zgjerimi i strukturave apo perceptimi i volumit të aktivitetit. Mes tyre përmenden Sombrero, e njohur si KEIT, Day Hospital, Luis Medical Center, Klinika DaVinci, ENT Clinic, Klinika Anassa, Klinika estetike GEA (pjesë e klinikës gjinekologjike me të njëjtin emër). Nga të dhënat e operatorëve të mëdhenj rezulton që normat e fitimit mbeten të larta, në nivele dyshifrore, duke u luhatur midis 20 deri në 40%, ndonëse kanë ardhur në rënie në 2023-2024, duke treguar një shtim të konkurrencës dhe rritje të kostove të aktivitetit. Klinika më e madhe në tregun e kirurgjisë plastike është “Sombrero sh.p.k.” e njohur si klinika KEIT. Në vitin 2024, të ardhurat e kompanisë ishin për herë të parë me tendencë rënëse, duke u tkurrur me 14%, në 839 milionë lekë, ndërsa në vitin 2023 ishin rritur me 8.2% dhe në vitin 2022 u dyfishuan. Në vitin 2024, fitimet u përgjysmuan në 187 milionë lekë. Edhe norma e kthimit u reduktua ndjeshëm në 22%, nga 37% në 2023, dhe 48% në vitin 2022. Pavarësisht rënies së të ardhurave dhe fitimeve, kompania raportoi shtim të shpenzimeve të personalit me 16%, në 211 milionë lekë. Më e shtrenjtë ishte dhe lënda e parë, duke u bërë një faktor tjetër në tkurrjen e fitimeve. “ENT CLINIC”, sipas të dhënave të disponueshme është e dyta më e madhe në treg, ndonëse të ardhurat e saj janë pesë herë më të ulëta se konkurrenti i parë. Të ardhurat e klinikës, që sipas të dhënave zyrtare është e specializuar kryesisht në rinoplastikë ishin 157 milionë lekë në 2024-n, me një normë fitimi prej 13%. “Klinika Annasa” është e treta më e madhe në treg. E specializuar kryesisht për dërmo estetikë ka shënuar rritjen më të shpejtë në 2024-n, në përgjigje të trendit për të mos bërë ndërhyrje të thella. Të ardhurat e kompanisë ishin 134 milionë lekë në 2024-n, me një rritje prej 53% me bazë vjetore. Norma e fitimit ishte 22%. “Klinka DaVinci”, e specializuar në kirurgjinë estetike deklaroi të ardhura prej 121 milionë lekësh në 2024-n, me rritje prej gati 20%. Kjo klinikë deklaroi një normë fitimi më të ulët sesa tregu, në rreth 10%. “Luis Medical Center” paraqet një tablo më të luhatshme. Sipas të dhënave të publikuara në të njëjtin burim, të ardhurat në 2023-n ishin 102 milionë lekë, teksa shënuan një rritje të lehtë, me 3.2% në 105 milionë lekë në 2024-n. Fitimi para tatimit ishte 36 milionë lekë në 2023-n dhe 30 milionë lekë në 2024-n, me një normë që luhatet midis 30 dhe 35%. Lexoni edhe: Ekonomia e pamjes, shqiptarët ikin nga ndërhyrjet ekstreme, shkojnë drejt natyrales