Incidentet e sigurisë kibernetike në banka, më të zakonshmet janë tentativat për phishing
2026-01-27 - 12:10
78% e bankave në Shqipëri kanë kaluar incidente të sigurisë kibernetike. Një studim i specialisteve të Departamentit të Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë, Lindita Molishti dhe Margerita Topalli, ka treguar se paralelisht me rritjen e kërkesës për shërbime financiare digjitale, po rritet edhe ekspozimi i bankave dhe klientëve të tyre ndaj sulmeve kibernetike. Nga vrojtimi me bankat tregtare, tentativat e “phishing” janë identifikuar si incidenti më i përhapur i sigurisë kibernetike. Këto tentativa kanë synuar marrjen e informacioneve delikate për klientët, si kredencialet e bankingut në internet dhe të dhëna të detajuara të kartës së kreditit. Sipas studimit, natyra e përhapur e përpjekjeve për “phishing” nënvizon nevojën që bankat të miratojnë mekanizma të fuqishëm zbulimi dhe parandalimi për të mbrojtur klientët e tyre nga kërcënime të tilla. Përveç “phishing”, bankat raportuan raste të komunikimeve elektronike të dëmshme që ngjajnë me e-mailet e ligjshme. Këto e-maile synojnë të mashtrojnë klientët duke përfshirë lidhje të rreme ose bashkëngjitje, duke kompromentuar përfundimisht sigurinë e të dhënave. Dy grupet e mësipërme përbëjnë pjesën dërrmuese të incidenteve kibernetike të raportuara nga bankat tregtare. Ndërkohë, më të rralla ishin incidentet që përfshinin përpjekje për akses të paautorizuar, sulme ransomware (programe që bllokojnë aksesin e klientit në të dhënat e tyre dhe kërkojnë shpërblime për kthimin e aksesit) dhe modifikime të paautorizuara të të dhënave. Sipas studimit, këto kërcënime më të sofistikuara, megjithëse janë më pak të shpeshta, nënvizojnë rëndësinë e mbajtjes së masave gjithëpërfshirëse të sigurisë kibernetike për të mbrojtur të dhënat e ndjeshme financiare dhe për të siguruar integritetin operacional. Studimi citon komentin e një banke “se përpjekjet për phishing, ndonëse një sfidë e vazhdueshme, nuk kanë treguar një rritje të konsiderueshme të lidhur drejtpërdrejt me nismat e reja digjitale”. Kjo sugjeron se pavarësisht nga rreziqet e rritura që lidhen me transformimin digjital, bankat shqiptare janë kryesisht efektive në menaxhimin e këtyre sfidave. Megjithatë, ndërsa shërbimet bankare digjitale zgjerohen dhe bëhen më komplekse, studimi ka evidentuar nevojën për përmirësim të vazhdueshëm në praktikat e sigurisë kibernetike mbetet parësore. Duke investuar në teknologjitë e avancuara të sigurisë dhe duke nxitur një kulturë të ndërgjegjësimit për sigurinë kibernetike, bankat mund t’i zbusin këto rreziqe, duke siguruar një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur si për klientët ashtu dhe proceset operacionale bankare. Autoret shprehen se këto përpjekje janë thelbësore për të mbështetur besimin e klientëve dhe palëve të interesuara në ekosistemin bankar dixhital./ E.Shehu