Ibrahimaj: Rritja e pjesëmarrjes së bizneseve në prokurimin publik, kyç për transparencë
2026-02-27 - 14:14
Në Forumin me shoqatat e biznesit, sipërmarrës dhe ekspertë të prokurimeve, mbi nxitjen e pjesëmarrjes së bizneseve në procedurat e prokurimit të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP), Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mes qeverisë dhe sipërmarrjes për rritjen e konkurrencës, transparencës dhe eficiencës në përdorimin e fondeve publike. Gjatë fjalës së saj, Ministrja nënvizoi se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në drejtim të digjitalizimit të proceseve të prokurimit publik, duke garantuar më shumë transparencë, gjurmueshmëri dhe standardizim të procedurave. Rezultatet tregojnë rritje të numrit të proceseve të menaxhuara nga OBP dhe njëkohësisht ulje të numrit të ankesave, si rezultat i metodologjisë së unifikuar dhe standardizimit të dokumentacionit dhe procedurave. “Pjesëmarrja sa më e gjerë e bizneseve në prokurimin publik sjell konkurrencë më të fortë, produkte dhe shërbime më cilësore, si dhe kosto më të ulëta për qytetarët”, u shpreh Ministrja Ibrahimaj. Ajo bëri të ditur se, pas ndryshimeve ligjore të miratuara së fundmi, Operatorit të Blerjeve të Përqendruara do t’i shtohet përgjegjësia për zhvillimin e procedurave të prokurimit në fushën e teknologjisë së informacionit, duke zgjeruar aktivitetin e programit të blerjeve të përqendruara dhe duke garantuar procese të standardizuara dhe më efikase në këtë sektor strategjik. Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është ndërtimi i një sistemi të ri prokurimesh, në bashkëpunim me Bankën Botërore, i cili do të përfshijë përdorimin e inteligjencës artificiale në të gjithë ciklin e prokurimit. “Besoj se Shqipëria do të jetë vendi i parë që do të përdorë inteligjencën artificiale në të gjitha proceset e prokurimit. Ka vende të cilat e përdorim për një pjesë të procesit, por jo në të gjithë procesin”, deklaroi Ministrja Ibrahimaj. Sipas saj, sistemi i ri do të rrisë më tej transparencën, do të shkurtojë afatet procedurale dhe do të thjeshtojë proceset për bizneset, duke automatizuar një pjesë të madhe të procedurave dhe duke reduktuar ndërhyrjet manuale. Ministrja theksoi se prokurimi publik përbën një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve qeveritare dhe përfaqëson një potencial të madh për bizneset shqiptare. Ajo nënvizoi se ligji “Për prokurimin publik” është në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian, duke krijuar mundësi konkrete që sipërmarrjet shqiptare të përgatiten për pjesëmarrje edhe në procedurat europiane. Ministrja u bëri thirrje të gjitha bizneseve dhe shoqatave të tyre që të angazhohen aktivisht në procedurat e shpallura nga OBP, si dhe të paraqesin sugjerime dhe rekomandime për përmirësimin e mëtejshëm të proceseve. “Kjo është një punë e përbashkët. Qëllimi ynë është të krijojmë një sistem prokurimi sa më transparent, efikas dhe gjithëpërfshirës, në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit dhe përgatitjes së bizneseve shqiptare për tregun europian”, deklaroi Ministrja Ibrahimaj. Në vijim, Administratorja e OBP-së, znj. Arlinda Pogaj, prezantoi rolin e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara në standardizimin dhe konsolidimin e procedurave të prokurimit, duke theksuar se institucioni synon të krijojë një model më të parashikueshëm dhe më të hapur për tregun. “OBP është e angazhuar për të krijuar rregulla të qarta dhe të barabarta për të gjithë operatorët ekonomikë. Qëllimi ynë është që prokurimi publik të jetë i parashikueshëm, transparent dhe i aksesueshëm, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Besojmë se vetëm përmes dialogut të vazhdueshëm me biznesin mund të ndërtojmë një sistem që funksionon në dobi të ekonomisë dhe qytetarëve,” u shpreh znj. Pogaj. Ajo shtoi se forcimi i konkurrencës mbetet prioritet thelbësor për institucionin që drejton. Në panelin e diskutimit, me temë “Sfida dhe mundësi për bizneset në prokurimin publik”, përfaqësues të biznesit ndanë shqetësimet dhe propozimet e tyre lidhur me kriteret, procedurat dhe aksesin në tenderë. Arben Shkodra, sekretar i Këshillit Ekonomik Kombëtar, vlerësoi nismën për dialog të drejtpërdrejtë me institucionet publike, duke theksuar nevojën për komunikim të vazhdueshëm. “Biznesi ka nevojë për rregulla të qarta, procedura të standardizuara dhe parashikueshmëri. Forume të tilla krijojnë hapësirën e nevojshme për të ndërtuar besim dhe për të adresuar konkretisht barrierat që hasen në praktikë,” u shpreh z. Shkodra. Gjatë këtij forumi u theksua se rritja e pjesëmarrjes në procedurat e OBP-së pritet të kontribuojë në forcimin e konkurrencës, përmirësimin e cilësisë së ofertave dhe në kursimin e fondeve publike përmes standardizimit dhe konsolidimit të blerjeve. Gjatë 21 muajve të veprimtarisë së tij, OBP ka konsoliduar një model të qëndrueshëm të prokurimit të përqendruar në rreth 40 fusha të ndryshme, duke zhvilluar afro 1000 procedura për 216 institucione publike dhe duke kursyer për buxhetin e shtetit rreth 35.5 milionë euro.