TheAlbaniaTime

Ibrahimaj: Qeveria do monitorojë çdo ditë çmimet e karburanteve dhe të shportës ushqimore

2026-03-11 - 13:04

Për monitorimin e çmimeve të karburanteve dhe nxitjen e transparencës në treg, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, sqaroi për mediat vendimin e marrë pas takimit të zhvilluar një ditë më parë me kreun e shoqatës së hidrokarbureve dhe operatorët e tregut. Ibrahimaj tha se është ngritur një mekanizëm monitorimi për të ndjekur zhvillimet në treg pas rritjes së çmimeve të naftës. Sipas saj, institucionet do të analizojnë të dhënat mbi çmimet e karburanteve që hyjnë në vend përmes administratës doganore dhe platformës ndërkombëtare të tregtimit të karburanteve. “Dje zhvilluam një takim me shoqatën dhe anëtarët e saj për të ngritur alarmin për rritjen e çmimeve dhe për detyrimin e mbajtjes së rezervave. Po monitorojmë në mënyrë të përditshme çmimet e importit për benzinën dhe gazin, si dhe çmimet e tabelave në tregun e pakicës. Do të marrim çmimet e bursës nga administrata doganore për karburantet që hyjnë në vend dhe do të shohim me çfarë çmimi zhdoganohen nga operatorët. Më pas do të verifikohen marzhet e fitimit për të kuptuar nëse ka abuzime apo spekulime në treg”, tha Ibrahimaj. Ibrahimaj kujtoi se në vitin 2023 qeveria krijoi një bord për përcaktimin e çmimeve të karburanteve, por aktualisht nuk jemi në kushtet për rikrijimin e një strukture të tillë. “Kemi pasur një eksperiencë në vitin 2023 me krijimin e një bordi që vendoste çmimet, por aktualisht nuk jemi në këto kushte. Megjithatë, nëse rritja e çmimeve do të vazhdojë, mund të konsiderojmë masa të tjera”, u shpreh ministrja. E pyetur nga gazetarët për faktorët që ndikojnë në çmimin e naftës, ministrja theksoi se një nga elementët kryesorë është taksa e qarkullimit, e cila në Shqipëri paguhet përmes çmimit të karburantit dhe jo përmes mjeteve, si në disa vende të rajonit. “Kemi gjykuar që kjo taksë të paguhet përmes naftës, pasi pasqyron më mirë realitetin e qarkullimit të mjeteve. Ndërsa në vendet e rajonit paguhet nëpërmjet mjeteve dhe jo te nafta, dhe kjo e bën çmimin më të shtrenjtë sesa rajoni. Sa i përket mundësisë së ndërhyrjes në taksa, akciza ka peshën më të madhe në çmimin final të karburantit, rreth 40 lekë për litër, dhe aktualisht qeveria nuk është në kushtet për të marrë masa për uljen e saj. Do të jemi shumë të kujdesshëm dhe nëse çmimet do të arrijnë nivele shumë të larta, atëherë do të marrim masat e duhura”, shtoi ministrja. Ibrahimaj bëri të ditur gjithashtu se institucionet po monitorojnë çdo ditë edhe çmimet e shportës ushqimore për të kuptuar nëse ka tendenca spekulative në treg. “Çmimet përcaktohen nga oferta dhe kërkesa, jo nga qeveria, por ne do të monitorojmë vazhdimisht tregun e shportës ushqimore për të identifikuar çdo rast të mundshëm spekulimi”, përfundoi ajo.

Share this post: