TheAlbaniaTime

Holanda u rikthye si investitori më i madh i huaj në 2025

2026-03-26 - 13:31

Holanda rifitoi “fronin” e investitorit kryesor të huaj në Shqipëri vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kompanitë me aksionerë të regjistruar në Holandë investuan 202 milionë euro, në Shqipëri vitin e kaluar. Investimet holandeze u rritën me 14.8% krahasuar me vitin 2024. Holanda ngelet investitori më i madh i huaj edhe në vlerën e stokut të deritanishëm të investimeve. Stoku i investimeve hollandeze ka arritur vlerën e 2.76 miliardë eurove, në rritje me 8.5% krahasuar me një vit më parë. Investimet e mirëfillta hollandeze për nga origjina e kapitalit janë të pakta dhe një ndër tyre ishte kompania Shell, që realizoi investime të mëdha për shpimet në zonën naftëmbajtëse të Shpiragut. Por, në vitin 2024 kjo kompani vendosi të ndërpresë shpimet në puset naftëmbajtëse dhe të heqë dorë përfundimisht nga kërkimet e naftës në Shqipëri. Duke përjashtuar Shell, vlerat e larta të investimeve hollandeze në vitet e fundit lidhen kryesisht me faktin se Holanda është një nga vendet e preferuara në Europë për të regjistruar kompani holding, me qëllim kontrollin e investimeve ndërkombëtare të grupeve të ndryshme të biznesit. Hollanda preferohet për regjistrimin e kompanive offshore, është sepse legjislacioni i atjeshëm garanton një shkallë të lartë konfidencialiteti lidhur me pronësinë e aksioneve. Ajo është edhe një juridiksion i preferuar për regjistrimin e shoqërive holding, sepse ajo ka një rrjet të gjerë të marrëveshjeve me vende të tjera të Botës për shmangien e tatimit të dyfishtë. Investitori i dytë më i madh për të dytin vit radhazi ishte Italia, me një fluks total prej 187 milionë eurosh. Investimet italiane megjithatë kanë pësuar sërish rënie me 6.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe orientohen sidomos në aktivitetet e shërbimeve. Stoku i investimeve italiane në fund të vitit 2025 arriti në 1.89 miliardë euro, në rritje me 12% krahasuar me një vit më parë. Rritja në stokun e investimeve nuk lidhet vetëm nga flukset e reja (që ishin në rënie), por në të llogariten edhe ndryshimet nga kursi i këmbimit, ndryshimet nga çmimi dhe ndryshimet e tjera. Gjithashtu, stoku i investimeve të huaja rivlerësohet në mënyrë periodike, duke reflektuar edhe ndryshimin e çmimit të aseteve. Rritje të ndjeshme vitin e kaluar shënuan investimet e ndërmarrjeve nga Kosova, që arritën vlerën e 186 milionë eurove, me një rritje prej 94% krahasuar me të një vit më parë. Stoku i investimeve kosovare raportohet në 584 milionë euro, në rritje me 38% krahasuar me vitin 2024. Rritja e investimeve nga Kosova është e lidhur kryesisht me disa blerje të rëndësishme të ndërmarrjeve nga Kosova në tregun shqiptar. Në muajin korrik 2025, kompania nga Kosova, Viva Fresh, mbylli blerjen e zinxhirit të dytë më të madh të shitjeve me pakicë në Shqipëri, Spar Albania. Sipas kontratës së nënshkruar mes palëve, operacioni kishte vlerën e 36.4 milionë eurove. Viva Fresh zotëron rrjetin më të madh të shitjeve me pakicë në Kosovë dhe është në pronësi të biznesmenit Xhevdet Rexhepi. Ndërsa në muajin shtator 2025, kompania me kapital nga Kosova, ALBI Holding, finalizoi blerjen e kompanisë së tregtimit të veshjeve, Fashion Group Albania (FGA), nga grupi shqiptar i biznesit Balfin. Vlera e transaksionit të shitblerjes ishte rreth 7.6 milionë euro. Shoqëria blerëse Albi Holding është pjesë e Albi Group, që zotëron në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut rrjetin e dyqaneve të modës të disa markave ndërkombëtare. Një tjetër blerje e rëndësishme u shënua në tremujorin e fundit të vitit, kur shoqëria KAN shpk njoftoi publikisht blerjen e Global Fast Food Albania, kompanisë që zotëronte të drejtën e markës globale të fast food-eve, KFC për Shqipërinë. KAN është një kompani e regjistruar në Kosovë, me pronar të vetëm biznesmenin Fatmir Zymberi. Grupi i tij i biznesit është i pranishëm në Shqipëri prej vitesh, nëpërmjet kompanisë Scandinavian Living, që zotëron të drejtën e përdorimit të markës daneze Jysk për Shqipërinë dhe vende të tjera të rajonit. Pasi kryesoi investimet e huaja për vitin 2024, vitin e kaluar Turqia investoi më pak në Shqipëri. Për vitin 2025 investimet e kompanive me kapital turk arritën vlerën e 181 milionë eurove, në rënie me 30% krahasuar me një vit më parë. Stoku i investimeve turke në fund të vitit 2025 ka arritur në 1.41 miliardë euro, në rritje me 8% krahasuar me një vit më parë. Ndërmarrjet turke kanë rol të rëndësishëm në disa sektorë ekonominë shqiptare, sidomos në sektorin financiar, atë energjetik, në industrinë nxjerrëse. Investitori i pestë më i rëndësishëm vitin e kaluar, për nga vlera e flukseve të reja, ishte Austria, me 146 milionë euro, në rritje me 22.7% krahasuar me vitin 2024. Investimet austriake në Shqipëri janë të përqendruara sidomos në tregun e sigurimeve, në sektorin energjetik dhe në shërbimet e hotelerisë. Stoku i investimeve austriake në fund të 2025 arriti në 926 milionë euro, në rritje me 6% krahasuar me një vit më parë. Burimi: Banka e Shqipërisë

Share this post: