TheAlbaniaTime

Hapet Java e Parasë, synon rritjen e kulturës financiare te të rinjtë

2026-03-17 - 11:01

U çel sot, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, Java Globale e Parasë 2026, një nismë ndërkombëtare që synon të rrisë njohuritë financiare te fëmijët dhe të rinjtë, duke i ndihmuar ata të kuptojnë më mirë mënyrën se si funksionojnë financat dhe ekonomia në jetën e përditshme. Kjo nismë organizohet çdo vit në shumë vende të botës dhe bashkon institucionet publike, sektorin financiar, sistemin arsimor dhe partnerë të ndryshëm në një përpjekje të përbashkët për të rritur kulturën financiare në shoqëri, me fokus të veçantë te brezi i ri. Viti 2026 përkon me 100-vjetorin e emetimit të monedhës së parë kombëtare shqiptare. Ky përvjetor ofron një mundësi për të reflektuar mbi historinë e monedhës shqiptare dhe rolin që ajo ka luajtur në zhvillimin ekonomik dhe institucional të vendit. Tema e këtij viti është “Flasim zgjuar për paranë! – 100 vjet monedhë kombëtare!”, duke lidhur reflektimin mbi historinë e parasë kombëtare me nevojën për të zhvilluar një kulturë financiare më të shëndetshme te të rinjtë. Aktivitetin çelës të Javës së Parasë 2026 e përshëndeti Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko u shpreh se, në një kohë kur teknologjia po ndryshon me shpejtësi mënyrën se si menaxhojmë paranë, edukimi financiar bëhet një element gjithnjë e më i rëndësishëm. Në këtë kuadër, gjatë kësaj jave do të organizohen një sërë aktivitetesh edukative, përfshirë leksione të hapura, konkurse, nisma ndërvepruese dhe takime informuese për nxënës dhe studentë. Këto aktivitete synojnë të nxisin diskutimin mbi menaxhimin e parasë, vendimmarrjen financiare dhe rëndësinë e edukimit financiar, në një kohë kur teknologjia dhe shërbimet digjitale po transformojnë mënyrën se si përdorim dhe menaxhojmë paranë. Guvernatori Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shoqatën Shqiptare të Bankave, Agjencinë e Sigurimit të Depozitave, Bankën Botërore, Junior Achievement of Albania, bankat tregtare dhe partnerë të tjerë institucionalë, ka organizuar ndër vite aktivitete edukative dhe ndërgjegjësuese për grup-moshat e nxënësve të arsimit parauniversitar dhe atij universitar. Guvernatori shtoi se, përmes kësaj nisme, organizatorët synojnë të inkurajojnë veçanërisht të rinjtë të informohen dhe të ndërtojnë aftësi për të marrë vendime financiare të zgjuara, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e tyre të ardhshme.

Share this post: