TheAlbaniaTime

“Gjithçka që duhet të dini për deklaimin e të ardhurave”

2026-02-20 - 21:24

Flet Rozana Çelmeta, drejtore e procesit të biznesit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve Prej 22 janarit 2026, administrata tatimore ka hapur sistemin e-Tax, i cili mundëson plotësimin dhe dorëzimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA) për vitin 2025. Rozana Çelmeta, drejtoreshë e procesit të biznesit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në një intervistë për “Monitor”, sqaron risitë e këtij viti për plotësimin e DIVA-s. Sipas saj, përfshihen edhe individët që nuk e kanë detyrim plotësimin e deklaratës, pasi të ardhurat e tyre janë nën 1.2 milionë lekë në vit, por që kanë shpenzime arsimore të dokumentuara me fatura të fiskalizuara për fëmijë nën moshën 18 vjeç. Këta individë përfitojnë kompensim për arsimin përmes rillogaritjes së tatimit, pas zbritjes së shpenzimeve deri në vlerën maksimale 100 mijë lekë. Përfitim nga rillogaritja e tatimit do të ketë edhe në rastet kur, pas zbritjes së shpenzimeve për fëmijët në ngarkim në vlerën 48 mijë lekë në vit nga të ardhurat vjetore, individët rezultojnë me tatim të mbipaguar. Të drejtën për rimbursim këtë vit do ta kenë edhe individë të tjerë që nuk kanë deklaruar zbritje shpenzimesh për fëmijë në ngarkim apo për arsim, por që pas rillogaritjes rezultojnë me tatim të mbipaguar, për shkak të ndryshimeve në përllogaritjen e tatimit. Zonja Çelmeta shpjegon hap pas hapi procedurat që duhet të ndjekin individët për aplikimin për kompensim ose rimbursim, në rastet kur pas plotësimit të DIVA 2025 rezultojnë me tatim të mbipaguar. Deri më tani, sa është numri i dorëzuar i Deklaratave Vjetore të të Ardhurave Personale për vitin 2025? Nga totali i tyre, sa është numri i deklaruesve që përfitojnë kompensimin për arsimin e fëmijëve? Nga të dhënat deri më 12 shkurt 2026, janë plotësuar dhe dorëzuar nga individët rreth 19 mijë Deklarata Vjetore të të Ardhurave Personale (DVAP). Aktualisht nuk mund të raportohet numri i saktë i deklaruesve që do të përfitojnë kompensimin për arsim. Edhe nëse individi plotëson kushtin e të ardhurave vjetore nën 1.2 milionë lekë dhe është personi me të ardhurat më të larta në familje, zbritja e shpenzimeve për arsim deri në masën 100 mijë lekë nga baza tatimore është një e dhënë që vetëdeklarohet nga individi dhe më pas verifikohet nga administrata tatimore. Verifikimi është i domosdoshëm pasi kërkohet dorëzimi i dokumentacionit justifikues, konkretisht faturat e fiskalizuara për shpenzimet arsimore të kryera gjatë vitit 2025 për fëmijët. Pra ende nuk mund të thuhet se sa është numri i individëve që e përfitojnë, pasi është vetëdeklarim dhe më pas do të kalojnë proces verifikimi. Më pas, pasi individi të këtë kryer aplikimin, do të vijohet me procedurën e kompensimit. Në total sa parashikoni të shtohen deklaruesit e rinj, për shkak të risisë së kompensimit për arsim krahasuar me deklaruesit për DIVA 2024? Parashikojmë që në total të jenë rreth 200 mijë individë që do të deklarojnë Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale. Shtimi i numrit të tyre nuk është i lidhur vetëm me risinë e aplikimit të kompensimit për shpenzimet e arsimit. Kjo është një ndër arsyet e shtimit të deklaruesve, por jo e vetmja. Për herë të parë këtë vit do të aplikohet edhe parimi i të ardhurave vjetore. Përveç zbritjeve dhe përfitimeve që individët do të kenë për numrin e fëmijëve në ngarkim apo për shpenzimet arsimore të kryera, ata do të kenë mundësinë të aplikojnë për rimbursimin e tatimit të mbipaguar gjatë vitit për të ardhurat nga punësimi. Pra, për herë të parë këtë vit, kemi të bëjmë me parimin vjetor të llogaritjes së tatimit për të ardhurat. Përveç individëve që do të aplikojnë për zbritjen e shpenzimeve arsimore për fëmijët apo zbritjen nga baza tatimore për fëmijët në ngarkim, do të jenë edhe individët që kanë mbipaguar tatim, pasi ka ndryshuar parimi i rillogaritjes së tatimit për të ardhurat. Rillogaritja e tatimit kryhet mbi bazë vjetore të të ardhurave dhe jo mbi bazë mujore, siç ka qenë deri vitin e kaluar. Rillogaritja bëhet në Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale. Gjatë vitit, të ardhurat nga punësimi deklarohen mbi bazë mujore në listëpagesë, ndërsa përllogaritja vjetore në DIVA bëhet pasi plotësohet vlera e të ardhurave totale nga punësimi. Paraplotësohen automatikisht zbritjet e lejuara sipas kufirit të të ardhurave dhe në deklaratë llogaritet tatimi që u takon këtyre të ardhurave për t’u paguar. Nga tatimi i rillogaritur zbritet tatimi i paguar gjatë vitit (që është shuma e tatimeve mujore) dhe, duke qenë se përllogaritja bëhet mbi bazën e të ardhurave vjetore, mund të rezultojë që në varësi të shpërndarjes së të ardhurave dhe tatimit të paguar gjatë vitit, individi mund të dalë me rezultat zero (që të jetë i njëjtë tatimi i paguar gjatë vitit me tatimin vjetor të rillogaritur), me mbipagesë (për të cilën ka të drejtë të bëjë kërkesë për rimbursim), ose detyrim për pagesë, pra që i detyrohet t’i kthejë shumën tatimeve. Kjo varet nga shpërndarja e të ardhurave të punësimit gjatë vitit dhe tatimi i paguar për këto të ardhura. A mund të ilustrohet me shembuj se sa kompensim përfiton një individ që ka një fëmijë dhe të ardhura bruto p.sh. 1.6 milionë lekë në vit dhe një individ që ka mbi 2.2 milionë lekë të ardhura bruto në vit? Edhe në këtë moment nuk mund të ilustrohet me një shembull konkret vlera e përfitimit të kompensimit, pasi ajo varet nga shpërndarja e të ardhurave gjatë vitit, nga ekzistenca e të ardhurave të tjera për të cilat është paguar ose jo tatim dhe që është detyrim të deklarohen në deklaratë. Përllogaritja bëhet në deklaratë dhe nëpërmjet saj përcaktohet nëse individit i lind e drejta për të aplikuar për rimbursim apo kompensim sipas ligjit. Llogaritja kryhet automatikisht në sistem, bazuar në të dhënat e paraplotësuara nga listëpagesa, deklarata e tatimit të mbajtur në burim dhe të ardhurat e tjera që plotësohen individualisht nga individi që nuk janë në këto dy deklarata. Llogaritja bëhet automatikisht në sistem, ku rregullat janë të qarta. Nëse pas plotësimit të deklaratës, janë zbritur shpenzimet për fëmijët në ngarkim dhe për arsimin, dhe në rubrikën 57 TATIMI I MBIPAGUAR shfaqet vlerë pozitive, individi ka të drejtë të aplikojë për rimbursim apo kompensim për këtë shumë. Nëse rubrika 58 TATIMI I DETYRUAR PËR T’U PAGUAR del me vlerë do të thotë se kjo është shuma që individi i detyrohet administratës tatimore dhe duhet të bëjë pagesën. Pra rezulton me tatim më pak të paguar gjatë vitit sesa tatimi i përllogaritur në deklaratë. Për individët me të ardhura nën 1.2 milionë lekë në vit dhe p.sh. me 2 fëmijë të moshës nën 18 vjeç, si llogaritet kompensimi, duke pasur parasysh zbritje shpenzimesh me vlerë 48 mijë lekë dhe 100 mijë lekë për arsimin? A përfiton zbritje të shpenzimeve një individ që ka fëmijën në arsim publik dhe çfarë dokumente duhet të ngarkojë në sistem për të dokumentuar shpenzimet? Për aplikim për përfitimin e kompensimit për arsimin e fëmijëve kanë të drejtë vetëm individët me të ardhura vjetore bruto nën 1.2 milionë lekë. Në rastet kur familja përbëhet nga dy anëtarë me të ardhura, të dy duhet të kenë të ardhura nën këtë fashë, pasi e drejta për përfitimin e kompensimit për arsimin, përcaktohet mbi bazën e të ardhurave individuale pas zbritjes së shpenzimeve. Në seksionin A të deklaratës, në pikën 18 të saj, individi duhet të plotësojë manualisht numrin e fëmijëve nën 18 vjeç. Sistemi përllogarit automatikisht zbritjen prej 48 mijë lekësh nga baza tatimore për çdo fëmijë. Pra për 1 fëmijë: 48 mijë lekë, për 2 fëmijë: 96 mijë lekë, e kështu me radhë. Ndërsa vlera maksimale deri në 100 mijë lekë për shpenzimet e arsimit duhet të vendoset manualisht nga deklaruesi, bazuar në vlerën e faturave fiskale të shpenzimeve arsimore të ruajtura për vitin 2025. Kjo vlerë nuk është për çdo fëmijë, por në tërësi bazuar nga vlera e faturave, pavarësisht numrit të fëmijëve. Nëse vlera e faturave vjetore është nën 100 mijë lekë duhet të vendoset vlera e tyre, pasi çdo shpenzim duhet të jetë i dokumentuar me faturë fiskale. Ligji nuk përjashton fëmijët që ndjekin arsimin publik. Si për sistemin publik ashtu edhe për atë privat arsimor, nëse shërbimi i marrë është me faturë të fiskalizuar, ky dokument konsiderohet i vlefshëm për dokumentimin e shpenzimeve arsimore deri në masën 100 mijë lekë. Të vlefshme janë edhe faturat nga institucionet parashkollore (kopshtet). Dokumenti i vetëm që vërteton vlerën e shpenzimeve arsimore janë faturat e fiskalizuara të lëshuara nga institucionet arsimore parashkollore dhe shkollore. Individët që kanë plotësuar DIVA 2025 dhe kanë rezultuar me tatim të mbipaguar, ku duhet ta plotësojnë kërkesën për kompensim? Cilat janë detajet e procedurës së aplikimit dhe dokumentacionit të nevojshëm? Të drejtën për dorëzimin e kërkesës për kompensim apo rimbursim e kanë të gjithë individët që pasi kanë plotësuar Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale 2025 rezultojnë me tatim të mbipaguar. Aplikimi për kompensim apo rimbursim të tatimit të mbipaguar do të bëhet në llogarinë e tyre “e-Filing”. Si fillim, tek “e-Filing Im”, do të klikohet mbi rubrikën “Profili im”, te nën menuja “Detajet e Bankës” do të plotësohet formulari me të dhënat e kërkuara, që nga emri i bankës (e dhënë që listohet nga sistemi) dhe përzgjidhet nga deklaruesi, IBAN që plotësohet manualisht, Swifft del automatikisht, lloji i monedhës do të përzgjidhet monedha “Lekë” dhe tek “e vlefshme nga” do të shënohet data nga është e vlefshme llogaria bankare. Informacioni duhet të jetë shumë i saktë bazuar në informacionin e marrë nga banka apo nga aplikacioni. Më tej në “e-Filing Im”, duke përzgjedhur “Çështjet e mia” mbi të cilin do të klikohet. Më pas do të dalë moduli Lloji i Çështjes (ku të mundëson 4 opsione zgjedhjeje), por do të klikohet mbi opsion e dytë me emrin “Pyetje të Përgjithshme”, për të krijuar një çështje të re. Pasi ke krijuar çështje të re të shfaqet një format i bardhë i paplotësuar, ku do të mbushet me tekstin e kërkesës për rimbursim e tatimit të mbipaguar (sipas vlerës së shfaqur në DIVA). Kërkesa do të plotësohet me përshkrimin: “Unë, (emër, mbiemër), me numër identifikimi (...), paraqes kërkesën për rimbursim/kompensim të DIVA.” Gjithashtu duhet të bashkëngjitë edhe dokumentacionin përkatës: Dokument me të dhënat e llogarisë personale bankare (IBAN); Certifikatën familjare; Dokumentacionin justifikues që vërteton shpenzimet e kryera për arsimimin e fëmijëve dokumentet e pagesës, pra faturat e fiskalizuara të shpenzimeve për arsim për fëmijët për vitin 2025. Mund të ngarkohen edhe kontratat për shkollën apo për kopshtin si dokumente mbështetëse. Por vetëm faturat e fiskalizuara të shpenzimeve si për shkollën, kurset që ndjek një fëmijë në shkollë apo në sistemin parashkollor justifikojnë shpenzimet arsimore. Dokumentet kryesore janë ngarkimi i faturave të fiskalizuara që justifikojnë shpenzimet arsimore, për sistemin parashkollor dhe shkollor. Për rastet kur pasi është plotësuar DIVA dhe deklaruesi nuk ka vendosur manualisht numrin e fëmijëve dhe shumën për zbritjen e shpenzimeve arsimore dhe rezulton tatimi i mbipaguar, përveç kërkesës për rimbursim, individi do të ngarkojë vetëm të dhënat e llogarisë bankare (IBAN). Në këtë rast nuk është i nevojshëm ngarkimi i certifikatës familjare. Duhet të theksojmë se kërkesa për rimbursim apo kompensim bëhet vetëm nga individët që kanë paguar tatim, një individ që nuk ka paguar tatim gjatë vitit 2025 nuk mund të përfitojë të drejtën për kompensim. Pra duhet të jetë paguar një tatim që të përfitohet kompensimi pas rillogaritjes së tatimit. Sa është afati i lejuar për dërgimin e kërkesës për kompensim apo rimbursim pas plotësimit të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave? Nuk ka një afat të posaçëm ligjor për paraqitjen e kërkesës për rimbursim. E drejta e individëve për kompensim apo rimbursim nuk humbet për 5 vite. Nëse nuk kërkohet këtë vit, shuma mbetet si tepricë për individët deri në 5 vite. Por nëse do të kërkohet të përfitohet në llogari bankare do të duhet të plotësohet kërkesa dhe të dorëzohet dokumentacioni justifikues. Në të kundërt është një tepricë që mbetet e vlefshme në llogarinë e individëve. Ka interes të shtuar nga individët për dorëzimin e deklaratës dhe kërkesa për kompensim, dhe përkushtimi dhe vëmendja e administratës tatimore është e tillë, që pas mbledhjes së deklaratave të dorëzuara deri më 31 Mars, do të nisë menjëherë me vlerësimin e kërkesave për kompensim. Afati i dorëzimit të DIVA është deri më 31 Mars. Pas përfundimit të afatit, administrata tatimore do të nisë verifikimin e dokumentacionit të dorëzuar. Kompensimi do të kryhet në grupe, sipas vlerave përkatëse. Duke qenë se ky është viti i parë që do të zhvillohet procesi i rimbursimit dhe kompensimit, numri i deklaruesve pritet të jetë i lartë. Edhe fokusi i administratës tatimore është i shtuar për të përballuar fluksin e lartë të kërkesave për aplikim për kompensim apo rimbursim që pritet të vijnë. Vëmendja dhe impenjimi është maksimal me qëllim që të gjitha këto kërkesa të shqyrtohen dhe rimbursimi ndaj individëve të shpërndahet në kohë. Duke qenë se presim fluks të lartë aplikimesh si për kërkesat për kompensim për fëmijët dhe për rimbursim nga rillogaritja e tatimit, vëmendja e administratës tatimore hap pas hapi do të jetë maksimale. Për çdo rast, individët do të informohen hap pas hapi për saktësimin e informacionit. Asnjë individ nuk do të humbë të drejtën për përfitimin e vlerave të merituara të kompensimit. Tashmë administrata tatimore ka përcaktuar edhe procedurat që do të ndiqen për verifikimin e kërkesave dhe dokumentacionit të ngarkuar nga individët. Pas verifikimit të dokumentacionit, të gjithë individët përfitues do të marrin në kohë kompensimin apo rimbursimin për tatimin e mbipaguar, që do të shpërndahet në disa fasha. Parashikojmë që nga muaji prill të vijohet me shpërndarjen e kompensimit për fëmijët dhe rimbursimin për rastet e individëve që nuk kanë fëmijë të deklaruar, por rezultojnë me tatim të mbipaguar për shkak të ndryshimit të rillogaritjes së tatimit. Pra janë marrë të gjitha masat e nevojshme që individët të marrin në kohë vlerat e kompensimit. Afati për trajtimin e kërkesës nga administrata tatimore është 60 ditë pas dorëzimit nga individi. Parashikojmë që i gjithë procesi do të vijojë shumë mirë, pra do të realizohet brenda afateve. Nisur nga fluksi i lartë, kërkojmë mirëkuptimin e individëve nëse do të ketë zgjatje të afatit për kërkesat, por e theksoj që qëllimi dhe angazhimi ynë është që përmbushja e procedurave të jetë brenda afateve. E gjithë qasja është për të realizuar brenda afateve dhe sa më shpejt këtë të drejtë të dhënë nga ligji për individët. Për sa i përket të dypunësuarve dhe për individët që realizojnë të ardhura të patatuara mbi 50 mijë lekë në vit, a ka ndryshim në deklarimin vitin 2025? Për të dypunësuarit, ligji përcakton se kanë detyrimin të deklarojnë DIVA, pavarësisht nivelit të të ardhurave. Tashmë kjo nuk është risi e këtij viti, ka ndodhur edhe më parë dhe do të vijojë edhe këtë vit sipas përcaktimeve ligjore. Mënyra e përllogaritjes në DIVA është e njëjtë. Nëse ka mbipaguar do të rimbursohet, nëse nga mbledhja e dy apo më shumë pagave tejkalohet kufiri dhe hyn në një fashë tjetër të ardhurash p.sh. me tatim 23% do të duhet të paguajë. Pra nuk ka ndryshuar asgjë në parimin e të punësuarve, përveç parimit të rillogaritjes së tatimit për të ardhurat vjetore. Ndërsa për të ardhurat e patatuara mbi 50 mijë lekë në vit, individët duhet të vendosin në DIVA manualisht masën e së ardhurës të realizuar që është e patatuar. Kjo e ardhur e patatur e realizuar mund të jetë nga qiraja, apo nga platformat, si: Booking, Airbnb, YouTube, etj., pra e ardhur e realizuar nga burime të tjera përveç të ardhurave nga punësimi. Sistemi në mënyrë automatike do t’i përllogarisë tatimin e paguar dhe tatimin që duhet të paguajë. Në këtë rast do të dalë me tatim të mbipaguar dhe pagesën e vlerës, individi duhet ta kryejë në bankë pas printimit të urdhërpagesës. Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” parashikon që kontributi i bërë nga çdo anëtar i një fondi pensioni privat zbritet nga të ardhurat personale për efekt tatimi. Megjithatë, në Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave nuk mundësohet ende deklarimi dhe njohja e këtyre kontributeve si shpenzime të zbritshme, për rastet kur individi i derdh këto kontribute vetë dhe jo nëpërmjet punëdhënësit (për shembull, në rastin e të vetëpunësuarve, etj.). Pse nuk është mundësuar ende përfshirja e deklarimit dhe njohjes së këtyre shpenzimeve në DIVA dhe kur mund të ndodhë kjo? Ligji parashikon të drejtën që vlera e deklaruar për pensionet private në vlerën e pagës minimale mujore, ku sipas pagës mujore 2025 është në vlerën e 480 mijë lekëve në vit, e cila nuk tatohet. Për të punësuarit kjo gjë realizohet në listëpagesë, por edhe në rastin kur individi nuk e ka realizuar në listëpagesë këtë lloj zbritje, por e kanë paguar nga jashtë listëpagesës, deklarata e ka të zgjidhur këtë çështje që ka të bëjë me zbritjet për pensionet private dhe tatimi përkatës që duhet zbritur në këtë rast. Përkatësisht në deklaratë janë rubrika (28) “Zbritje për kontributin në skemën e pensioneve private nga të ardhurat e dividendit” dhe dividenti është nxjerrë më vete, duke qenë se ka shkallë tatimore 8%, apo rubrika (29) “Zbritje për kontributin në skemën e pensioneve private nga të ardhurat e tjera, përveç të ardhurave nga dividendi” që janë me shkallë tatimore 15%, për të dyja këto raste, të dhënat plotësohen manualisht nga individi, por nuk mund të jetë më shumë sesa 480 mijë lekë sa vlera vjetore e pagës minimale. Për rubrikën (27) Zbritje për kontributin në skemën e pensionit privat nga të ardhurat e punësimit, vlera plotësohet automatikisht nga listëpagesa. Sistemi në mënyrë automatike përcakton shkallën e tatimit që duhet paguar nga zbritja e shpenzimeve.

Share this post: