Gjiganti i të dhënave
2026-03-14 - 21:14
India është në mes të një bumi investimesh në qendrat e të dhënave. Paratë po vërshojnë në vend, por përfitimet mund të rezultojnë të përkohshme Nëse bëni një shëtitje në Navi Mumbai, qyteti më i ri dhe më pak i njohur në lindje të kryeqytetit financiar të Indisë, mes uzinave kimike, rafinerive të naftës dhe parqeve industriale do të vini re disa ndërtesa të reja që shkëlqejnë. Shumë pak njerëz hyjnë brenda dhe jashtë tyre ka shumë pak lëvizje. Këto godina gjigante janë qendra të të dhënave, infrastruktura që pritet të mbështesë ambicien e Indisë për t’u bërë një superfuqi në Inteligjencën Artificiale (IA). Qendrat e të dhënave po shfaqen me shpejtësi në mbarë vendin. Kapaciteti i instaluar arriti në 1.3 gigavat (GW) vitin e kaluar, sipas JLL, një kompani e pasurive të paluajtshme. Kjo shifër mund të jetë e vogël krahasuar me Amerikën (38.7 GW) ose Kinën (9.5 GW), por është pothuajse trefishi i nivelit të vitit 2020. Dhe rritja pritet të vazhdojë. Gjatë një samiti global për IA të mbajtur së fundmi në Delhi, Grupi Adani, konglomerati i njohur indian, njoftoi se do të investojë 100 miliardë dollarë në qendrat e të dhënave deri në vitin 2035. Të tjerë, si NTT DATA, gjiganti japonez i teknologjisë së informacionit që aktualisht është pronari më i madh i qendrave të të dhënave në Indi, kanë gjithashtu plane të mëdha investimi, ashtu si edhe kompanitë e mëdha amerikane të teknologjisë. India do ta ketë të vështirë të rivalizojë Amerikën dhe Kinën në zhvillimin e IA-së më të avancuar. Por po bëhet me shpejtësi një qendër e rëndësishme në këtë industri. Kjo lidhet me tre faktorë. I pari është shtysa e qeverisë për të lokalizuar të dhënat. Në vitin 2024, India, me popullsinë e saj të madhe, prodhoi sipas disa vlerësimeve rreth një të pestën e informacionit digjital në botë, por kishte vetëm 3% të kapacitetit të qendrave të të dhënave. Që nga viti 2018, Banka Qendrore e Indisë ka kërkuar që institucionet financiare të ruajnë të dhënat e klientëve brenda vendit. Një ligj që pritet të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm mund të kërkojë që disa lloje të të dhënave personale, përfshirë disa nga mesazhet e shumta në rrjetet sociale të dërguara në vend, të qëndrojnë gjithashtu brenda territorit indian. Stimujt qeveritarë po nxisin gjithashtu bumin e qendrave të të dhënave. Gjatë prezantimit të buxhetit më herët këtë vit, Nirmala Sitharaman, ministrja e Financave, njoftoi se pronarët e huaj të qendrave të të dhënave të vendosura në Indi do të përfitojnë një “pushim tatimor” deri në vitin 2047, në 100-vjetorin e pavarësisë së Indisë dhe objektivin për arritjen e statusit të një vendi të zhvilluar. Një pjesë e madhe e përpjekjeve vjen nga jashtë qeverisë qendrore. “Ka njëfarë gare mes shteteve”, – thotë Rachit Mohan nga JLL. Në Maharashtra, shteti ku ndodhet Navi Mumbai dhe mbi gjysma e kapacitetit ekzistues të Indisë, qendrat e të dhënave përfitojnë nga një klasifikim i favorshëm që u lejon të paguajnë çmime të energjisë elektrike 40% më të ulëta se përdoruesit e tjerë tregtarë. Karnataka, ku ndodhet qyteti i Bangalore, qendra teknologjike e Indisë, ofron energji më të lirë për qendrat e të dhënave që mbështeten të paktën pjesërisht në burime të rinovueshme. Tamil Nadu dhe Telangana, dy shtete të tjera jugore me industri të lulëzuara të teknologjisë së informacionit, ofrojnë gjithashtu stimuj. Autoritetet lokale për promovimin e investimeve në disa shtete ndihmojnë bizneset e huaja të kapërcejnë pengesat burokratike të Indisë dhe të përshpejtojnë sigurimin e tokës. Arsyeja e tretë për rritjen e qendrave të të dhënave në Indi është kostoja. Edhe pse çmimet e energjisë elektrike në Indi janë të larta në raport me të ardhurat vendase, ato janë të lira në terma dollarësh. Kotak Research, një firmë analistësh, vlerëson se kostoja e energjisë elektrike është rreth një e pesta më e ulët se në Amerikë, ku rrjeti energjetik është tashmë nën presion. Kostot e tokës dhe ndërtimit janë gjithashtu më të ulëta në Indi sesa në shumë vende të tjera. Kjo po tërheq kompanitë e mëdha teknologjike amerikane, të cilat po e trajtojnë gjithnjë e më shumë Indinë si një qendër për trajnimin dhe operimin e modeleve të IA-së. Alphabet po shpenzon 15 miliardë dollarë për një grup qendrash të të dhënave për IA në jug të Indisë. Microsoft ka deklaruar se do të investojë rreth 20 miliardë dollarë në infrastrukturë të IA-së në vend gjatë viteve të ardhshme. Nëse indianët do të përfitojnë nga e gjithë kjo mbetet e paqartë. Vetë qendrat e të dhënave gjenerojnë një numër të konsiderueshëm vendesh pune vetëm gjatë fazës së ndërtimit. Jensen Huang i Nvidia-s, shitësi kryesor i çipave për IA, ka argumentuar se bumi i qendrave të të dhënave mund të jetë po aq i dobishëm për ekonominë indiane sa interneti. Kjo është optimiste. Qendrat e të dhënave në Indi, pasi ndërtohen, bëhen prani thuajse fantazmë. Megjithatë, vendi mund të qetësohet me faktin se së shpejti do të kontrollojë shumë më tepër nga infrastruktura përmes së cilës kalon vëllimi i madh i të dhënave.