TheAlbaniaTime

Gati fotografimi ajror për zhvillimin urban dhe rural, lidhet kontrata 2.65 mln euro

2026-03-23 - 12:01

Vendi do t’i nënshtrohet tashmë një tjetër fotografimi ajror që synon të rifreskojë hartat e prodhuara thuajse një dekadë me parë. Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) njoftoi se tashmë ka lidhur kontratën me kompaninë që do të ofrojë këtë shërbim e cila u shpall fituese me një vlerë prej 265 milionë lekë apo rreth 2.65 milionë euro. Fitues i kësaj procedure ishte operatori Mescioğlu Mühendislik ve Müşavirlik A.Ş. FSHZH çeli procedurën në nëntor të vitit të shkuar dhe tashë njoftoi në sistemin e prokurimeve për finalizimin dhe lidhjen e një kontrate. Kjo e fundit ka në objekt “Ndërhyrje për Përditësimin e Sistemit Kombëtar të të Dhënave Gjeohapësinore për Mbështetjen e Zhvillimit Rajonal:Fotografimi ajror,dixhital i territorit të Republikës së Shqipërisë, Prodhimi i Imazheve ajrore të orientuara nadir dhe oblik, Skanimin LIDAR;DT”. Më herët në dokumente nënvizohej se ky fotografim është i nevojshëm për një seri arsyesh ku së pari ndryshimet demografike dhe zhvillimi ekonomik në disa sektorë (si Turizmi dhe Bujqësia) kërkojnë krijimin e sistemeve dhe bazave të të dhënave që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm. Në shumë raste, hasen vështirësi gjatë zbatimit të shumë projekteve të rëndësishme të synuara për zhvillimin e zonave urbane dhe infrastrukturore. “Sidomos në zonat urbane dhe turistike, shumë Agjenci Publike si dhe shumë investitorë vuajnë nga mungesa e informacionit hartografik për të dhëna vektoriale në shkallë të vogël dhe të madhe dhe përditësimin e prodhimeve ortofotografike, të cilat ndihmojnë si për realizimin e investimeve në infrastrukturë, ashtu edhe për stabilizimin e marrëdhënieve mes pronësisë së tokës në veçanti”, thuhet në dokument. Sipas FSHZH bazuar në nevojat dhe kërkesat e shumë autoriteteve publike të cilat i janë njohur si aktorë për përdorimin dhe përditësimin e tematikave të informacionit gjeohapsinore, ASIG propozoi një fotografim të ri ajror i cili do të shërbejë si hartë-bazë e unifikuar për të gjithë Territorin Shqiptar. Dokumentet specifikojnë se fotografimi Ajror Dixhital, oblik, Modeli Dixhital i Terrenit dhe Ortofoto RGB/ CIR të cilat do të prodhohen për projektin, do të jenë të dobishëm për njohjen e gjendjes aktuale të veçorive gjeografike shqiptare dhe formulimin e planeve kombëtare lidhur me territorin. “Përveç kësaj, është e mundur të kryhen kërkime shkencore dhe të analizohen situatat e mëposhtme të rëndësishme si: Erozioni bregdetar, ondi pyjor, zhvillimi i burimeve minerale, ndryshimet e përdorimit të tokës, p.sh. nga tokë bujqësore në zonë e banimit, nga pyll në tokë bujqësore; ndërtesa të reja dhe humbja e ndërtesave, fatkeqësi natyrore, p.sh. Rrëshqitjet e tokës apo zjarret në pyje, zbatimi i sistemit të regjistrimit të popullsisë, të sistemit kombëtar të adresave”, nënvizon dokumenti./ N.Maho

Share this post: