FSHZH anulon tenderin 4.5 mln euro të Fermës së dijes në Divjakë, operatorët ankohen në KPP
2026-03-03 - 05:14
Një procedurë prokurimi që kishte në objekt ndërtimin e një ferme agoturistike dhe ullishteje si një model zhvillimi në Divjakë është anuluar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Kontrata “Ndërtimi i infrastrukturës së modeleve të integruara në zona me potencial zhvillimi, Divjakë: “Ferma e dijes dhe agroturizmit të ullishteve, Divjakë” me një fond limit 458 milionë lekë apo rreth 4.5 milionë euro nuk arriti të finalizohej. Në sistemin e prokurimeve FSHZH ka argumentuat se kjo procedurë do të anulohej “për shkak të rrethanave të paparashikueshme dhe objektive, nevojat ose aftësia paguese e autoritetit ose entit kontraktor kanë ndryshuar”. Por duket se një hap i tillë nuk është mirëpritur nga operatorët ekonomikë të cilët e kanë ankimuar procedurën pranë Komisionit të Prokurimit Publik. Lidhur me arsyen e ankimimit kjo është kategorizuar si “tjetër”. Tenderi në fjalë u hap në 9 tetor dhe u mbyll në 27 tetor 2025. Referuar raportit teknik projekti synonte krijimin e një poli të ri zhvillimi tematik, në formën e një qendre dije dhe një qendre rekreacioni në të cilën do të përfshihen funksione shoqëruese mikse shërbimi, sporti, çlodhje dhe mjedise për edukimin e trajnimin e brezit të ri. Zona ndodhet në lindje te qytetit te Divjakës, Bashkia Divjake. Ajo ka shtrirje lineare me drejtim Veri-Jug. Sipërfaqja është tokë bujqësore e mbjelle me pemëtari Ullinj. Zona e Zhvillimit me sipërfaqe prej 40 Ha, ishte projektuar për të shërbyer si një qendër multifunksionale në shërbim të dijes, rekreacionit, agroturizmit dhe prodhimit e shitjes se produkteve lokale për fëmijët, te rinjtë, turistet, banoret e bizneset lokale dhe për kërkuesit e studentët e degëve bujqësore duke ofruar një gamë të gjerë të shërbimeve dhe aktiviteteve. Në projekt parashikohen disa zona ku e para dhe e dyta si qendër kërkimi dhe laborator shartimi, zona 3-4 fermë ullishte bio dhe hapësirë e dedikuar për kafshët, zona Hapësirë Mikpritëse (Glamping dhe Agroturizëm)./N.Maho