TheAlbaniaTime

Frenohen kërkesa, por yield-et e bonove 12-mujore ngelen të ulëta

2026-03-16 - 09:05

Yield-et e bonove 12-mujore shënuan një korrigjim të vogël në rritje edhe në ankandin e muajit mars, por ngelen në nivele të ulëta dhe ende poshtë normës bazë të interesit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar rezultoi në nivelin 2.45%, nga 2.43% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Nga 11 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e e Financave për ankandin e fundit, vlera totale e kërkesave në ankand nuk arriti më shumë se 9.36 miliardë lekë. Pavarësisht mosplotësimit të shumës, rritja e yield-it ishte shumë e vogël dhe duket se për momentin tendencat e tregut duken për ruajtjen e niveleve të ulëta të tyre. As shqetësimi nga tensionet në Lindjen e Mesme dhe rritja e çmimeve të naftës për momentin nuk duket se po ushtron presione mbi normat e interesit në tregun e brendshëm. Kërkesa e investitorëve në ankandet e bonove të thesarit ka pësuar një rënie të lehtë në tre ankandet e fundit, por as kjo nuk ka mjaftuar për të sjellë rritje të rëndësishme të yield-eve. Ulja e kërkesës mund të lidhet me uljen e ndjeshme të yield-eve, por edhe me faktin se tremujori i parë i vitit ka edhe përqendrimin më të lartë të huamarrjes së qeverisë në tregun e brendshëm. Yield-et e bonove të thesarit ngelen poshtë nivelit të normës bazë të interesit si edhe në rënie me bazë vjetore. Një vit më parë yield-i i bonove 12-mujore kishte qenë në nivelin 2.73%. Në terma relativë, të matura në raport me normën bazë të interesit, yield-et madje ndodhen pranë niveleve më të ulëta historike. Rënia e yield-eve mund të shpjegohet në një masë të madhe me likuiditetin e lartë në tregun e brendshëm financiar. Zgjerimi i ofertës së parasë dhe rritja e depozitave bankare, kanë shtuar likuiditetin e disponueshëm për investime dhe kanë rritur kërkesën në ankandet e titujve qeveritarë. Bonot 12-mujore janë edhe instrumenti kryesor referues për përcaktimin e interesave të kredisë afatgjatë për sektorin privat. Yield-et e ulëta të bonove 12-mujore reflektohen paralelisht edhe në norma më të ulëta për kreditë interesa të ndryshueshme në Lekë. Normat e ulëta të interesit vazhdojnë të favorizojnë rritjen me ritme të larta të kredisë për ekonominë. Portofoli i kredisë për ekonominë, i matur si tepricë, në fund të janarit arriti vlerën e 939.3 miliardë lekëve. Me bazë vjetore, portofoli total i kredisë ngelet në rritje dyshifrore, me 11.6% më shumë krahasuar me janarin e vitit 2025. / E.Shehu

Share this post: