Fondit Social 2026, kryeministri Rama prezanton 14 shërbime të reja për nënat dhe të moshuarit
2026-02-11 - 11:06
14 shërbime të reja sociale u prezantuan sot nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në kuadër të eventit “Fondi Social 2026 – Garanci për Qëndrueshmërinë e Shërbimeve për Mirëqenien e Qytetarëve”, ku mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama. Gjatë vitit 2026, Fondi Social do të financojë 14 shërbime të reja, të dedikuara për fëmijët dhe nënat në nevojë, fëmijët dhe të rriturit me aftësi ndryshe, të moshuarit, gratë dhe vajzat viktima të dhunës, si dhe për fëmijët pa kujdes prindëror. Nga këto, 12 shërbime të reja do të ofrohen në bashkitë Durrës, Përrenjas, Kurbin, Skrapar, Himarë, Kavajë, Vorë, Korçë, Mat, Patos, Cërrik dhe Kamëz, ndërsa dy shërbime të reja Emergjence dhe Linje Këshillimi për fëmijë do të ngrihen në nivel qarku. Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij theksoi transformimin rrënjësor të sistemit të shërbimeve sociale në dekadën e fundit, duke theksuar se sot Shqipëria mbështet në mënyrë të organizuar rreth 65 mijë individë përmes një rrjeti institucionesh dhe shërbimesh në nivel qendror dhe vendor. Ai nënvizoi se risia më e rëndësishme e këtij procesi është shtrirja e shërbimeve në nivelin vendor dhe përfshirja aktive e bashkive, si një garanci për qëndrueshmërinë dhe eficiencën e tyre. “Çuarja e këtij procesi përpara nënkupton që të shkojmë përtej volumit dhe përtej shifrave që janë jashtëzakonisht inkurajuese, sepse që sot Shqipëria të kujdeset në mënyrë të posaçme për 65 mijë individë është diçka shumë domethënëse dhe nuk janë 65 mijë individë të cilët i prek një sistem financimi, por janë 65 mijë individë, të cilët i prek një sistem i organizuar institucionesh, pikash shërbimi, kujdestarësh dhe kështu me radhë. Është e rëndësishme që me bashkitë të shtyjmë shumë më tepër përfshirjen e familjeve në këtë sistem përkujdesjeje sociale. Shembulli që u paraqit këtu ishte shumë prekës, shumë motivues dhe nxitës për të kërkuar më shumë familje, të cilat janë të gatshme të marrin pjesë në këtë përpjekje sociale dhe të kujdesen për fëmijë që kanë nevojë jo thjesht për një strehë, por për një strehë nën të cilën ka një ngrohtësi familjare dhe këtu duhen gjetur mekanizmat e financimit bashkërisht me pushtetin vendor, por në këtë pikë pushteti vendor është kyç dhe kryetarët e bashkive janë absolutisht aktorët kryesor për të arritur që të përcjellin sensin e kësaj qasjeje dhe për të arritur që të bëjnë punën e nevojshme bindëse për familje, të cilat mund të bashkohen në këtë qasje dhe të cilave duhet t’u dedikojmë një fond të veçantë. Thënë të gjitha këto, dua të shtoj se buxheti është gjithmonë e më domethënës sigurisht. Është rritur siç e tha ministrja 6 herë nga momenti kur ne kemi nisur këtë përpjekje. Është 17 % më i lartë këtë vit sesa vitin e shkuar, por buxheti nuk është e gjitha dhe nuk i thotë dhe as i zgjidh dot të gjitha. Kështu që për këtë arsye na duhet që këtë proces decentralizimi ta thellojmë, ta bëjmë më të konsoliduar dhe në ndërkohë të rrisim patjetër edhe cilësinë e jetës nën strehët e kujdesit shoqëror. Ne kemi nisur një proces në Tiranë me transformimin e kushteve për jetimoren e famshme, shtëpinë e përkujdesjes për fëmijë “Zyber Hallulli” në një fshat të përkujdesjes brenda qytetit natyrisht dhe me këtë frymë është mirë ë të shohim me bashkitë dhe të tjera mundësi për të krijuar hapësira komunitare të rëndësishme nga pikëpamja e kushteve dhe cilësisë”, u shpreh ndër të tjera kryeministri Rama gjatë fjalës së tij.