FMN i bën thirrje SHBA-së të bashkëpunojë me partnerët për të lehtësuar kufizimet tregtare
2026-02-26 - 12:54
Fondi Monetar Ndërkombëtat (FMN) i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të bashkëpunojë me partnerët tregtarë dhe të gjejë mënyra për të lehtësuar në mënyrë të ndërsjellë kufizimet tregtare, ndërsa publikoi raportin e rishikimit të ekonomisë amerikane. Gjetjet e FMN-së mbuluan vitin e parë të mandatit të dytë presidencial të Donald Trump, gjatë të cilit ai vendosi tarifa të gjera ndaj aleatëve dhe rivalëve, me synimin për të zvogëluar deficitin tregtar të SHBA-së dhe për të nxitur prodhimin vendas. Megjithatë, tarifat e tij të vendosura dhe të pezulluara herë pas here kanë tronditur zinxhirët e furnizimit dhe tregjet financiare. Gjatë këtij viti, administrata Trump gjithashtu kërkoi të ulë varësinë nga punëtorët emigrantë pa dokumente dhe të zvogëlojë rolin e qeverisë federale në ekonomi, theksoi FMN-ja. Por FMN deklaroi se Uashingtoni duhet të punojë në mënyrë konstruktive me partnerët “për të adresuar shqetësimet mbi praktikat e padrejta tregtare dhe për të rënë dakord mbi një reduktim të koordinuar të kufizimeve tregtare dhe shtrembërimeve të politikave industriale që kanë efekte negative ndërkufitare”. “Kur masat tregtare dhe të investimeve (përfshirë tarifat dhe kontrollet e eksporteve) vendosen për arsye të sigurisë kombëtare, politika të tilla duhet të zbatohen në mënyrë të ngushtë dhe të targetuar”, theksoi FMN. Drejtoresha menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva, u tha gazetarëve se raporti ishte përgatitur përpara se Gjykata Supreme e SHBA-së të rrëzonte shumicën e tarifave të Trump-it të premten e kaluar, duke shtuar se institucioni do ta analizojë këtë zhvillim. Pas vendimit, Trump përdori një ligj tjetër për të vendosur një tarifë të re globale prej 10 për qind, të cilën ai kërcënoi gjithashtu ta rrisë në 15 për qind. Georgieva u takua me Sekretarin e Thesarit, Scott Bessent, dhe me kryetarin e Rezervës Federale, Jerome Powell, përpara publikimit të raportit. Ajo theksoi se FMN ndan shqetësimin e administratës Trump për madhësinë e deficitit tregtar dhe të llogarisë korrente të SHBA-së, duke shtuar se hendeku aktual i llogarisë korrente është “shumë i madh”. Stabiliteti në rrezik Rritja e vazhdueshme e borxhit publik “mbetet një çështje madhore” që duhet mbajtur në vëmendje, deklaroi drejtoresha menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva. FMN-ja theksoi se “ndonëse rreziku i stresit sovran* në SHBA është i ulët, trajektorja në rritje e raportit borxh publik-PBB dhe nivelet në rritje të borxhit afatshkurtër ndaj PBB-së përbëjnë një rrezik në rritje për stabilitetin e ekonomisë amerikane dhe asaj globale”. Në përgjithësi, FMN parashikon që rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të SHBA-së të arrijë në 2.6 për qind në vitin 2026, duke u përshpejtuar nga 2.2 për qind një vit më parë. Megjithëse ekonomia konsiderohet “e qëndrueshme”, FMN-ja paralajmëroi se “pasiguria rreth politikave tregtare mund të përbëjë një frenim më të madh se sa pritej për aktivitetin ekonomik”. Në deklaratën përmbyllëse të konsultimit të saj të njohur si “Article IV”, FMN vuri në dukje se vendi ka shënuar “rritje të vazhdueshme të fortë të produktivitetit, edhe pse mbyllja e qeverisë ndikoi negativisht në aktivitetin ekonomik në tremujorin e katërt”. FMN-ja publikoi për herë të fundit rekomandime politike për SHBA-në në vitin 2024. Në atë kohë, ajo shprehu shqetësim për shtimin e kufizimeve tregtare nën administratën e atëhershme të presidentit Joe Biden, duke u bërë thirrje autoriteteve të zhbëjnë pengesat ndaj tregtisë së lirë. Gjithashtu, në vitin 2024, fondi kërkoi ndryshim të kursit sa i përket rritjes së borxhit publik, duke theksuar se autoritetet mund të shqyrtojnë rritjen e taksave, ndër masa të tjera reformuese. / CNA * Rreziku i stresit sovran do të thotë që ekziston mundësia që një shtet të mos arrijë të përmbushë detyrimet e tij financiare, si pagesa e borxhit dhe interesave, duke shkaktuar tronditje në ekonomi dhe në tregjet financiare.