TheAlbaniaTime

Energjia nga dielli arrin rekord prej 13.2% të prodhimit total në 2025-n; Bien humbjet në rrjet

2026-03-03 - 15:44

Rendja e investitorëve drejt investimeve në fotovoltaikë ka çuar në rritjen e ndjeshme te pëshës së energjisë së prodhuar nga dielli gjatë vitit 2025, që për herë të parë në histori ka arritur në 13.2% të totalit, nga 6.4% që ishte vitin e kaluar. Investitorët shqiptarë ndjekin diellin, biznesi 1.5 miliardë euro INSTAT raportoi bilancin e energjisë për vitin 2025. Gjatë vitit 2025, energjia elektrike në dispozicion arriti në 8.345 GWh, kundrejt 8.171 GWh në vitin 2024, duke shënuar një rritje prej 2,1 %. Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike arriti vlerën 7.468 GWh, nga 7.837 GWh në vitin 2024, duke shënuar një rënie prej 4,7 %. Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 45,2%, nga prodhuesit privatë dhe koncesionarë në masën 41,6% dhe nga të tjerë prodhues (energji të rinovueshme të tjera) në masën 13,2% të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike. Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje) arriti vlerën 3.375 GWh, nga 2.669 GWh në vitin 2024, duke shënuar një rritje prej 26,5%. Ndërkohë, eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) arriti vlerën 2.498 GWh, nga 2.335 GWh në vitin 2024, duke shënuar një rritje prej 7,0%. Hidrocentralet publike, në vitin 2025, prodhuan 3.374 GWh, nga 4.085 GWh në vitin 2024, duke shënuar një rënie të prodhimit prej 17,4%. Prodhuesit privatë dhe koncesionarë prodhuan 3.109 GWh, nga 3.245 GWh një vit më parë, duke shënuar një rënie prej 4,2%. Të tjerë prodhues (energji të rinovueshme të tjera) prodhuan 984 GWh, nga 507 GWh në vitin 2024, duke regjistruar një rritje prej 94,3%. Shkëmbimi i energjisë elektrike (diferenca mes eksportit dhe importit bruto të energjisë), në vitin 2025, rezultoi negativ në nivelin −877 GWh, krahasuar me një nivel negativ prej −334 GWh në vitin 2024. Bien humbjet në rrjet Humbjet në rrjet arritën vlerën 1.593 GWh në vitin 2025, nga 1.614 GWh në vitin 2024, duke shënuar një rënie prej 1,3%. Pesha që zënë humbjet në rrjet në totalin e energjisë elektrike në dispozicion gjatë vitit 2025 është 19,1%, kundrejt 19,8% në vitin 2024, duke regjistruar një ulje prej 0,7 pikë përqindje. Gjatë vitit 2025, humbjet në transmetim shënuan rënie prej 3,9%, ndërsa humbjet në shpërndarje shënuan rënie prej 1,0%, krahasuar me vitin 2024. Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në vitin 2025, arriti vlerën 6.752 GWh, nga 6.556 GWh në vitin 2024, duke shënuar një rritje prej 3,0%. Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët familjarë u rrit me 6,8%, duke arritur vlerën 3.641 GWh në vitin 2025, nga 3.409 GWh në vitin 2024. Ndërsa përdorimi nga konsumatorët jo familjarë u ul lehtë, duke arritur 3.111 GWh në vitin 2025, nga 3.147 GWh në vitin 2024, duke shënuar një rënie prej 1,2%.

Share this post: