TheAlbaniaTime

Energjia, Karakaçi me FIAA: Ankand i ri për të rinovueshmet në 2026, prioritet rrjeti i transmetimit

2026-03-27 - 13:11

Shqipëria po përgatitet të hapë një ankand të ri për energjinë e rinovueshme në tremujorin e tretë të vitit 2026, ndërsa fokusi i politikave energjetike po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt forcimit të rrjetit të transmetimit dhe lidhjeve ndërkombëtare. Duke folur në një aktivitet me investitorët e huaj, ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës Enea Karakaçi theksoi se zhvillimet gjeopolitike kanë kthyer sektorin në një nga më të ekspozuarit ndaj goditjeve të jashtme. “Tashmë është bërë rutinë përballja me kriza globale, sot sërish, për shkak të një lufte larg kufijve tanë, sektori energjetik vihet në një situatë stresuese dhe të vështirë”, u shpreh ai. Sipas tij, kjo situatë kërkon reagim të shpejtë dhe koordinim më të fortë institucional për të garantuar sigurinë energjetike. Në këtë linjë, qeveria ka ndërmarrë reforma për të ndërtuar një sistem më të qëndrueshëm dhe për të tërhequr investime, përtej detyrimeve të integrimit europian. “Kjo nuk vjen vetëm si nevojë për përafrim me BE-në, por edhe si domosdoshmëri për të tërhequr investime”, tha ministri. Një nga shtyllat kryesore të këtij transformimi mbetet diversifikimi i burimeve. Që nga viti 2019, Shqipëria ka ndërtuar një portofol më të balancuar energjetik, ku energjia diellore po fiton terren. “Rreth 10 për qind e prodhimit vendas vjen nga energjia diellore, duke ulur varësinë nga hidrocentralet”, nënvizoi ai. Zhvillimi i sektorit është mbështetur gjithnjë e më shumë nga investimet private, të cilat po shkojnë përtej skemave mbështetëse. Sipas ministrit, tregu tashmë përfshin si projekte të realizuara përmes ankandeve, ashtu edhe investime të pavarura. Megjithatë, zhvillimet e fundit në Europë kanë nxjerrë në pah një dobësi strukturore: rëndësinë e rrjetit të transmetimit. “Siguria energjetike nuk lidhet vetëm me prodhimin, por edhe me transmetimin. Nëse ndërtojmë kapacitete gjeneruese, duhet të ndërtojmë paralelisht edhe ato transmetuese”, tha ai. Në këtë kuadër, Shqipëria po përshpejton projektet për ndërlidhjet rajonale, përfshirë lidhjen me Maqedoninë e Veriut, dyfishimin e kapaciteteve me Greqinë dhe projektin strategjik me Italinë. Këto investime synojnë të rrisin fleksibilitetin dhe të mundësojnë shfrytëzimin më efikas të burimeve prodhuese. Një tjetër objektiv strategjik mbetet transformimi i vendit nga importues në eksportues neto energjie deri në vitin 2030. “Objektivi ynë është që Shqipëria të kthehet në eksportues neto të energjisë”, deklaroi ministri. Paralelisht, qeveria synon të rrisë eficiencën energjetike përmes instrumenteve financiare të dedikuara. “Do të krijojmë një fond financimi për eficiencën e energjisë”, tha ai, duke shtuar se tashmë janë instaluar rreth 400 MW kapacitete vetëprodhuese nga bizneset dhe familjet. Investimet nuk do të kufizohen vetëm në infrastrukturë. Ministri theksoi nevojën për zhvillimin e kapitalit njerëzor, duke njoftuar krijimin e një Akademie të Energjisë me mbështetje ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, në tryezë janë edhe projekte të mëdha publike, përfshirë zhvillimin e digave dhe teknologjive të ruajtjes si “pump storage”, që synojnë të rrisin fleksibilitetin e sistemit. Në këtë kuadër ankandi i ri për energjinë e rinovueshme në 2026 pritet të jetë një hap tjetër drejt konsolidimit të tregut dhe rritjes së kapaciteteve, duke reflektuar një qasje më të integruar mes prodhimit dhe transmetimit.

Share this post: