TheAlbaniaTime

Eksportet, Sfidat nuk mund të tejkalohen me inponim, as me manipulim shifrash

2026-02-10 - 11:06

Koço Broka Ekonomist* Ndërsa po bisedoja e dëgjoja për shqetësimet e një sipërmarrëse fason të veshjeve, për problematikat e mprehta fiskale që po përballet, jo vetëm nga zhvlerësimi i euros viteve të fundit, faktori nga më madhorët që ka ndikuar drejtpërdrejt sidomos në këtë degë, rritja e kostove të ndryshme të prodhimit, konkurrenca e huaj dhe tani së fundi dhe nga rritja e pagës minimale prej 25 %, nuk mund të mos më lindte kureshtja për tryezën e dialogut që Qeveria dhe biznesi eksportues zhvilluan të mërkurën e kaluar. Kryeministri z.Edi Rama dhe dy ministra prezantuan platformën e re ExportOn, një nismë e fokusuar në mbështetjen e eksporteve dhe produkteve “Made in Albania” duke u ndalur në këtë të fundit. Një nismë shumë e bukur, më e bukur se vetë Diella, ndërkohë e pashmangshme për vetë stadin e fazën e integrimit të ekonomisë shqiptare në atë të Bashkimit Europian. Megjithatë munda të shihja e dëgjoja vetëm fjalimet e Kryeministrit dhe Ministrave, pa mundur të shijoj pjesën më pikante, atë që u evidentua dhe në takim, si përmbajtja e qëllimi real të këtij eventi, diskutimet e tryezat e dialogut të manifakturës dhe agropërpunimit, për të përmirësuar nismat qeveritare për ti moderuar e përshtatur sipas nevojës e problematikave të biznesit, për të ecur më përpara. Po kështu nuk munda të shijoj dhe pjesën e fundit ku do të liheshin detyrat ndaj njëri tjetrit, zotimet, premtimet, planifikimet strategjikë që priteshin të shfaqeshin, e mbi këtë bazë monitorimin e tyre. Po tej aspektit personal të mos ndjekjes drejtpërdrejt të këtij aktiviteti shumë të rëndësishëm, natyrshëm i them vetes: Sa të bukura ishin jo vetëm fjalët por pse jo dhe disa nga idetë e shpalosura !? Këtu mund të veçoj, psh deklarimet:-se Made in Albania” është një markë cilësie dhe një pasaportë për në BE dhe për këtë arsye, ne do të mbështesim fuqimisht dhe gjithmonë e me shumë të gjithë ata që do të synojnë marrjen e kësaj pasaporte, ose më saktë, të gjithë ata që do të synojnë t’ia japin vetes këtë pasaportë, duke hequr dorë nga ideja se konkurrenca me çmim të ulët mund t’i çojë larg dhe duke u fokusuar tek konkurrenca me standarde të larta, me standarde të certifikuara nga Bashkimi Europian, për të krijuar më shumë vlerë dhe për të synuar fitim përmes vlerës së krijuar në cilësi dhe jo sasisë për të kapur një vlerë të caktuar. “...ministrja me siguri do t’iu japë më në detaje se ku jemi dhe ku duam të shkojmë pa humbur shumë kohë” ...“ “Ne duam ta ndryshojmë modelin e zhvillimit të ekonomisë shqiptare. Duam të krijojmë potencial dhe të mbështesim një ekonomi që bazohet në investime, në eksporte dhe, mbi të gjitha, që shërben për rritjen e produktivitetit. Po si do ta bëjmë këtë? Si është struktura e eksporteve sot? Në të vërtetë, eksportet shqiptare janë rritur në pesë vitet e fundit, por kemi parë një zhvendosje të strukturës. 85% e eksporteve përbëhen nga shërbimet, ku turizmi, siç e njihni dhe e ndjeni, po zë gjithmonë e më shumë peshë. Nga ana tjetër, pesha e eksporteve të mallrave ka ardhur në reduktim. Për hir të së vërtetës, eksportet e mallrave, si në vlerë ashtu edhe në vëllim, janë rritur në pesë vitet e fundit, por shërbimet janë rritur shumë më shpejt se mallrat. Për këtë arsye, ne jemi të kujdesshëm dhe synojmë të hartojmë politika që mbështesin veçanërisht eksportet e mallrave...” Pa u ndalur qoftë dhe në gjithë idetë e mësipërme, mjaft prej të cilat i gjej tepër interesante, të nevojshme e të domosdoshme, në motivet e protestave të ndryshme që po zhvillohen në vend, dua të evidentoj se mendimi dhe qëndrimi im personal është se aktualisht ekonomia e vendit tonë jo vetëm që nuk është në krizë, por është në një situatë me ritme mjaft të kënaqshme rritje në përgjithësi. Mjafton të sjell para lexuesve të këtyre radhëve, se nga viti 2022 deri në nëntor të vitit të kaluar, depozitat bankare janë rritur nga 1 trilion e 271 miliard në 1 trilion e 453 miliard lekë, kredia për ekonominë nga 713 miliard në 925 miliard lekë, me shtesë dhe ritëm rritje mjaft të mirë vitin e kaluar. Natyrisht vetë tabloja e ekonomisë përfshi ekonominë tonë shqiptare është shumë më komplekse se kaq, problematikat janë të ndryshme e të llojeve të ndryshme dhe sfidat për tu përballuar sidomos në afatmesëm janë mjaft të mprehta, e jo të lehta për tu përballuar. Pa u ndalur në zhvillimet ndërkombëtare, tarifat doganore që po inponohen, kërkesat e rritjes të shpenzimeve për armatime, mjafton të mbahen parasysh qoftë problematikat e krijuara nga zhvillimet demografike që priten të përkeqësohen, duhet thënë se këto apo ato sfida nuk mund e nuk duhen anashkaluar. Vetë aderimi në BE, nuk ka asgjë të përbashkët me Hapu Suzam! Këtu jo vetëm se qoftë vende të zhvilluara të ish shtatëshes si Italia në 25 vitet e fundit karakterizohet nga stanjacioni, por mjaft nga idetë e mësipërme janë lehtë të thuhen dhe jo aq lehtë të bëhen madje në një kohë shumë të shkurtër. Kjo më kujton vitin 1992, kur duke u njohur me arritjet e Koresë së Jugut në 30 vitet, nuk ishte shumë e vështirë të deklarohej se ashtu si Koreja, ekonomia shqiptare nga ekonomi të shndërrohej nga një ekonomi prodhuese por e mbyllur, në një ekonomi jo vetëm e hapur por një ekonomi me orientim eksporti. Natyrisht nuk mungonte të evidentohej se ky zhvillim asaj ekonomie, nuk ishte thjesht një politikë e shpallur qeveritare, por një përqafim nga gjithë shoqëria dhe para sa gjithash nga arsimi i lartë dhe shkenca koreano jugore, për të mundësuar që Samsungu apo marka të tjera, të bëheshin realisht konkurrese në tregun ndërkombëtar. Ndërkohë që kompani të ndryshme kanë rritur dukshëm eksportin gjatë këtyre viteve te fundit në fakt ndodh që për të eksportuar qoftë çajrat e kamomilit ato njëherë eksportohen ne Gjermani përpunohen e transformohen në vajra, importohen e vetëm më pas eksportohen, Ndërkohë në se në vitin 2022, eksportet e mallrave mbulonin 51 % të importeve, vitin e kaluar 2025, ato mbulonin vetëm 39 % të tyre, kur vetë importet e mallrave në vitin 2025, ishin sa 93.3% të atyre të vitit 2022. Është bukur të deklarosh:” “Ne duam ta ndryshojmë modelin e zhvillimit të ekonomisë shqiptare. Duam të krijojmë potencial dhe të mbështesim një ekonomi që bazohet në investime, në eksporte dhe, mbi të gjitha, që shërben për rritjen e produktivitetit” madje të sugjestionosh auditorin duke shtruar pyetjen:- Po si do ta bëjmë këtë?. Në fakt auditori i takimit ExportOn të është i njohur mirë me rastet e veçanta tepër inkurajuese në këtë fushë, që janë realizuar madje para kësaj mazhorance para vitit 2013, duke u lehtësuar mbështetur e ndihmuar madje edhe nga heqja e TVSH-se së të importit të makinerive, si është rasti i firmës së mirënjohur Vojka -Emanuels, ku janë ravijëzuar disa nga aspektet më të rëndësishme të transformimit nga praktika fason, e prodhimit me material të porositësit në atë të prodhimit të veshjeve sportive me cikël të mbyllur Made in Albania. Por nuk mund të mos mbahet parasysh se me një ose qoftë me disa lule, që tashmë lulëzojnë edhe në dimër, si thotë populli nuk vjen pranvera. Natyrshëm lind pyetja si e ka mendjen e politikën e saj Qeveria, do të kufizohet në atë që deklaroi Kryeministri:-“... ne do të mbështesim fuqimisht dhe gjithmonë e me shumë të gjithë ata që do të synojnë marrjen e kësaj pasaporte, ose më saktë, të gjithë ata që do të synojnë t’ia japin vetes këtë pasaportë” apo gjithë firmat e degës!? Debati i kryeministrit me fermerin në Divjakë dhe përplasja që u krijua e për të cilën nuk mungojnë meme, tregon, se edhe kur mund të kesh një ide të saktë, si në rastin e fundit jo më pak rëndësi ka se si e përcjellin dhe sa e përqafojnë këtë ose atë ide ata që kanë për ta realizuar. Historia e ekonomisë shqiptare dëshmon dhe bën apel se kur ndërmerren politika ekonomike të rëndësishme, nuk mjafton të nisesh qoftë nga dëshira e mire, realizime në raste të veçanta, apo qoftë edhe mund të kenë funksionuar më parë më parë, por në kushte të tjera, duke i imponuar vetëm nga lart pa një konsultim të plotë dhe real. Për këtë flet realizimi i famëkeqit tufëzim në fillim të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar që zor se i doli më pas zot. Dëmi rezultoi i pallogaritshëm. Duke pasur parasysh çmimin dhe koston reale të qumështit dhe mishit në kooperativë dhe zonat ku u realizua kjo politikë, (ku kostoja tejkalonte çmimin) nga analiza reale rezultonte se tufëzimi do rezultonte dështim. Pavarësisht sistemeve të ndryshme ekonomiko- shoqërore rëndësi ka analiza paraprake reale por dhe dëgjimi luajal i argumenteve ndryshe. Për këtë flet edhe fakti se megjithë atë që ka ndodhur në fazën e dytë dhe të tretë të platformës ExportOn, si në fushën e eksporteve të manifakturës prodhimit me material të porositësit të tekstileve e këpucëve apo të bujqësisë , nuk mund të post ë bëjë përshtypje se si ndodhi në Divjakë, firma apo përfaqësues të prodhimit fason kanë kërkuar pas zhvillimit të platformës, “ se ka ardhur momenti që qeveria shqiptare të tregojë nëse e ka ndërmend një strategji, a e ka ndërmend ta mbështesë këtë sektor, apo mendon që është drejt fikjes. Të paktën bizneset të jenë të informuara për këtë situatë. Nëse deri më sot hamendësohej se turizmi do të ishte përthithësi kryesor i punonjësve tanë, kjo tabu ka rënë” Shkurt ka vend për tu dëgjuar e kuptuar më mirë . Në këtë këndvështrim le të shohim në mënyrë më të detajuar citimin e sipërpërmendur :-“... pesha e eksporteve të mallrave ka ardhur në reduktim. Për hir të së vërtetës, eksportet e mallrave, si në vlerë ashtu edhe në vëllim, janë rritur në pesë vitet e fundit, por shërbimet janë rritur shumë më shpejt se mallrat. Për këtë arsye, ne jemi të kujdesshëm dhe synojmë të hartojmë politika që mbështesin veçanërisht eksportet e mallrave” Natyrshëm lind pyetja, këto politika që pritet të mbështesin veçanërisht eksportet e mallrave, merren në kushtet e rritjes së tyre për të përballuar sfidat e aderimit ne Bashkimin Europian, , apo në kushtet të stanjacionit por të rënies së tyre? Firma të ndryshme që kanë ndjekur takimin e sipërpërmendur se preken drejtpërdrejt prej tyre, nuk mungojnë të deklarojnë se Ministria nuk ishte e informuar saktë për eksportet, faktikisht eksportet janë në ulje jo në rritje” Kush ka të drejtë, Ministria apo firmat e veshjeve dhe këpucëve!? Për të dhënë një përgjigje pyetjes së fundit po i drejtohem fillimisht informacionit të ofruar nga INSTAT dhe njëkohësisht edhe nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit Nga pasqyra e INSTAT për llogaritjen e” PRODHIMI I BRENDSHËM BRUTO SIPAS METODËS SË SHPENZIMEVE” në vitet e fundit, nga të dhënat për ecurinë e zërit Eksportet e mallrave e shërbimeve (fob) të llogaritur me vlerën e shtuar, janë marrë treguesit për vitet 2022,2023, 2024 dhe është ndërtuar tabela nr 1 me të dhënat e mëposhtme: Në rreshtin nr I-Eksporti i mallrave dhe shërbimeve (fob) sipas INSTAT, vihet re se eksporti gjithsej i tyre në tregues absolut, ka ardhur duke u rritur, nga 680 miliard lekë në vitin 2022, në 868 miliard lekë në vitin 2023 dhe 909 miliard lekë në vitin 2024. Kjo rritje është e gjitha produktit i rritjes të Eksportit të shërbimeve të paraqitur në rreshtin III në të dhënat absolute. Sipas të dhënave të tij rezulton se eksportet e shërbimeve janë rritur nga 474 miliard lekë në vitin 2022, në 674 miliard lekë në vitin 2023 dhe 741 miliard lekë në vitin 2024. Por ndërkohë kur bëhet fjalë për eksportin e mallrave sipas të dhënave absolute të prezantuara në numrin II, vihet re se Eksportet e mallrave nga 206 miliard lekë në vitin 2022, kanë rënë në 194 miliard lekë në vitin 2023 për të mbërritur në 168 miliard lekë në vitin 2024. Pra ndaj vetvetes eksportit e mallrave kanë rënë nga një vit në tjetrin. Treguesit me të dhëna absolute për 9 mujorin e vitit 2025 mungojnë. Mbi bazën e treguesve absolutë është llogaritur përqindja e eksportit të mallrave në raport me eksportit e mallrave dhe shërbimeve gjithsej dhe ecuria e tyre në vite, dhe përqindja e eksportit të shërbimeve ndaj eksportit të mallrave dhe shërbimeve gjithsej. Si rezulton edhe nga rreshti III, i shprehur në %, Eksporti i shërbimeve është rritur jo vetëm ndaj vetvetetes por dhe në pjesën që zë në eksportit e mallrave dhe shërbimeve gjithsej, për tu rritur nga 69.8 % në vitin 2022, në 77.6 % në vitin 2023, 81.5 % në vitin 2024 dhe si ka deklaruar Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit në 84.8 % në 9 mujorin Janar-Shtator 2025. Ndërsa sipas rreshtit II në %, Eksporti i mallrave ka rënë nga 30.2 % të eksportit gjithsej të mallrave dhe shërbimeve në vitin 2022, në 22.4 % në vitin 2023, në 18.5 % në vitin 2024 për të arritur në 15.2 % në nëntëmujorin e parë të vitit 2025. Kjo dukuri duket qartë e në mënyrë komplomentare si për ecurinë e mallrave gjithsej ashtu dhe për eksportin e grup mallrave Tekstile Këpucë, të prezantuar në grafikët bashkëlidhur Nr 2 dhe 3. Burimi: INSTAT Burimi INSTAT Si në grafikun nr 2 për eksportin e mallrave gjithsej ashtu dhe në grafikun nr 3 për eksportin e grup mallrave tekstile këpucë, vihet re rënia e vazhdueshme e tyre, respektivisht në Grafikun Nr 2 nga 480 miliard lekë në vitin 2022, në 430 miliard lekë në vitin 2023, në 368 miliard lekë në vitin 2024, për të arritur në 346 miliard lekë në vitin 2025. Ndërsa përsa i përket grupmallrave tekstile – këpucë të prezantuar dhe në grafikun nr 3 , vihet re se nga një vëllim në vlerë prej 135 miliard lekë, në vitin 2022, ato kanë rënë në 126 miliard lekë në vitin 2023, në 105 miliard lekë në vitin 2024 dhe 103.9 miliard lekë në vitin 2025. Pra rënia pakësimi i eksporteve gjatë 3 vjetëve është 31 miliard lekë dhe në kushtet e rritjes së kostove të prodhimit është shoqëruar me uljen e dukshme të fitimit të degës, falimentimin e mjaft firmave dhe shkurtimin e rreth 8 mijë punëtorëve. Nuk është e tepërt të evidentohet se rënia e dukshme gjatë vitit 2023 e 2024, ka ndodhur edhe në kushtet kur paga minimale zyrtare nuk ka ndryshuar nga Prilli I vitit 2023 deri në fund të vitit 2025. Por si e ka prezantuar këtë situatë Ministra e Ekonomisë dhe Informacionit si jo vetëm gjatë prezantimit të platformës ExportOn por edhe në konferencen për shtyp të datës 23 Janar, të prezantuar edhe në disa media “-Ministrja Ibrahimaj: Eksportet shqiptare në rritje, politika të reja për forcimin e tyre”, ka deklaruar, “...eksportet e mallrave zënë 15.2% të totalit të eksporteve. Në total, eksportet në ekonomi janë rritur me 6.26% përgjatë vitit, përgjatë 9-mujorit të parë të vitit 2025. Sipas të dhënave të INSTAT-it dhe të Bankës së Shqipërisë, eksportet e mallrave kanë rënë me 12.6%, ndërkohë që eksportet e shërbimeve janë rritur me 10.53%... Duke qenë se pesha e eksporteve të shërbimeve është ndjeshëm më e madhe se pesha e eksporteve të mallrave, në total, siç thashë, eksportet kanë rezultuar me një rritje pozitive prej 6.26%.... në lidhje me tregtinë e jashtme dhe me eksportet specifikisht, dua të ndalem tek eksportet e mallrave... përmenda shpërndarjen për të treguar realitetin mbi të dhënat e eksporteve dhe megjithatë kjo nuk do të thotë sot që ne nuk kujdesemi dhe nuk analizojmë çdo shifër që kemi në dispozicion me qëllim që të hartojmë politikat e duhura për të targetuar ata sektorë që mund të kenë dobësi apo mund të kenë nevojë për mbështetje... Tani do të ndalem tek sektori fason. Është një sektor të cilin prej disa vitesh tashmë ne e kemi diskutuar, e kemi analizuar dhe jemi ulur në tryeza të ndryshme me përfaqësuesit e shoqatave të fasonëve me qëllim analizimin e çdo problematike që vjen nga ky sektor... Shifrat tregojnë se për vitin 2025 vlera totale e eksporteve të grupit “tekstile dhe këpucë” ka qenë rreth 104 miliardë lekë. Ndërkohë që në vitin 2024 kjo vlerë ka qenë në total 105 miliardë lekë. Pra, është një rënie me rreth 1%. Kjo është rënia për të cilën bëhet fjalë(Korsivi i autorit)... e vërteta është që ka pasur disa garanci sovrane të cilat i janë drejtuar këtij sektori me qëllim që të mbështetet me norma kreditimi, me interesa kreditimi të ulëta, që sa më shumë të kishte investime dhe sa më shumë të prodhohej produkt me cikël të mbyllur... Ndërkohë, qeveria shqiptare që prej vitit të kaluar ka ndërmarrë një nismë e cila lidhet pikërisht me këtë industri. Ministria e Mbrojtjes ka krijuar shoqërinë “Guna”, e cila do të specializohet në prodhimin e veshjeve ushtarake dhe policor... Kompania ka filluar të rekrutojë personat e parë, të cilët janë rekrutuar tashmë dhe po trajnohen e po specializohen në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe pritet që ky numër të rritet deri në 300 punonjës... nisur nga të gjitha këto analiza që kemi bërë ndër vite, në fund të vitit të kaluar ne kemi miratuar një politikë që lidhet me zhvillimin e eksporteve për vitet 2025–2030. Politika është e përqendruar në katër shtylla kryesore: promovimin e eksporteve, thjeshtimin e procedurave dhe digjitalizimin e tyre, harmonizimin e prodhimit dhe eksporteve me standardet e tregut të përbashkët europian dhe mbështetjen e kompanive eksportuese.” Është e natyrshme dhe në të drejtën e saj madje dhe obligim që Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ti lexojë të dhënat, nga këndvështrimi i gotës gjysmë plot. Por nuk është vështirë të shihet dhe nga citimi mjaft i zgjeruar i përmendur më sipër se në qëndrimin e saj ka ambiguitet, paqartësi për gjendjen reale të eksporteve në tërësi dhe atë të Tekstil-Këpucëve në veçanti, ku rënia si u evidentua gjatë tre viteve të fundit është mjaft e madhe, dhe se garancia sovrane e adresuar në këtë sektor, nuk ka frenuar ende vazhdimin e kësaj rënie. Ambiguitetit është shoqëruar dhe nga ambicioni. Mjafton ti hedhësh një sy VKM nr 30 datë 21.1.2026 Për miratimin e Programit të Reformave Ekonomike (ERP) 2026-2028. Megjithëse miratimi është bërë në Janar 2026, duke filluar nga viti 2025 eksporti i mallrave vlerësohet të ketë një rritje prej 13.4 %, duke vazhduar me një rritje prej 6.1 % në vitin 2026, 5.2 % në vitin 2027, e 4.7 %.në vitin 2028. Për hir të së vërtetës ky dokument është hedhur në datën 12.12.2025 deri më 9.1.2026 në faqen e Konsultimit Publik on line, por numri i komenteve ka qenë 0-zero. Kjo nuk është rastësi, se edhe kur janë bërë komente, zor se ato merren në konsideratë. Ndërkohë Ministria e Ekonomisë dhe Informacionit në fjalën e vet gjatë prezantimit të platformës EksportON nuk mungoi të theksojë “Po aq të rëndësishme janë edhe instrumentet e dialogut, të cilat na ndihmojnë të kuptojmë problemet reale të bizneseve dhe t’i përkthejmë ato në politika konkrete mbështetëse.” Shumëkush që i vështron dhe lexon nuk mungon ti thotë qoftë vetes:-“Fjalë imzot, fjalë... Por kjo nuk përjashton që dialogu midis firmave të Tekstil –Këpucëve dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, që mbulon eksportet, të mos konsiderohet i përfunduar me prezantimin e platformës të sipërpërmendur, por përkundrazi të vijojë madje duke u shtrirë në Qarqe e Bashki duke përfshirë gjithë firmat e sektorit.. Aq më tepër që tani me mbylljen e Janarit, fillimin e llogaritjeve të pagave për të janë evidentuar qartë për to efektet e para financiare të rritjes së pagës minimale prej 25 %, me rritjen kostos të prodhimit, rënien e fitimit në jo pak raste nën zero rrjedhojë e drejtpërdrejtë e politikës të Qeverisë. Problematikat e sfidat e sektorit të Tekstil –Këpucëve, që rrezikohet nga thellimi e rritjes së papunësisë dhe falimentimi, nuk mund të tejkalohen apriori as me ambiguitet, as me ambicion*, as me inponim. Pasojat e tufëzimit bëjnë apel! Çdo justifikim i Ministrave se unë e thashë mendimin tim por nuk u dëgjova, nuk do ketë vlerë kurdisa mijëra punëtorë të dalin pa punë. Autoritarizmi ska përse të ketë vend. *Opinionet janë personale të autorit. Titulli është i redaksisë. Titulli Origjina’: Sfidat nuk mund të tejkalohen apriori, as me ambiguitet, as me ambicion*, as me inponim *ambicion=dëshirë e pamasë për lavdi, për fitime, për të zënë një rang më të lartë

Share this post: