TheAlbaniaTime

E-Mobiliteti, raporti: Modeli si mund të zhvillohet ekosistemi kombëtar i pikave të karikimit

2026-03-02 - 09:05

Rritja e përdorimit të automjeteve elektrike dhe hibride në Shqipëri ka sjellë nevojën për një treg të konsoliduar të karikimit, që i përgjigjet kërkesës aktuale dhe potencialit të ardhshëm. Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Europën (UNECE), në një raport të publikuar më 5 shkurt, e konsideron këtë një zhvillim kyç për vendin dhe rekomandon hapa konkretë për përdorimin më eficient të energjisë. Sipas raportit, kalimi drejt mobilitetit elektrik nuk është vetëm një sfidë teknologjike, por edhe një provë për institucionet dhe qeverisjen. Zhvillimi i një tregu eficient për karikimin e automjeteve elektrike varet nga mënyra se si bashkëpunojnë sektori i energjisë dhe transportit, si përcaktohen rolet e tregut dhe si sigurohen investime të qëndrueshme dhe të besueshme. Ekspertët që studiuan praktikat evropiane dhe ndërkombëtare nënvizojnë se suksesi i e-mobilitetit kërkon qartësi rregullatore, ndërveprim dhe koordinim të fortë institucional. Raporti identifikon disa pyetje kyçe për politikebërësit shqiptarë: Si duhet të strukturohet tregu i karikimit? Modeli mund të jetë i centralizuar si MOBI.E në Portugali, ku një entitet publik koordinon të gjithë aktorët, ose të liberalizuar si në Gjermani dhe Britani, ku operatorët privatë konkurrojnë nën mbikëqyrje rregullatore. Një model hibrid me disa operatorë të licencuar mund të kombinojë fleksibilitetin e tregut me transparencën dhe ndëroperimin. Cili institucion duhet të udhëheqë tregun? Aktualisht, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Enti Rregullator i Energjisë janë përgjegjës për politika dhe licenca, por nuk ka një autoritet të qartë për infrastrukturën e karikimit. Formalizimi i një institucioni kompetent mund të përshpejtojë zhvillimin dhe të sigurojë përputhshmëri midis energjisë dhe transportit. Si të sigurohet transparenca dhe qasja në të dhëna? Shqipëria nuk ka ende një mekanizëm kombëtar për aksesin e të dhënave, siç kërkohet nga rregullat AFIR të BE-së. Krijimi i një “National Access Point” (Pikë Kombëtare Aksesi) për e-mobilitetin do të mundësonte shkëmbimin e hapur të të dhënave dhe kalimin ndërmjet rrjeteve. Si të përshpejtohet investimi duke mbrojtur konsumatorin? Investimet private janë kyçe, por pa rregulla të qarta për transparencën dhe sigurinë e konsumatorit, rrjeti mund të fragmentohet. Një regjistër kombëtar i operatorëve mund të vendosë standarde minimale teknike dhe të lehtësojë konkurrencën e drejtë. Raporti nënvizon edhe prioritetet kryesore ku së pari sa i takon investimeve të mëdha duhet të vendosen themelet institucionale dhe rregullatore. Po kështu qartësimi i piramidës institucionale pra kush është në krye, licencimi i operatorëve, krijimi i një platforme kombëtare të të dhënave dhe harmonizimi me standardet e BE-së dhe Traktatit të Energjisë. Raporti përfundon se Shqipëria ka një mundësi historike për të shfrytëzuar energjinë e prodhuar nga “hidro” dhe për të avancuar mobilitetin elektrik, por suksesin do ta vendosin qartësia e roleve institucionale, harmonizimi me standardet evropiane dhe bashkëpunimi ndërsektorial. Një qasje e balancuar, transparente dhe e qëndrueshme mund të sjellë përfitime ekonomike, ulje të shpenzimeve për karburant, ajër më të pastër dhe siguri energjetike të rritur./ N.Maho

Share this post: