TheAlbaniaTime

E-Albania xhiron bosh; Bizneset e kalojnë ditën e pushimit me “shtetin online, që nuk punon”

2026-03-16 - 13:44

Sot është pushim zyrtare, për shkak se “Dita e Verës”, qëlloi të shtunën dhe sipas ligjit nuk punohet as të hënën. Të premten është sërish pushim pasi është festa e Bajramit. Të Dielën është Festa e Novrusit, ndaj e hëna që vjen është sërish pushim. E ndërsa administrata shijon ditët e shumta të pushimit dhe aeroporti është i tejmbushur, bizneset e kaluan fundjavën apo dhe ditën e sotme, duke tentuar të aksesojnë E-Albania për shërbime që me zor arrijnë të marrin, nëse kanë fat, apo të rrinë e të vështrojnë një ekran që xhiron bosh dhe as jep e as merr. Problemi kryesor, thotë një ekonomiste është me ngarkimin e dokumenteve. Sistemi krijon probleme me aplikimet per raportet e barrëlindjeve apo edhe për përfitime të tjera afatshkurtra. Edhe në rast kur duket sikur aplikimi ka përfunduar me sukses me raport të ngarkuar, palës pritëse nuk i shfaqet dokumenti në sistem dhe duket sikur problemi është te biznesi që nuk ngarkon dokumentin. Kjo situatë po shkakton vonesa në pagesat e raporteve të nënave të reja ose të punëmarrësve që përfitojne nga skema e sigurimeve shoqërore. Gjithashtu pengon dhe marrjen e raporteve nga personat që mungojnë në punë për shkak të problemeve shëndetësore. Pamundësia e ngarkimit të dokumenteve ka prekur dhe individët, që nuk mund të aplikojnë për shërbime të ndryshme. Probleme vijon të ketë dhe self-care, me bizneset që nuk arrijnë të shohin faturat, tashmë që po afron dhe afati për dorëzimin e bilanceve të vitit 2025. Edhe më parë sistemi self-care, i cili përdoret gjerësisht nga bizneset, nuk ishte funksional, duke penguar aktivitetin e tyre. Dhe telashet s’kanë të sosur për SelfCare (dhe bizneset); Platforma sërish me probleme Ndonëse kalimi i shumë shërbimeve online është bërë me qëllimin për të lehtësuar bizneset, ato po kthehen në makth për ta. Në korrik të vitit të kaluar, për shumë ditë dorëzimi online i bilanceve në Qendrën Kombëtare të Biznesit ishte i pamundur. Në janar të këtij viti, bizneset nuk rakordonin dot faturat në sistemin self-care, yë vetëpunësuarit e vetëm nuk lëshonin dot fatura, nuk bëhej as fiskalizimi i faturave të importit. Ironikisht Shqipëria renditet ndër vendet që i përdorin më shumë shërbimet online të e-qeverisjes. Sipas të dhënave të Eurostat, që për Shqipërinë janë të disponueshme për vitin 2024 (për vendet e BE-së kanë dalë të dhënat e 2025-s), 78% e qytetarëve shqiptarë ndërvepruan me autoritetet publike në mënyrë online gjatë 12 muajve të mëparshëm, në krahasim me 72% që ishte mesatarja e Bashkimit Europian. Por, duket se sondazhi nuk zbulon se ka kohë humbet realisht nga përdorimi i këtyre shërbimeve, përsa kohë që nuk garantohet funksionimi i tyre 24 orë dhe shpesh sistemi vetëm sa xhiron bosh! Shqiptarët e përdorin e-qeverisjen më shumë sesa mesatarja e Bashkimit Europian

Share this post: