E-Albania, makthi pa fund, bizneset sërish nuk aksesojnë SelfCare
2026-02-09 - 11:06
Funksioni i programit SelfCare, që menaxhohet përmes E-Albania është kthyer në një makth që nuk po mbaron për bizneset. Edhe gjatë ditës së sotme, bizneset kanë raportuar se ai është jashtë funksionit, pasi punoi për disa ditë. Shumë ekonomistë u detyruan që të punojnë gjatë fundjavës kur mund ta aksesonin programin, ndonëse më vështirësi, por e hëna duket se ka rritur ngarkesën dhe ekonomistët tashmë shohin në ekran shënimin: “Ju duhet të aksesoni: https:/-/e-albania.al/” Të paktën që nga 20 janari, ekonomistët po përballen me një situatë absurde, që nuk i mundëson të bëjnë shumë veprime, në platformën e SelfCare, që është një mjet thelbësor për funksionimin e sistemit fiskal dhe administrativ. Mosfunksionimi i sistemit SelfCare bllokon punën për shumë biznese, përfshirë personat fizikë që mund të lëshojnë fatura të fiskalizuara, mosfiskalizim të deklaratave doganore në afat për importuesit, në certifikatën elektronike nuk mund të bëhen ndryshime të adresës, nëse është dhënë gabim. “Jemi bërë si roje, që rrimë e gjurmojmë se kur sistemi punon, që të hyjmë e të bëjmë ndonjë veprim, ose hyjmë natën kur sistemi është më pak i ngarkuar”, thotë një ekonomist. Mosfunksionimi i SelfCare pengoi dhe punën e bizneseve që duhet të dorëzonin deklaratat në 31 janar, duke detyruar Tatimet që të shtyjnë afatin në 20 shkurt. Tatimet shtyjnë deri më 20 Shkurt afatin për deklarimin e inventarit Kjo është periudhë e zënë për kontabilistët, të cilët duhet të mbyllin dhe bilancet vjetore dhe SelfCare është baza kryesore për rakordimet. “Mosfunksioni i SelfCare po na pengon dhe për të deklaruar TVSH-më e muajit janar”, shton një ekonomist. Sipas Aleancës së profesionistëve të Lirë, (APL), bllokimet sjellin pasoja të drejtpërdrejta në Ndërprerje të punës dhe vonesa në faturim dhe arkëtime; Rritje të riskut të gabimeve dhe mospërputhje në dokumentacion; Kosto shtesë operative (kohë, staf, suport teknik, humbje klientësh); Ekspozim ndaj gjobave dhe penaliteteve për afate që bizneset nuk i kontrollojnë; Dëmtim të besimit te procesi dhe te formalizimi i tregut me fiskalizimin. “Perëndimi” i Diellës