Drejtori i Përgjithshëm i Doganave në Qafë Thanë, aktiviteti doganor drejt normalizimit
2026-03-05 - 14:13
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja zhvilloi një inspektim në Degën Doganore Qafë Thanë për të ndjekur nga afër situatën në këtë pikë kufitare, pas vështirësive të krijuara nga bllokimi i qarkullimit në aksin rrugor Tiranë–Librazhd, që për disa ditë ndikoi edhe në lëvizjen e mjeteve të transportit dhe veçanërisht të kamionëve. Gjatë vizitës në terren, Drejtori u njoh me situatën aktuale dhe masat e marra për menaxhimin e fluksit, ndërsa aktiviteti në pikën doganore po rikthehet gradualisht në normalitet me rifillimin e qarkullimit të rregullt të mjeteve. Në një prononcim gjatë inspektimit, z. Beja theksoi rëndësinë e rikthimit të normalitetit në këtë pikë të rëndësishme kufitare: “Pas situatës së krijuar nga bllokimi i rrugës dhe vështirësive që pati qarkullimi i mjeteve të transportit, veçanërisht i kamionëve, puna në pikën doganore Qafë Thanë po rikthehet gradualisht në normalitet. Strukturat tona në terren kanë menaxhuar fluksin dhe vijojnë të garantojnë funksionimin e rregullt të procedurave doganore.” Gjatë inspektimit, Drejtori i Përgjithshëm zhvilloi gjithashtu takime me drejtuesit dhe punonjësit e degës, ku u diskutua mbi funksionimin e procedurave doganore, menaxhimin e fluksit dhe rëndësinë e ruajtjes së standardeve të kontrollit dhe shërbimit. Në kuadër të kësaj vizite, në Degën Doganore Qafë Thanë u zhvillua edhe një takim sensibilizues me stafin e Drejtorisë së Përgjithshme, pjesë e një fushate informuese që po realizohet në të gjitha degët doganore në vend nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të vizitës së monitorimit nga DG TAXUD (Directorate-General for Taxation and Customs Union) dhe synon rritjen e ndërgjegjësimit të administratës doganore shqiptare mbi kërkesat dhe standardet që lidhen me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Evropian. Gjatë këtij takimi u prezantuan prioritetet që lidhen me përafrimin e legjislacionit dhe praktikave doganore me acquis të Bashkimit Evropian, si dhe roli i administratës doganore në këtë proces të rëndësishëm për vendin.