Draghi: BE-ja duhet të bëhet federatë për të mos u dobësuar nga SHBA-ja dhe Kina
2026-02-03 - 10:17
Ish-presidenti i BQE-së thotë se globalizimi do ta lërë Europën të pambrojtur nëse ajo nuk bashkon fuqinë BE-ja duhet të bëhet një “federatë” për të shmangur rrezikun e “eliminimit një nga një” nga Kina dhe SHBA-ja, ka paralajmëruar Mario Draghi, në një thirrje drejtuar shteteve anëtare të bllokut për të thelluar me shpejtësi integrimin në fusha si mbrojtja, politika industriale dhe marrëdhëniet e jashtme. Ish-presidenti i European Central Bank, i cili më parë ka bërë thirrje që blloku të përqafojë “federalizmin pragmatik”, tha se kishte ardhur koha që BE-ja të hiqte dorë nga rezistenca e kahershme ndaj ndarjes së pushtetit, pasi Uashingtoni dhe Pekini mund të abuzonin me varësitë e krijuara nga globalizimi. “Fuqia kërkon që Europa të kalojë nga konfederatë në federatë,” tha Draghi, ish-kryeministër i Italisë, në një fjalim në Belgjikë. Ai shtoi se modeli aktual i BE-së, si një konfederatë me 27 shtete me të drejtë vetoje individuale për çështje kyçe, “nuk prodhon fuqi”, por “një grup shtetesh secili i cenueshëm ndaj eliminimit një nga një”. “Të gjithë jemi në të njëjtin pozicion vulnerabiliteti, pavarësisht nëse e shohim apo jo ende,” tha ai. “Ndarjet e vjetra që na paralizuan janë tejkaluar nga një kërcënim i përbashkët. Por kërcënimi i vetëm nuk do të na mbajë. Ajo që filloi nga frika duhet të vazhdojë me shpresë.” Dëshira e Trump për të aneksuar Groenlandëm, një territor autonom i Danimarkës, një shtet anëtar i BE-së dhe i NATO-s, si dhe kërcënimi i tij muajin e kaluar për të vendosur tarifa ndaj vendeve të BE-së për të marrë kontrollin e ishullit, tronditën kryeqytetet Europiane që prej dekadash janë mbështetur në aleancën e sigurisë me SHBA-në. Në të njëjtën kohë, Europa po përpiqet të konkurrojë me Kinën, duke pasur parasysh dominimin e këtij vendi në zinxhirët e furnizimit për mineralet kritike dhe teknologjitë e gjelbra, si dhe modelin e saj të eksporteve të subvencionuara rëndë. Shtetet anëtare të BE-së kanë transferuar disa kompetenca te Komisioni Europian në Bruksel ose te BQE-ja në Frankfurt për të folur në emër të tyre, por kompetenca të tjera mbeten në nivel kombëtar. Në vitin 2024, Draghi ishte autor i një raporti që bëri thirrje për thellimin e integrimit ekonomik të BE-së për të forcuar tregun e përbashkët. “Kur Europa është federuar: në tregti, në konkurrencë, në tregun e përbashkët, në politikën monetare, ne respektohemi si një fuqi dhe negociojmë si një e vetme,” tha Draghi. “Kur nuk jemi federuar: në mbrojtje, në politikën industriale, në punët e jashtme, ne trajtohemi si një asamble e lirshme shtetesh të mesme, për t’u ndarë dhe trajtuar në përputhje me rrethanat.” Përqafimi i federalizmit, argumentoi Draghi, do t’i lejonte BE-së “të vepronte me vendosmëri në të gjitha rrethanat”. Por, duke pasur parasysh ndarjet politike ekzistuese në Europë mbi integrimin, ai pranoi se një grup pararojë shtetesh të BE-së do të duhej të lejohej të ecte përpara i pari. “Kjo nuk do të jetë një rrugë e drejtë. Siç tha Robert Schuman në vitin 1950, Europa nuk do të ndërtohet menjëherë,” shtoi ai, duke iu referuar njërit prej etërve themelues të BE-së. “Jo të gjitha vendet do t’i bashkohen çdo nisme që në fillim, qoftë në energji, teknologji, mbrojtje apo politikë të jashtme,” tha Draghi. “Por çdo hap duhet të mbetet i ankoruar te qëllimi: jo bashkëpunim më i lirë, por federatë e vërtetë.” / FT