Dokumenti i Insurance EUROPE: Tregu privat, më efikas për sigurimin e katastrofave natyrore
2026-03-02 - 12:24
Shoqata e Siguruesve Shqiptarë solli sot në vëmendje një dokument të përgatitur nga Insurance Europe, Federata Europiane e industrisë së sigurimeve dhe risigurimeve, që evidenton rrezikun afatgjatë nga ngritja e skemave ekskluzivisht shtetërore për menaxhimin e katastrofave natyrore. Insurance Europe bashkon shoqatat kombëtare të sigurimeve nga mbi 30 vende dhe përfaqëson mijëra kompani sigurimi, që operojnë në tregun europian, me qindra vjet përvojë dhe ekspertizën e profesionistëve më të mirë të botës në drejtim të menaxhimit të risqeve, por edhe të studimit të këtyre risqeve, publikoi dokumentin strategjik studimor të titulluar “Closing the gap, not the market/ Të mbyllim hendekun, jo tregun”. Studimi theksoi rëndësinë e një qasjeje të kujdesshme kur konsiderohet vendosja e skemave shtetërore të sigurimit. Megjithëse këto skema mund të sjellin përfitime afatshkurtra, ato zakonisht nuk adresojnë shkaqet rrënjësore të rreziqeve në rritje dhe mund të krijojnë efekte negative në tregun e sigurimeve dhe risigurimeve, duke ndikuar në qëndrueshmërinë ekonomike afatgjatë. Kjo, sipas dokumentit, është veçanërisht e dukshme kur skema supercentralizohet në nivel kombëtar dhe kur kapaciteti i risigurimit është i disponueshëm në tregun privat. Edhe pse qëllimi për sigurime të përballueshme është i lavdërueshëm, skemat shtetërore nuk mund të jenë po aq efikase sa risigurimi global për shkak të diversifikimit të kufizuar. Risiguruesit globalë, që diversifikojnë rreziqet në vende të ndryshme, kontinente, zona klimatike, rajone tektonike, linja biznesi dhe mjedise ekonomike, ofrojnë një zgjidhje më të efektshme afatgjat dhe në terma financiare, kapacitete të palimituara për mbulim. Nëse skemat shtetërore maskojnë sinjalin e çmimeve të bazuara në rrezik (p.sh. duke ofruar tarifa shumë të larta ose të nënçmuara), zhvillimi i tregut privat të sigurimeve dhe risigurimeve do të pengohet. Kjo do të ulë masat parandaluese dhe mund të bëjë sistemin të paqëndrueshëm, duke kërcënuar edhe aftësinë e vet paguese. Në rastin shqiptar, “sigurimi i shtëpisë” nga shteti, do të ulë vetëdijen e qytetarëve se tërmeti nuk është rreziku i vetëm: zjarret aksidentale, përmbytjet, rrëshqitjet, si mbulime shtesë vullnetare, pritet të bien sipas përvojave dhe pritshmërive të studiuesve më të mirë të kësaj industrie. Kjo domethënë se skemat shtetërore gjithashtu mund të krijojnë rrezik moral, duke tërhequr rreziqe të veçanta dhe duke rritur humbjet nga katastrofat natyrore, duke reduktuar qëndrueshmërinë e shoqërisë. Një kombinim optimal do të ishte ai ku Industria e (ri)sigurimeve ofron mbulim të bazuar në rrezik, duke stimuluar aktorët privatë të ndërmarrin masa për të përballuar rreziqet e katastrofave natyrore. Nga ana tjetër, shteti, mund të përdorë vlerësimin e qartë të rrezikut nga sektori privat për të zbatuar rregulla ndërtimi dhe përdorimi të tokës të detyrueshme, kodet e ndërtimit të bazuara në zonat e rrezikut dhe investime të synuara në infrastrukturë dhe masa të qëndrueshmërisë, duke reduktuar ekspozimin ndaj zonave me rrezik të lartë. Në këtë bashkëpunim, të gjithë aktorët mund të harmonizohen për të krijuar një kuadër të qëndrueshëm dhe financiarisht të besueshëm për menaxhimin e rreziqeve NatCat. Rreziqet e mundshme të skemave pastërtisht shtetërore, të identifikuara nga Insurance Europe: Rreziku moral: Pagesa të garantuara pavarësisht sjelljes ndaj rrezikut mund t’i bëjnë individët ose bizneset të shmangin sigurimin privat ose masat parandaluese, si barriera për përmbytje ose mbrojtje nga zjarri. Po ashtu, kompanitë e sigurimit mund të marrin qasje agresive, duke transferuar humbjet katastrofike tek shteti. Varësia nga garancia publike mund të dobësojë proceset e hetimit të dëmeve dhe rishikimit të tyre. Mbulim i subvencionuar ose me çmime të ulëta: Shumë skema shtetërore ofrojnë tarifa uniforme, duke detyruar pronat me rrezik të lartë të paguajnë po aq sa ato me rrezik të ulët. Kjo largon sinjalin financiar që nxit reduktimin e ekspozimit ndaj rrezikut dhe pengon tregun privat. Individët mund të zgjedhin të mbulohen drejtpërdrejt nga shteti, duke reduktuar bazën e klientëve për siguruesit privatë dhe duke penguar funksionimin fitimprurës. Pasiguria dhe rreziku rregullator: Ndërhyrjet e paparashikuara nga shteti pas katastrofave (p.sh., kompensime retroaktive ose kufizime çmimesh) krijojnë pasiguri për siguruesit privatë dhe ulin investimet afatgjata dhe inovacionin. Zhvillim i kufizuar i tregut: Në vendet me skema shtetërore dominante, tregu privat mund të mbetet i paplotësuar dhe i paaftë të zëvendësojë skemën nëse bëhet e paqëndrueshme. Kjo pengon konkurrencën, inovacionin dhe mekanizmat e sofistikuar të transferimit të rrezikut, si sigurimi parametrik apo bono katastrofash. Rikonstruksion në zona të rrezikuara: Skemat shtetërore shpesh financojnë rindërtimin në të njëjtat zona vulnerabël, pa stimuluar zhvendosjen ose përshtatjen, duke rritur ekspozimin dhe kostot afatgjata. Presioni politik për ndihmë universale: Qeveritë shpesh ndihen të detyruara të japin ndihmë gjerësisht, edhe për ata që nuk siguruan ose injoruan rreziqet, duke dëmtuar përgjegjësinë personale dhe rolin e sigurimit privat. Zgjidhje “një-madhësi-për-të-gjithë”: Diferencat kombëtare në profile rreziku, kulturën dhe strukturat e sigurimeve kërkojnë zgjidhje të personalizuara, jo një garanci qendrore publike. Studimi merr në shqyrtim përvojat e 27 vendeve të BE, duke veçuar 5 vendet më të prekura nga katastrofat natyrore. Mes tyre vërehet një adresim problematik i situatave në ato vende ku skema shtetërore ka elementë më të fortë centralizimi. Hendeku relativisht i lartë i mbrojtjes në Spanjë (60%) dhe Francë (53%), ku ekziston një skemë shtetërore NatCat, krahasuar me Gjermaninë (55%) pa skemë shtetërore, tregon se një skemë shtetërore nuk zvogëlon automatikisht hendekun e mbrojtjes dhe se faktorë të tjerë, si përhapja e sigurimit të banesave dhe përdorimi i shtesave opsionale NatCat, luajnë një rol thelbësor. Këto kultura të ndryshme të tregut të sigurimeve ilustrohen më tej nga normat e përdorimit të shtesës opsionale për rreziqet natyrore në sigurimet e banesave, që arrijnë rreth 55% në Gjermani dhe nën 10% në Itali, në të gjitha politikat e sigurimit të banesave. Studimi thekson rëndësinë e një qasjeje të kujdesshme kur konsiderohet vendosja e skemave shtetërore të risigurimit. Insurance Europe, për përvojën dhe ekspertizën që përfaqëson, është absolutisht një zë për t’u dëgjuar. Për këtë arsye edhe Shoqata e Siguruesve Shqiptarë i dha zë dhe u vendos në të njëjtën linjë me gjetjet e studimit të tij. Në Shqipëri projektligji për sigurimin e detyrueshëm nga tërmetet është në fazën e konsultimit publik. Drafti paraprak e rrudh rolin e siguruesit privat në pozitat e qendrës së shitjes së siguracioneve, pa krijuar hapësira për të shfrytëzuar përvojën e tyre në treg apo lidhjet me risiguruesit ndërkombëtarë.