TheAlbaniaTime

Doganat takim me përfaqësues të bizneseve që operojnë në Zonën e Lirë Doganore të Porto Romanos

2026-03-25 - 12:21

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilloi një takim pune me përfaqësues të bizneseve që operojnë në Zonën e Lirë Doganore të Porto Romanos, një pikë kyçe për importin dhe menaxhimin e hidrokarbureve në Shqipëri. Në qendër të diskutimeve ishin zhvillimet e fundit në tregun e karburanteve dhe ndikimi i tyre në gjithë zinxhirin e furnizimit – nga importi, te depozitimi dhe deri te shpërndarja në tregun vendas. Përfaqësuesit e bizneseve vlerësuan funksionimin normal të procedurave dhe bashkëpunimin me administratën doganore, duke theksuar rëndësinë e vijimësisë së këtij bashkëpunimi. Gjatë takimit u theksua roli strategjik i Zonës së Porto Romanos, ku operojnë kompani të rëndësishme të sektorit, përfshirë terminale si Romano Port dhe MBM Port, të cilat shërbejnë si pika kryesore për depozitimin dhe përpunimin e karburanteve. U nënvizua gjithashtu nevoja për monitorim të vazhdueshëm të zinxhirit të furnizimit, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, për të garantuar transparencë dhe respektim të plotë të kuadrit ligjor. Beja vlerësoi bashkëpunimin me operatorët ekonomikë dhe theksoi se administrata doganore do të vijojë të lehtësojë procedurat, duke ruajtur njëkohësisht standardet e kontrollit dhe sigurisë. Ai theksoi se bashkëpunimi i ndërsjellë është thelbësor për një treg të qëndrueshëm të hidrokarbureve dhe për rritjen e eficiencës në këtë nyje të rëndësishme të infrastrukturës energjetike.

Share this post: