Disa bizneseve u 10-fishohen këstet e tatim fitimit; Tatimet: Është gabim teknik
2026-03-11 - 08:06
Disa subjekteve u kanë dalë në sistem këste tatim fitimi tepër të larta në muajt e parë të këtij viti. Ekonomisti i një institucioni arsimor thotë për “Monitor” se për marsin e vitit 2025, kësti i tatim fitimit i ka ardhur 1.69 milionë lekë, nga 166 mijë lekë në muaj, përkatësisht janar dhe shkurt. Kompania e ka të pamundur të paguajë këtë këst, thotë ai. Burime nga tatimet thanë për “Monitor” se ky është një problem teknik i konstatuar dhe i njohur nga Administrata Tatimore. Departamenti i Teknologjisë së Informacionit po punon për ta zgjidhur. Sipas tatimeve janë rreth 450tatim pagues që kanë të njëjtin shqetësim me të drejte dhe ky problem do u zgjidhet. Parapagimi i tatim-fitimit bëhet gjatë vitit në formën e kësteve paraprake, zakonisht mujore ose tremujore, të llogaritura mbi bazën e fitimit të viteve të mëparshme. Administrata tatimore përcakton këto këste duke përdorur të dhënat e deklaratës së tatim-fitimit të dorëzuar nga biznesi. Për muajt janar-mars, parapagimi bazohet në tatimin mbi fitimin e dy viteve më parë, i pjesëtuar me 12, ndërsa për periudhën prill-dhjetor llogaritja bëhet mbi tatimin e fitimit të vitit paraardhës, gjithashtu i ndarë në 12 këste mujore. Ndërkohë, bizneset po nxitojnë të dorëzojnë bilancet e vitit 2025, në mënyrë që këstet e tatim fitimit tu llogariten në bazë të rezultatit të vitit të kaluar dhe jo të atij të dy viteve më parë. Së fundmi, subjektet po hasin në vështirësi në administrimin e aktivitetit të tyre të përditshëm në lidhje me deklarimin e tatimeve. Në janar, për javë të tëra sistemi selfcare nuk funksionoi dhe madje ai vijon e shfaq probleme herë pas here. Dhe telashet s’kanë të sosur për SelfCare (dhe bizneset); Platforma sërish me probleme