Dhe telashet s’kanë të sosur për SelfCare (dhe bizneset); Platforma sërish me probleme
2026-03-03 - 15:04
Fillimi i 2026-s ishte stresues për ekonomistët, që u përballën me mosfunksionimin e “SelfCare”, platformës, nëpërmjet së cilës bizneset kryejnë veprimet administrative online, e cila sërish menaxhohet përmes e-Albania. Për ditë të tëra platforma, të cilët bizneset e përdorin për rakordimet e faturave, fiskalizimin e faturave të importit, lëshimin e faturave (për të vetëpunësuarit) e shërbime të tjera, ishte tërësisht jashtë funksioni. Rakordimi i faturave pengoi bizneset si në deklarimin e inventarëve ashtu dhe në punën për mbylljen e bilanceve të vitit 2025, përveç kohës që ata shpenzuan edhe fundjavave për të kapur momentin kur SelfCare punonte. Edhe kur sistemi u rikthye në punë në fund të janarit, sërish kishte probleme aksesimi dhe në gjysmën e parë të shkurtit. E-Albania, makthi pa fund, bizneset sërish nuk aksesojnë SelfCare Ndërsa javët e fundit sistemi ka qenë funksional, në kuptimin që është e mundur të hysh në të, bizneset raportojnë se ai sërish po shfaq probleme në shërbimet e ofruara. “Për muajin shkurt 2026 ka dublikime të faturave në platformen self-care”, thotë ekonomisti i një shkolle private. Një tjetër shton se përveç dublikimit të faturave ka dhe probleme me mungesën e tyre, apo ka raste që fatura është bërë për marsin dhe del për shkurtin. Ekonomistët raportojnë se ata kanë bërë kërkesë për saktësim, por ende nuk janë reflektuar. Një ekonomiste thotë se ndonëse fatura i del në sistem, është e pamundur që ajo të shkarkohet. “Nuk më dalin fare e-envoice dhe mi kërkojnë klientët për ti paguar; nuk iu dalin as atyre faturat e mia në soft”, ankohet një tjetër. Ekonomistëve, – që krahas stresit të platformës që ka probleme, u duhet të përballen dhe me presionin e bizneseve, që u kërkojnë llogari për një gjë që ata nuk e kanë në dorë- nuk u mbetet veçse të luten çdo ditë, që SelfCare të punojë... “Perëndimi” i Diellës