TheAlbaniaTime

Depozitimet automatike të parasë në ATM u rritën me 110% në 2025

2026-02-26 - 10:04

Depozitimi automatik i parasë në bankomate shënoi një rritje të fortë vitin e kaluar. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se klientët e sistemit bankar kryen pothuajse 2.2 milionë depozitime të parasë në pajisjet ATM. Numri i depozitimeve u rrit me 109% krahasuar me një vit më parë. Ndërsa vlera totale e depozitimeve arriti në 104.8 miliardë lekë, me një rritje prej gati 110% krahasuar me një vit më parë. Rritja e përdorimit të këtij shërbimi po shoqërohet edhe me zgjerimin e infrastrukturës së nevojshme për ofrimin e tij. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se numri i pajisjeve ATM që mundësonin depozitimin e parasë cash në fund të vitit 2025 arriti në 430, me një rritje prej 9% krahasuar me një vit më parë. Më shumë se 39% e numrit të përgjithshëm të ATM-ve në vend ofrojnë shërbimin e depozitimit të parasë cash. Shtimi i ATM-ve me funksion depozitimin e parasë ka një rol të rëndësishëm për transformimin e shërbimeve bankare dhe për shkurtimin e kohës së marrjes së tyre nga publiku. Veprimet me cash pjesërisht edhe sot ngelen një nga arsyet kryesore të fluksit të madh të klientëve në degët e bankave. Por, nga ana tjetër, pjesa më e madhe e veprimeve cash tashmë mund të kryhen nëpërmjet kanaleve alternative. Në veçanti, automatizimi edhe i depozitimeve në cash nëpërmjet ATM-ve në vitet e fundit ka ndikuar në uljen e ngarkesës, pakësimin e radhëve dhe përdorimin e degëve të bankave vetëm për ato raste ku ofrimi i shërbimit nga stafi është i domosdoshëm. Në fund të vitit të kaluar, sektori bankar shqiptar ofronte shërbim nëpërmjet 1091 ATM-ve aktive, në rritje me 8% krahasuar me një vit më parë. Numri i ATM-ve pati rënë në periudhën 2015-2019, sidomos për shkak të uljes së numrit të degëve, por edhe për shkak të pakësimit të numrit të përgjithshëm të bankave tregtare. Por, duke filluar nga viti 2020, edhe nën shtysën e pandemisë, bankat shtuan numrin e ATM-ve (kryesisht të vendosura në mjedise jashtë degëve), me qëllim lehtësimin e flukseve të operacioneve në sportele. Një faktor tjetër që po nxit shtimin e numrit të ATM-ve në vitet e fundit është edhe turizmi. Shtimi i fluksit të turistëve ka bërë të nevojshme shtimin e ATM-ve ku turistët e huaj të kenë mundësi për të tërhequr para cash. ATM-të e vendosura jashtë degëve, në zonat turistike zakonisht nuk ofrohen direkt nga bankat, por operohen sipas një modeli biznesi në partneritet me biznese të tjera, që zakonisht janë kompanitë që tregtojnë pajisjet ATM-të. Paralelisht, shtimi i ATM-ve po shoqërohet edhe me përditësim të teknologjisë dhe të shërbimeve të ofruara prej tyre. Rritja e numrit të tyre duket se është ende e nevojshme për të plotësuar nevojat e një shoqërie me përdorim të lartë të parasë cash. Vlen të thuhet, megjithatë, se përdorimi i kartave për veprime në cash është në rënie të shpejtë për klientët e sektorit bankar. Për herë të parë vitin e kaluar, numri i pagesave me kartë në terminale POS e tejkaloi numrin e tërheqjeve dhe depozitimeve të parasë cash në ATM. Vitin e kaluar, afërsisht 46% e veprimeve me karta bankare ishin tërheqje apo depozitime të parasë cash, nga 52% që kishte qenë pesha e këtyre veprimeve në vitin 2024. Edhe në vlerë monetare, pesha e veprimeve me paranë cash ka pësuar një rënie të lehtë, në 81% të volumit të përgjithshëm të transaksioneve me kartë, nga 82% që kishte qenë një vit më parë./ E.Shehu Burimi: Banka e Shqipërisë

Share this post: