Depozitat në lekë bien në shkurt, rriten lehtë në euro
2026-03-30 - 10:21
Ndryshe nga muaji janar, që pa një rritje rekord të kursimeve në monedhën vendase, të ndikuara nga bizneset private dhe institucionet publike, shkurti ka shënuar rënie të tyre, ndërsa dhe valuta ka pasur ecuri të dobët. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të shkurtit, depozitat në lekë të individëve, bizneseve e institucioneve të tjera në banka kanë arritur në 733 miliardë lekë, duke u ulur me 4.3 miliardë lekë (-0.6%), në krahasim me muajin e mëparshëm. Në janar, kursimet në banka kishin shënuar një rritje rekord me bazë mujore prej 26 miliardë lekësh. Me bazë vjetore (shkurt 2026/shkurt 2025), kursimet në monedhën vendase janë shtuar me 85.5 miliardë lekë, ose 13.2%. Rënia e shkurtit është ndikuar nga tkurrja e kursimeve të bizneseve, (-8.7 miliardë lekë), pas rritjes së fortë që shënoi ky zë në janar, i ndikuar nga pagesat e fund vitit nga buxheti i shtetit për kompanitë e punëve publike. Ndryshe nga janari kur ishin me rënie, në shkurt, depozitat në valutë shënuan një rritje të lehtë, duke arritur në 8.73 miliardë euro, me një rritje prej 25 milionë euro. Me bazë vjetore, kursimet në monedhën e përbashkët janë rritur me 643 milionë euro, ose 7.95%. Banka e Shqipërisë e raporton stokun e kursimeve totale në lekë dhe euro të konvertuara në monedhën vendase, që në fund shkurtit arriti në 1.5 trilionë lekë (mbi 15 miliardë euro). Por, për shkak të rënies së monedhës së përbashkët vitet e fundit, stoku i depozitave në euro i raportuar në lekë, rezulton më i ulët. Në një vit, nga shkurti 2025 deri në shkurt 2026, depozitat në sistemin bankar (të konvertuara në euro) janë shtuar me rreth 1.5 miliardë euro, ku ndikimin më të madh, me rreth 58% të rritjes, e ka dhënë monedha vendase. Burimi: Banka e Shqipërisë Burimi: Banka e Shqipërisë