TheAlbaniaTime

Depozitat e jorezidentëve në sektorin bankar shqiptar arritën në 310 milionë euro në fund të 2025

2026-03-09 - 09:04

Individët dhe kompanitë rezidente jashtë Shqipërisë kishin më shumë se 76 mijë llogari në sektorin bankar shqiptar vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i llogarive të jorezidentëve gjatë vitit 2025 u rrit me 6%. Numri i llogarive të jorezidentëve është në nivelet më të larta historike dhe dominohet nga llogaritë e individëve, me afërsisht 97% të totalit. Megjithëse numri i llogarive të jorezidentëve ka vazhduar rritjen, vlera depozitave të tyre në bankat tregtare shqiptare vitin e kaluar ka shënuar një rritje të vogël. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit 2025 depozitat e jorezidentëve në bankat tregtare shqiptare arritën vlerën e afërsisht 30 miliardë lekëve ose rreth 310 milionë eurove. Krahasuar me një vit më parë, vlera e depozitave të jorezidentëve është rritur me 1.3%. Megjithatë, edhe për vitin 2025 rritja do të kishte qenë edhe më e lartë në mungesë të efektit të kursit të këmbimit, duke pasur parasysh që rreth 81% e depozitave të jorezidentëve janë në valutë të huaj, kryesisht në Euro. Kursi i këmbimit Euro-Lek e mbylli vitin 2025 në nivelin 96.77 lekë. Ky është kursi më i ulët historik i regjistruar në fund të vitit kalendarik dhe afër nivelit minimal historik të të gjitha kohërave, prej 96.46 lekësh, të regjistruar vetëm një javë para mbylljes së vitit 2025. Krahasuar me fundin e vitit 2024, kursi i këmbimit të Euros me Lekun në 31 dhjetor ka rënë me 1.4%. Depozitat e jorezidentëve në sektorin bankar shqiptar në të historikisht kanë qenë kryesisht të lidhura me emigrantët, që një pjesë të kursimeve të tyre kanë zgjedhur t’i mbajnë në bankat shqiptare. Ato patën arritur nivelin më të lartë në fund të vitit 2014, për një shumë totale prej 24 miliardë lekësh. Gjatë viteve në vazhdim, vlera e depozitave të jorezidentëve pësoi një rënie graduale, duke zbritur në intervalin mes 13 dhe 14 miliardë lekëve para pandemisë. Por, pas vitit 2022, ecuria e depozitave ka një tendencë të dukshme në rritje dhe i ka tejkaluar nivelet e vitit 2014. Rritja e depozitave të jorezidentëve përputhet edhe me një cikël të ri të rritjes së remitancave gjatë viteve të fundit, që mund t’i atribuohet kryesisht valës së re të emigracionit të shqiptarëve në dekadën e fundit. Gjithashtu, kjo tendencë mund të lidhet edhe me rritjen e investimeve të huaja dhe sidomos me shtimin e shtetasve të huaj që investojnë në pasuri të paluajtshme në Shqipëri. Depozitat e jorezidentëve janë një nga zërat që nuk përfshihen në përkufizimin e parasë së gjerë të ndjekur nga Banka e Shqipërisë në raportimin e statistikave. Rrjedhimisht, rritja e tyre nuk reflektohet në treguesin statistikor të depozitave të përfshira në paranë e gjerë, që përdoret përgjithësisht për të raportuar ecurinë e depozitave bankare me bazë mujore. Megjithatë, pesha specifike e depozitave të jorezidentëve kundrejt totalit të depozitave bankare është e ulët, me rreth 1.6% të totalit të tyre. Në fund të vitit 2025, totali i depozitave në sektorin bankar shqiptar arriti vlerën e rreth 1.89 trilionë lekëve./ E.Shehu Burimi: BSH

Share this post: